Halle të qytetarëve në komunën e re të Prishtinës

Opinione

Halle të qytetarëve në komunën e re të Prishtinës

Nga: Sherif Ramabaja Më: 12 shtator 2023 Në ora: 13:05
Sherif Ramabaja

Një tematikë konkrete nga vendngjarja. Një përditshmëri që shqetëson. Një problematikë për të cilën zoti Rama, ka premtuar efikasitet për Prishtinën. E tërhoqa numrin që të paraqitesha në sportel. Unë e kisha të 59, kurse bashkëshoqëruesi im numrin 60. U habita. Nuk kishte qa shumë veta, për numra kaq të lartë. Bashkëshoqëruesi më qetësoi. Shumica vijnë kohë pas kohe për tu interesuar për radhën, sepse pritjet si zakonisht zgjasin. Sportelet shumica ishin të zbrazëta,  pa personel. Punonin vetëm nga dy, tre veta.

Brenda sporteleve shiheshin edhe nga dy tre veta që bisedonin mes vete, pa i kuptuar ne kompetencat e tyre. Pas një pritje të shkurtër vërejtëm që numrat lëviznin shumë ngadalë. Edhe ne vendosëm që të dilnim dhe të ktheheshim pas një ore, me shpresë se do të kryenim punë. Ne kërkonim ta kryenim një obligim qytetar, të paguanim tatimin në pronë.

Pasi dolëm nga ndërtesa e bukur e Komunës së Re, hymë në lokalin më të afërt  që të freskoheshim me nga një pije, pasi mbretëronte vapë .

U kthyem pas një ore me shpresë se do të lëvizte diçka, po shpejt u zhgënjyem sepse të shumtën se 10 – 12 numra kishin lëvizur. Pasi tre herë e përsëritëm këtë cikël, shkuarje – ardhje, u zhgënjyem edhe më shumë. Kishin kaluar përafërsisht tre orë. Bashkëshoqëruesi im, të cilin e kisha të afërm, nga hidhërimi e grisi numrin e tij.

U ulëm në karriget e pritjes dhe e vëzhgonim gjendjen. Mënyra e punës vazhdonte me të njëjtin ritëm. Nga të gjitha sportelet punonin vetëm dy veta. Një vajzë e re me veshje myslimane, (e mbuluar) doli nga sporteli dhe u drejtua te policët roje, të cilët ishin brenda derës hyrëse.

Ne se dëgjonim se q´u thoshte, po në bazë të gjesteve e kuptonim se ankohej në njërin, i cili kishte bërë foto me celularin e tij. Policia intervenoi dhe diskutonin edhe me personin i cili kishte fotografuar.

Ne e kuptuam se ishte një bashkatdhetar i cili kishte ardhur për pushime në Kosovë, i cili kërkonte shërbim në komunë, po nga zhgënjimi kishte fotografuar sportelet e zbrazëta, apo nëpunësit të cilët silleshin poshtë e lartë duke bisedonin mes vete, e nuk interesoheshin për shërbimet apo obligimin që kishin marr në kryerjen e detyrave të tyre.

Ne të cilët e vrojtonim policinë, nëpunësen e re me veshje myslimane dhe klientin, mundoheshim që ti kuptonim, që të gjithë, në kompetencat e tyre. Ndoshta askujt si interesonte se cili kishte të drejtë dhe cili jo, por kryesorja ishte se që të gjithë kërkonin diçka nga njëri - tjetri. Ndoshta kjo ishte përgjegjësia, e cila mungonte nga të gjitha palët.

Nga disa që pritnin thuhej se kjo bëhej me qëllim që ta diskreditonin pushtetin qendror, në mënyrë që të ngjallnin pakënaqësi te qytetarët dhe të ndikonin te zgjedhësit. Në realitet, kjo ishte përgjegjësi e pushtetit lokal dhe s´kishte të bënte fare me pushtetin qendror.

Disa ankoheshin në kryetarin komunal zotin Rama, i cili kishte premtuar shërbim korrekt dhe përmirësim në organet komunale, kurse të tretët ankoheshin në papërgjegjësinë e nëpunësve, të cilët qëllimisht e zhagitnin ndërrimin e numrave.

Unë isha vetëm vrojtues i këtij fenomeni, po edhe mua me stërzgjatjen e pritjes dhe kohës, gjithnjë e më shumë më humbte durimi.

U afrova te shenja e pritjes me numrin në dorë dhe shpejt para meje u shfaq kujdestari i uniformuar. Largohu tutje më urdhëroi, (pa mu lutur). E paske numrin 59. (Me këtë kuptoi se, ende nuk je askund) Dua vetëm ta pyes zonjën diçka, iu drejtova, kujdestarit. Lej foret, mu drejtua kujdestari, duke më shikuar në sy. Unë prapë nuk hoqa dorë. Asgjë nuk kërkoi përpos të pyes diçka, fola unë sërish.

Zonjat në sportelet e tyre, afër njëra - tjetrës edhe pse më dëgjonin nuk e ngrisnin kokën fare në reagimin tim. Ky kuptohej se ishte si një lloj presioni i qetë, në varë vajtjen e punës të njerëzve kompetent dhe klientëve. Unë u largova disa hapa nga vija e shënuar pritëse dhe kujdestari sapo u shfaq numri i ri filloi të pyeste me zë : a është personi me këtë numër prezent. Nuk u lajmërua askush dhe situata e njejtë erdh duke u përsëritur. Nuk kaluan as pesë minuta dhe unë erdha në radhë.

Me mua u afrua edhe bashkëshoqëruesi im i cili nëpunëses i tha se e kishte humbur numrin vijues pas meje. Me dokumentet identifikuese, nëpunësja na i lëshoi vërtetimet për pagesën në pronë. Ne vetëm kërkonim t´i paguanim obligimet tona. Pse gjithë ky komplikim dhe pritje kaq e gjatë, (për dy – tre minuta punë) edhe atëherë kur paranë ia ofron komunës, jo t´ia marrësh ?! Apo kështu e kemi ne shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat