Beleri, shteti shqiptar dhe reciprociteti i munguar me Greqinë!

Opinione

Beleri, shteti shqiptar dhe reciprociteti i munguar me Greqinë!

Nga: Milaim Nela Më: 19 shtator 2023 Në ora: 09:23
Autori Milaim Nela

Si i djathtë, si shqiptar që e do vendin e tij jam ndjerë tmerrësisht keq kur PD, partia që unë kam mbështetur në kuadrin e koalicionit BASHKË FITOJMË pranoi si kandidat për Bashkinë e Himarës një personazh kaq kontravers e të padëshirueshëm si Fredi Beleri!

I kam larguar sytë nga ekrani i televizorit kur kam parë Belerin të përshkojë stadiumin Arena Kombëtare në ceremoninë e prezantimit të kandidatëve të koalicionit Bashkë Fitojmë!

Fredi Belerin e kanë arrestuar dhe akuzuar si pjesëtar të bandës terroriste të grupit MAVI jo autoritetet e shtetit shqiptar por ato greke!

Ky grup terrorist për ata që nuk e dinë është grupi që në vitin 1994 në pikën ushtarake të Peshkëpisë vranë një ushtar dhe një oficer shqiptar!

Fakti që nuk është dënuar për atë akt të pastër terrorist nuk e bën Belerin të pafajshëm në sytë e opinionit publik shqiptar.

Fredi Beleri figuron i dënuar edhe njëherë tjetër nga gjykatat shqiptare me vendim të formës së prerë pavarësisht se i ka shpëtuar atij vendimi.

Ai më se njëherë është parë duke mbajtur fjalime publike duke pozuar para flamurit të të ashtquajturit Vorio-Epir një ëndërr e vazhdueshme e qarqeve shoviniste greke që i kanë rrënjet në kishën greke dhe deri në instancat më të larta të shtetit kishtar grek.

Jo pak here ai është shprehur për helenizimin e Shqipërisë si në territoret shqiptare ashtu dhe jashtë saj.

Studiues dhe njohës të mirë të minoritetit grek në Shqipëri thonë po ashtu që Beleri nuk është me origjinë të mirefilltë greke por është shqiptar nga Progonati pra një lëkurë blerë apo një lëkurë shitur varet nga cila anë e shikoni.

Unë kam bindjen që nëse revolucioni 3-gishtor i vitit të zi 1997 nuk do bëntë atë që bëri Beleri ndoshta do ishte akoma në burg.

Greqia nuk ka reshtur asnjëherë për ta konsideruar një nga zonat më shqiptare të vendit tonë siç është Himara si zonë minoritare.

Këtë e bën një shtet që jo vetëm nuk ka hequr akoma ligjin e luftës me Shqipërinë por nuk njeh asnjë minoritet brenda vendit të saj. Eshtë një vend që ka përzënë qindra mijëra shqiptarë të kombësisë shqiptare në Çameri apo Threspoti siç e quajnë ata drejt Turqisë duke i këmbyer me qytetarë të kombësisë greke që jetonin në Turqinë e sotme.

Po ashtu Greqia ka vrarë, masakruar dhe përzënë drejt Shqipërisë në dy periudha të ndryshme historike qindra mijëra shqiptarë çamë kryesisht të besimit fetar mysliman.

Sot e kësaj dite ata pak çamë që kanë ngelur gjallë apo pasardhësit e tyre nuk lejohen të shkelin në vatrat e tyre.

Ky shtet i falimentuar (por që u shpëtua nga Bashkimi Europian) në vitin 2008 vazhdon sot e kësaj dite duke paguar pensione të paligjshme qytetarëve shqiptare në zonat e Jugut më qëllimin e vetëm që ata të deklarohen me kombësi greke.

Në Himarë ka të drejtë të kandidojë për deputet apo kryetar të pushtetit lokal kushdo që ka të drejtën kushtetuese përfshirë edhe ata me origjinë greke por nuk mund të luhet me kartën e minoritarit për qëllime të zeza afatgjata.

Minoritarët e mirëfilltë greke që me ne shqiptarët kanë ndarë të mirën dhe të keqen, kanë bashkëjetuar në harmoni të plotë duhet të ndihen të fyer dhe me turp që një individ si Beleri të përfaqësojë minoritetin grek. Ata përpos çdo ndërhyrjeje nuk duhet ta lejojnë një gjë të tillë!

Saga e Himarës besoj unë është një lojë e fëlliqur për të bërë zhurmë rreth kësaj zone të lakmuar dhe faktorizuar atë si zonë minoritare së cilës me demek i shkelen të drejtat.

Unë dyshoj fort që kjo lojë e fëlliqur është e dakorduar mes Ramës dhe Micotaqisit në funksion të helenizimit të Himarës.

Argumenti i përvetësimit të pronave dhe bregdetit në Himarë për mua nuk ngjit sepse edhe me Belerin kryebashkiak Rama e ka edhe gurin edhe arrën për të ju a dhënë ato kujt të dojë ai.

Greqia sot po bën presion për lirimin pa kushte të Belerit me të njëjtën retorikë që kërkonte lirimin e "të pestëve" në gjysmën e dytë të viteve 90të të shekullit të kaluar.

Shqipëria dhe të gjitha qeveritë e tranzicionit shqiptar kanë bërë gafa politiko-diplomatike sa i takon sjelljes me fqinjin jugor.

1.Heqja dorë nga çeshtja çame dhe mosngritja e kësaj çeshtje sa humane e sa kombëtare jo vetëm në tavolinat diplomatike bilaterale por edhe në kancelaritë përendimore. Kemi kaluar nga pranimi i çeshtjes çame nga Konstatin Micotaqis deri në mohim të plotë dhe me arrogance e këtij problemi pas rrënimit të shtetit shqiptar në vitin 1997.

2. Lejimi i Anasatas Janullatus si kreu i Kishës Ortodokse Auoqefale Shqiptare në kundershtim të plotë me rregullat e vetë kishës shqiptare. Ky njeri që e ka mbjellë Shqipërinë me kisha edhe aty ku nuk ka patur asnjëherë nuk le rast pa folur kudo ku behet zhurme rreth minoritetit deri duke mbrojtur edhe nje terrorist si Kacifas.

Nga ana tjetër megjithëse në letra udheheq Kishën Shqiptare ka refuzuar të bëjë edhe një lutje të vetme për viktimat e luftës së Kosoves në vitet 1998-1999.

3. Pranimi nga ana e Shqipërisë e ngritjes së varrezave të ushtarëve pushtues grekë në territorin shqiptar duke dhunuar varrezat e shqiptareve vendas për mua ka qenë jo vetëm një gafë në rastin më të butë por unë e kam quajtur një akt antikombëtar me pasoja të pariparueshme për të ardhmen e integritetit territorial të Shqipërisë.

Kurrë nuk jam pajtuar me vendimet e mësipërme e kurrë nuk do pajtohem.

Kam pritur që Partia Demokratike të distancohet nga këto gabime të renda që ka bërë gjatë qeverisjeve të saj.

Në këndvështrimin tim Partia Demokratike dhe çdo parti tjetër politike shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të bëjë asnjë lloj koalicioni apo bashkëpunimi me forca politike që nuk njohin tragjedinë dhe çeshtjen çame dhe ju fryjnë bilbilave të helenizimit të territoreve shqiptare.

Debati i sotëm ka të drejte ligjore Beleri apo po i bën padrejtësi Rama është krejt i pa bereqet dhe nuk na nxjerr askund.

Rezultati i gjithë këtij debati fallco është helenizimi dhe mediatizimi i Himarës si "zonë minoritare".

Opozita duke u munduar të mbrojë një të pambrojtshëm si Beleri ka bërë jo vetëm një autogol të panevojshëm por ka dëmtuar rëndë çeshtjen kombetare.

Sado padrejtësi të i jetë bërë një qytetari shqiptar kjo nuk ju jep të drejtë zyrtarëve grekë ta përdorin tokën dhe territorin shqiptar si han pa porta!

Vetëm në Shqipëri ndodh që një terroristi si Kacifas ti ngrihet lapidar e të lejohen peligrinazhe të përvitshme nga Greqia në territorin shqiptar.

Kjo duhet të marrë fund.

Ose vendosni parimet e reciprocitetit me Greqinë ose mos e quani veten shtet sepse shteti ka sjellje tjetër e jo si kjo!

Shkoni e guxoni e të ngrini flamurin shqiptar në Paramithi e do shihni se çdo të ndodhë.

E di që shumëkush do rrudhë buzët kur të lexojë këtë shkrim por këto janë bindjet e mia e unë nuk bej kompromis me ta për askënd e për asgjë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat