Kritikat dhe kërkesa për shkarkimin e z. Borrell dhe Lajçak, po e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare!

Opinione

Kritikat dhe kërkesa për shkarkimin e z. Borrell dhe Lajçak, po e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 shtator 2023 Në ora: 20:31
Rexhep Elezaj

Së pari, dialogu Kosovë-Serbi nuk është çështje vetëm e Kosovës, por para së gjithash, është çështje me karakter dhe interesa ndërkombëtare, që si e tillë nënkupton sjellje, deklarata dhe veprime tejet të kujdesshme nga ana e qeverisë dhe zyrtarëve të Kosovës, ngase nuk është fare sjellje diplomatike dhe as etike, që një kryeministër i Kosovës ta sulmojë aq ashpër një diplomat ndërkombëtar, i cili në fakt, si ndërmjetësues i BE-së në dialog me Serbinë, punon në dobi te të dyja vendeve, i cili si përfaqësues i 27 vendeve të BE-së nuk mund t’i përfaqëson interesat e Çekisë, më së paku ato të Serbisë, sepse një sjellje e tillë do binte ndesh me rolin e ndërmjetësuesit, dhe të cilin do ta largonin nga ai mision.

Dhe, të jeni të bindur, se vendi i parë i cili do reagonte, posikur M. Lajçak t’ia mbante anën Serbisë, do ishin SHBA-të, të cilat janë mbrojtësit më të mëdhenj të interesave të Kosovës, andaj nisur nga ky fakt, kritikat dhe kërkesa për shkarkimin e ndërmjetësuesve të BE-së J. Borrell dhe lehtësuesit M. Lajçak, si interlokutorë në dialogun Kosovë-Serbi, aq shumë të dëgjuara dhe të stisura në mjetet informative dhe mediat në Kosovë, pa asnjë dyshim, e kanë dëmtuar tej mase imazhin e Kosovës në Evropë dhe botë. Mbase, pasojë e një sjelljeje të tillë jo diplomatike e qeverisë së Kosovës, ka sjellë deri te acarimi i marrëdhënieve me Washingtonin zyrtarë, pra me miqtë tanë amerikan, siç ishte edhe vendosja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat masa buxhetin e Kosovës e kanë dëmtuar me miliona euro (700 mil.), e që për një Kosovë prej afër 2 milion banorësh është humbje mjaft e madhe financiare.

Mbase, duket qartë se presioni dhe rritja e masave ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës nga ana e BE-së do të rritën ditët dhe muajt në vijim, po qese qeveria e Kosovës nuk reflekton pozitivisht ndaj kërkesave të BE-së për implementimin e Aneksit të marrëveshjes bazë, e miratuar në Ohër me 18 mars të këtij viti. Pra, presioni ndaj Kosovës do rritet gjithnjë e më shumë, për shkakun që sipas vlerësimeve të fundit të BE-së të bëra publike pas dështimit të takimit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit me 14 shtator, sepse për fat të keq, është vlerësim unik i faktorëve kryesorë në Perëndim, se fajin për ngecje në dialog e ka Prishtina zyrtare, anise kjo nuk është krejt e vërtetë. Por kritikat e kryeministrit A. Kurtit ndaj misionarit të BE-së, z. M. Lajçak, kanë qenë benzinë në zjarr, kur bëhet fjalë për qëndrimin dhe etikën e palës shqiptare në relacionin ndërkombëtar të dialogut si dhe zbatimit të obligimeve të marra nga marrëveshjet e Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Mbase dihet shumë qartë, se pa ndërmjetësimin e BE-së as që do zhvillohej ndonjëherë dialog midis Kosovë dhe Serbisë, i cili mbase do ngelte në KS të OKB-së, aty ku Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos së përhershme.

Po ashtu, nuk duhet harruar për asnjë çast faktin, se është presidenti i Serbisë, A. Vuçiq, ai i cili në takimet e tij me president dhe kryeministra evropian dhe botëror, të njëjtëve po u ofron personalisht plotë dokumente dhe nota diplomatike, përmes të cilave po ndikon që pala shqiptare, gjegjësisht kryeministri Kurti të fajësohet për çdo gjë që po ndodhë në veri të Kosovës, madje duke shënuar sukses jo të vogël në propagandën e Serbisë kundër Kosovës, qoftë në rritjen e numrit të njohjeve të reja, qoftë si qeveri e “cila po ushtron terror mbi serbët lokalë në veri”, duke mos hasur fare në pengesa dhe kundër-propagandë nga ana e Kosovës !

Qeveria e Kosovës, duke marrë parasysh disponimin aktual mjaft negativ të faktorëve ndërkombëtarë ndaj saj, posaçërisht ndaj kryeministrit Kurti, duhet menjëherë ta ndryshojë kursin politik si dhe strategjinë në qëndrimet e saja zyrtare, si ndaj BE-së, ashtu dhe ndaj miqve amerikan, duke hequr dorë njëherë e mirë nga logjika majtiste e bërjes politikë kombëtare. Para së gjithash, të heq dorë nga kursi anti-perëndimorë, epitet të cilin qeveria aktuale në krye me A. Kurtin ia ka vu vetes pa ndonjë nevojë të madhe, si dhe duke mos e harruar kurrë faktin, se interesat kombëtare dhe shtetërore janë mbi çdo interes personal, ideologjik dhe partiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat