Fjalori cinik dhe denigrues ndaj mendimit ndryshe në skenën tonë politike, një kjo logjikë primitive që po e vret lirinë e Kosovës!

Opinione

Fjalori cinik dhe denigrues ndaj mendimit ndryshe në skenën tonë politike, një kjo logjikë primitive që po e vret lirinë e Kosovës!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 20 shtator 2023 Në ora: 16:39
Rexhep Elezaj

Dallimet politike dhe jo vetëm, brenda çdo populli dhe shoqërie të civilizuar, janë pa dyshim, vlera të çmuara të demokracisë, sidomos kur ato dallime i shërbejnë interesave shtetërore dhe kombëtare të një popull të lirë dhe sovran, qofshin dallime formale, apo esenciale që synojnë mbrojtjen e interesave nacionale, si kusht për ekzistuar si komb dhe shoqëri e pavarur dhe sovrane në fqinjësi me popujt tjerë.

Mendimi ndryshe, në veçanti në sferën politike, në shoqëritë e emancipuara perëndimore, është vlerë dhe potencial që i kontribuojnë pluralizmit të ideve dhe programeve partiake, gjegjësisht kombëtare, përmes të cilave individi dhe grupet politike e japin kontributin e tyre në avancimin dhe realizimin e synimeve të përbashkëta, siç janë liria, sovraniteti, të drejtat e njeriut, liria e shprehjes së mendimit dhe fjalës së lirë, si dhe e drejta për jetë, pa dallime racore, gjinore, etnike, fetare dhe sociale, etj. Pra, vlera të pacenueshme për njeriun, individin, shoqërinë si dhe shtetin si njësi përkufizuese e të drejtës së popujve për mëvetësi nacionale (Karta e OKB-së) për të ekzistuar si i pavarur nga ndikimet e faktorëve të jashtëm.

Prandaj, në kontekst të këtyre të drejtave dhe obligimeve për jetë dhe krijimtari të vlerave civilizuese të njeriut, të cilat e sigurojnë pavarësinë individuale dhe kolektive të njeriut, ato, si vlera universale të njeriut janë të pacenueshme, por edhe të garantuara me norma tradicionale, ligje, konventa dhe kushtetuta të avancuara juridike, si bazë sublime për arsimim, zhvillim dhe ngritje mbi interesat personale politike, të cilat zakonisht bien ndesh me të drejtat e sovranit, popullit, mbase bartësit e interesave personale, në shumicën e rasteve nuk iu përballojnë ofertave korruptive, nepotizmit si dhe egove për aventura me shtetin, shoqërinë dhe pasuritë natyrore të tij, mjerisht në emër te të cilit abuzojnë me gjithçka që u bie në dorë.

Kështu që, mendimi ndryshe, si vlerë dhe potencial për ofrimin e opsioneve të ndryshme, qoftë politike, qoftë ekonomike në rrugën drejt begatimit të njeriut si shtyllë e shoqërisë, pra si pluralizëm i mendimeve ndryshe, dhe mund të ofrojnë zgjidhje adekuate në politikë bërjen nacionale si dhe shtet-ndërtuese për një popull-komb, tek pasi që ta kenë kaluar provimin e popullit shumicë, jo për ta shkelë dhe denigruar pjesën e mbetur të shoqërisë, meqë pa atë pjesë asnjë popull nuk e përbën tërësinë e plotë krijuese dhe ndërtuese, veçse si shumicë e munguar bën gabime të cilat mund të kenë pasoja të rënda për kauzën kombëtare dhe shtetërore, pa dallim.

Ndaj, e them me bindje, se mos respektimi i mendimit ndryshe, qoftë ai individual, qoftë kolektiv, në këtë rast, mendimi opozitar politik, ka kohë që bartësit mendimit ndryshe në Kosovë pa asnjë arsye serioze linçohen, nënçmohen dhe stigmatizohen deri si tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë!

Kosova dhe populli shqiptar i saj me 1998/99 ka luftuar dhe ka dhënë me mijëra dëshmorë për liri kombëtare, që si njerëz të lirë në shtetin e tyre të pavarur dhe të fituar me shumë sakrifica dhe gjak, të jenë njerëz të lirë ku mund ta japin mendimin e tyre personal pa u frikësuar për çfarëdo teme dhe çështjeje që ka të bëjë me shtetin dhe të ardhmen e tyre politike e nacionale, dhe jo që nga kasta politike në pushtet, orë e çast të sulmohen dhe akuzohen me lloj-lloj shpifjesh, krejtësisht të paqëndrueshme, herë si rrënues të shtetit, herë si vasalë të Serbisë, etj., që e gjithë kjo katrahurë ideologjike dhe autokratike e ka shndërruar shoqërinë kosovare në një oazë të qelbur, kutërbimi i të cilës, po qese nuk ndalet, do ta përjashton shoqërinë shqiptare nga të gjitha trendët aktuale pozitive në Evropë, ku pa eliminimin e plotë të kësaj murtaje pandemike, Kosova dhe pavarësie e saj mund të vihen seriozisht në pikëpyetje, ngase si shtet dhe shoqëri e copëtuar politikisht nga brenda, nuk ka asnjë gjasë që të ecet drejt cakut për t‘u bërë një ditë pjesë integrale e kulturës dhe civilizimit bashkëkohorë evropian!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat