Takimi i diktatorëve!

Opinione

Takimi i diktatorëve!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 13 shtator 2023 Në ora: 20:03
Foto nga takimi

Putini po përpiqet të dëshmoi se nuk është i izoluar. Në vizitë e ka mikun dhe diktatorin e Koresë Veriore Kim Yong Un. Kim po ashtu u gëzua për ftesën, sepse që nga Donald Trump, nuk i kishte shkruar, nuk e kishte ftuar dhe nuk e kishte vizituar askush.

I shastisur nga gëzimi Kim e përgatiti gomarin, (trenin e blinduar) trashëgim nga babait të tij, dhe pasi ia ndërroi patkonjtë me shpresë se do ta kalëronte më shpejt, i hipi që të merrte rrugë te vëllai, diktatori Putin.

Rruga ishte e mundimshme. Gomari i tij nuk vraponte më shumë se 80 KM në orë, po ç´ti bësh. Perëndimi, frika dhe pasiguria e detyronin që të udhëtonte me një gomar të tillë.

Putini mezi e priste takimin me te. Dëshironin të dëshmonin partneritet, forcë, unitet dhe burrëri që nuk i falen askujt.

Në takim e kishin ftuar edhe Vuçiqin e Serbisë, Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, Listën Serbe dhe disa të tjerë nga vendet e Ballkanit, të cilët dëshironin të mbeteshin anonim.

 Sipas mediave ftesa kishin marr të gjithë të sanksionuarit nga SHBA dhe EU, pastaj personalitete me peshë nga Ballkani siç ishin: Rama, Abazoviqi, Baton Haxhiu, Mulla Shefqet Krasniqi, personalitete nga Lëvizja, Marksistët – Leninistët, Stalinistët dhe të gjithë ata me të cilët kërkon një Rend të Ri Botëror. Për xhirime dhe raportime të sakta, e kishte ftuar edhe Klan Kosovën.

Takimi i shumëpritur dhe i planifikuar mes diktatorëve kishte qëlluar në një kohë shumë të papërshtatshme, ngase që të gjithë, përpos Kim Yong Un, me arsyetime të fuqishme i kishin refuzuar ftesat.

 Vuçiqi kishte takim urgjent me Kurtin në EU. Dodiku priste ta burgoste zotin Schmidt, i cili qe sa kohë po ia turbullon ujin në Bosnje. Rama ishte i nxënë me Belerin, kurse Baton Haxhiu ishte po ashtu i zënë me përpilimin Draft Statutit për serbët e Veriut.

 Abazoviqi i cili mezi e priste një takim të tillë, me keqardhje e refuzoi ftesën, sepse e kishte zbuluar një tunel të fshehtë, i cili shpinte në lokalet e Gjykatës Kushtetuese të vendit dhe nuk dinte se nga e kishte burimin. Nga Kisha Ortodokse serbe, apo nga pushteti serb i Vuçiqit .

Grupet e tjera erdhën apo jo, nuk kishte shumë rëndësi. Për Rendin e Ri Botëror, do të vendosnin dy diktatorët, Putini dhe Kim Yong Un.

Putini i cili para kamerave dhe mediave, len përshtypjen se është i lumtur, para tërë botës e prezantoi mysafirin e tij, me të cilin do i vejnë themelet e botës së re.

Kush dëshiron të na bashkohet, dyert i kanë të hapura, deklaruan. Ende pa i firmosur marrëveshjet dhe përfunduar takimin, u lajmërua Ukraina me raketat e saj, e cila e dridhi Krimenë. Putini lente përshtypjen se s´po ndodhte asgjë.

Vuçiqi dhe Dodiku premtuan ta vizitojnë Putinin, sapo ti përfundojnë takimet e caktuara me EU. Për largim nga Rusia EU po ua premton Veriun e Kosovës dhe Republikën e Bosnjës. Një problem në vete është se ende nuk po arrijnë ta bindin Kurtin, që ta dorëzoi Veriun. Për këtë e kanë sanksionuar Kosovën. Ose pajtohuni ta dorëzoni Veriun, ose do të mbeteni nën sanksione, po kërcënon EU. Haradinaj është lajmëruar për kompromis, nëse e rrëzon Kurtin. Është fjala për një kompromis ashtu siç e bëri me Çakorrin, mbetet të shihet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat