Kurti po kërcënohet sa me ultimatume, sa me jetë

Opinione

Kurti po kërcënohet sa me ultimatume, sa me jetë

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 17 shtator 2023 Në ora: 14:26
Albin Kurti

Haradinaj, Krasniqi, Abdixhiku, Limaj etj. çdo moment e kanë shfrytëzuar, t´i vejnë Kurtit ultimatum, që të heq dorë nga qëndrimet e tij “antikombëtare”. Këtë e kanë bërë edhe opozitarët e tjerë, secili në mënyrën e vetë.

Akuzat kanë qenë të njëjta: Kurti e ka izoluar Kosovën. Kurti na ndau me perëndimin. kurti na armiqësoi me Amerikën. Miqtë e Kosovës, shkaku i Kurtit na e kthyen shpinën. Kurti po e rrezikon sigurinë nacionale. Kurti e pranoi Asociacionin. Kurti bashkëpunëtor i Serbisë. Kurti është një manipulues. Kurti është populist. Kurti është gënjeshtar. Sipas Ganës, Kurti i hëngri të gjitha qershitë (nuk ia la asaj asnjë).

Edhe Rugova sipas Lëvizjes, marksist – leninistëve, stalinistëve, enveristëve etj. ishte një tradhtar dhe bashkëpunëtor i Serbisë, por për fjalimin e tij Parlamenti Evropian dhe Kongresi Amerikan ngriteshin në këmbë. Personalitete dhe burrështetas botëror e çmonin, kishin respekt dhe i faleshin mençurisë, durimit dhe guximit të tij.

Qeveria gjermane gjithashtu u është nënshtruar kritikave të rrepta nga opozita, por edhe nga populli në „dështimet” e saj. Kjo po ndodh nga shkaku, sepse qeveria është deklaruar për një pikë kthese, kur është fjala për ngrohjen me gaz. Kjo ka ngjallur pasiguri në popull, nga pompat për ngrohje, duke iu  nënshtruar kritikave të rrepta. Këto ishin një nga shkaqet që kuotat e koalicionit qeveritar të ulen në mënyrë drastike.

Për fatin e mirë të qeverisë, këto ditë një institucion i pavarur doli me shifra mbi arritjet dhe dështimet e qeverisë. Rezultati ishte befasues. Arritjet i tejkalojnë parashikimet dhe ishin më të mira se të qeverive të mëparshme. Pra ishte një befasi e këndshme për qeverinë, e cila nga kritikat nuk arrinte që vetë t´i prezantoi rezultatet pozitive të saj.

Kjo mungon në Kosovë, që vërtet të vërtetohet suksesi dhe dështimi i programit qeveritar. Kemi vetëm dy vlerësime: Qeveria del me shifrat e veta dhe opozita e cila tërësisht i mohon. Nuk ekziston një vlerësim i ndonjë institucioni neutral. Në vend të kësaj, në Parlament, organizohet turne boksi.

Po si do të vlerësohet puna e kryeministrit Kurti, i cili e ka “bllokuar” procesin e marrëveshjes me Serbinë ?

Një pyetje delikate për të gjithë. Opozita do të duhej të dilte me alternativë efikase për marrëveshjen. Të deklarojnë haptas se çka pranojnë, e çka jo. Ku është për ta vija e kuqe. Si të veprohet tash, kur Asociacioni vetë është firmosur prej tyre. Apo të veprojnë sikurse Haradinajn: njëherë po e firmosim marrëveshjen, (po i pranojmë kërkesat e Serbisë) pastaj bisedojmë me Serbinë që të na e kthej Çakorrin. Pra në mungesë të alternativës ushtrojnë presion, hip se të vrava, zbrit se të vrava.

Për Asociacionin Kurti i është nënshtruar një presionit (përpos atij të Serbisë) të fuqishëm ndërkombëtar, EU, ndërmjetësuesve të njëanshëm të EU, ndërmjetësuesit dhe ambasadorit të SHBA në Serbi etj.

Të vetmen përkrahje si duket Kurti e ka nga partia e vetë LVV dhe populli, po shtrohet pyetja: si do t´i lehtësohej atij presioni që ta mbroj Kosovën nga ndarja, e cila po i rri mbi kokë si shpata e Demokleut?

Opozita e vendit në këtë rast do të lozte një rol kyq. Rreshtimi përkrah Kurtit, kur është fjala për mbrojtjen e qëndrimit të përbashkët kundër ndarjes së Kosovës, do ta forconte rolin e Kosovës si partnere e barabartë në bisedime dhe Opozita do të profilizohej, duke fituar poena te zgjedhësit.

Një profilizim këto ditë e paraqiti Abdixhiku LDK duke e shpalosur programin, Rruga e Re, (Egnatia) që ngjason me Rilindjen e Ramës. Ku do ta shpie kjo ?

Për fat të keq Kurtit i mungon një përkrahje edhe nga udhëheqësia e shtetit amë. Botërisht dihet se Rama më afër qëndron me Vuçiqin dhe Serbinë, se sa me Kosovën dhe Albin Kurtin.

Kur të merren të gjitha këto parasysh, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deshëm apo s´deshëm, vetëm popullin e ka pas .

Presioni si nga brenda dhe jashtë do të vjen duke u rritur mbi te. Diplomatët nga jashtë do t´i ngritin gotat, se e arritën një marrëveshje. Si ? Nuk loz rol. Së paku, ngjashëm si në Bosnje. Ata shkojnë e vijnë, me poste të reja, po çdo të ndodhë me Kosovën? S´është punë e tyre.

Opozita, po dështoi Kurti, do t´i bien në shpinë. Ky, ky, ky..... Po e mbrojti Kurti tërësinë territoriale të Kosovës, ku do të mbeten? !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat