Propozimet për Kosovën nga Edi Rama, këmbana alarmi për gjama!

Opinione

Propozimet për Kosovën nga Edi Rama, këmbana alarmi për gjama!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 29 shtator 2023 Në ora: 10:14
Xhevat Mustafa

Sa herë që ndodhen në situata të vështira apo u ngec sharra në gozhdë me Kosovën, çka po i përjetojnë shpesh gjatë këtyre rreth 20 muajve të qeverisë së Albin Kurtit dhe presidencës së Vjosa Osmanit, presidenti, kryeministri dhe shefi i diplomacisë serbe, Vuçiç, Brnabiç, Daçiç..., e gjejnë fijen e shpëtimit tek OKB-ja, sidomos rezoluta 1244. Për këtë nuk u ka munguar edhe mbështetja e hapur apo pas kulisave edhe nga Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borreli dhe i dërguari special i BE-së për bisedimet Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak...si dhe nga filosllavë të tjerë në Uashington dhe Bruksel, në Pekin, Delhi, Xhakarta, Teheran...apo edhe në Paris...!? Këtë shans apo kartë e gjetën apo e morën si “dhuratë” edhe tek ideja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një Konferencë Ndërkombëtare, në kuadër të BE-së, për bisedimet Serbi-Kosovë e për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, sidomos për shmangien e konflikteve të dhunshme në komunat me shumicë serbe në Veri të saj, me autorësi qartësisht serbe.

Rasti më i freskët ishte sulmi në Banjskë i një bande terrorristësh serbë të futur në Manastirin e këtij fshati kundër forcave speciale të Policisë së Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku dhe duke plagosur një polic tjetër. Arkivat dhe kujtesa na ndihmojnë të përforcojmë bindjen se propozimi gjase i ri nga Edi Rama për Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën në të vërtetë është nxjerrje nga “varri” apo nga një dosje e ngrënë nga minjtë e propozimit origjinal me të njëjtën kërkesë sajuar dhe publikuar në tribuna diplomatike ndërkombëtare e në media nga pushtetarët dhe qeveritarët më të lartë të Beogradit. Sikur të mos mjaftonte kjo njëmendësi apo sinkroni Rama-Vuçiç, po nga këta dy shokë, miq, sivëllezër...më 28 shtator 2023, nëpërmjet mendjes dhe gojës së Edi Ramës na befasoi apo na revoltoi kërkesa tjetër e tij që “Veriun e Kosovës ta marrë nën kontroll KFOR-i”!?

Nuk mund as të mendohet dhe jo më të besohet dhe pranohet se Edi Rama, edhe pas 10 vitesh si kryeministër i Shqipërisë, “nuk e di” se komunat në Veri të Kosovës, me popullsi shumicë serbe apo me popullsi të përzier serbo-shqiptare, janë territor sovran i Kosovës, edhe sipas përcaktimit të Gjykatës Ndërkombëtare. Si e tillë kjo pjesë e integritetit territorial të shtetit të Kosovës është në vartësi qeverisëse, administrative, politike, juridike të Prishtinës zyrtare, qeveritare dhe presidenciale. Për të mbuluar si me gjethe fiku apo degë kanabizi lakuriqësinë e njëmendësisë së tij me dy teza apo kërkesa të hershme serbe, personalisht të Aleksandar Vuçiçit, kryeministri i Shqipërisë bëri edhe ca kritika të hapura kundër shtetit dhe qeverisë së Serbisë, sidomos për lojën e tyre “me shumë topa dhe porta” mes aleates dhe tutores shekullore, Rusisë dhe BE-së. Fjala e Edi Ramës në konferencën e shtypit më 28 shtator jep arësye të mendohet se ai aktron mes atdhetarit, misionarit dhe liderit ndërkombëtar. Kështu, ai kritikoi shtetin serb për nderimin e terroristëve të vrarë në tokën e Kosovës, në Banjskë, por pa e përmendur me emër Vuçiçin, që de facto është shteti dhe qeveria në Serbinë e këtyre viteve!

Ndryshe nga Edi Rama, jo rastësisht dhe jo pa llogari të hollë,Vuçiçi në kundërpërgjigjen e tij të shpejtë, po më 28 shtator, pati kurajën ta përmendte me emër dhe mbiemër sivëllain e tij, Edi Rama. Ai tha "burrërrisht": "Edi Rama gënjen..."!? Ka më shumë të ngjarë që Edi Rama ta interpretojë dhe arkivojë këtë "fyerje" si një lojë fjalësh apo “pickim” të lehtë, mes të dyve për "veshë naivë" shqiptarësh, serbësh dhe ndërkombëtarësh apo thjeshtë, sa për t’u hedhur syve të dy palëve grushte apo qese me hi e pluhur të bardhë...? Gjithashtu, arkivat dhe kujtesa na ndihmojnë për të përforcuar bindjen se Edi Rama me këto propozime të tij të reja kopjon edhe Lajçakun. Në një prononcim për mediat më 3 korrik 2020, nisur më së shumti nga rezoluta 1244, Lajçak ka deklaruar, se “Evropa (BE) ka pranuar se pa Rusinë dhe Kinën nuk ka zgjidhje të çështjes së Kosovës...”.

Jam i bindur se as vetë Lajçak nuk duhet ta ketë harruar këtë deklaratë të tij, qartësisht filoruse e filoserbe...dhe jo rastësisht të pakritikuar nga Shefi i tij Borrelli. Sipas vizionit dhe gjykimit tim subjektiv kjo deklaratë e e diplomatit të tejkonsumuar apo përfundimisht të vetëdiskretituar, Mirosllav Lajçak, rihedhur në gusht-shtator 2023 në tregun politik dhe mediatik nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lë hapësirë të bollshme dhe jep arsye të forta për debat e kundërshtime, mbështetur në argumente të shumtë dhe bindës. Kuptohet, këto kundërshtime janë për sytë, veshët dhe mendjet e atyre pushtetarëve dhe diplomatëve të lartë Perëndimorë, që kanë dëshirë dhe vullnet për objektivitet dhe zgjidhjen përfundimtare më optimale e më të pranueshme për çështjen e Kosovës! Nënkuptueshëm, duke mos vazhduar edhe pas 145 vitesh e jo më duke korrigjuar apo lehtësuar më 2023 sado pak gjëmat që i kanë bërë kombit shqiptar, me masakrimin dhe copëtimin tejet të rëndë nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës e tj. Siç dihet shumë mirë e siç nuk mund të harrohet kurrë nga ne shqiptarët, në këto dy samite Fuqitë e mëdha të Evropës Perëndimore shprehën mbështetje, qëndrime dhe vendime të padrejta, duke krijuar artificialisht dhe me forcën e ushtrive të tyre mbretëritë apo shtetet e rinj të Greqisë, Serbisë, Malit të Zi. Për më tepër e më keq, i sajuan arbitrarisht me copa apo troje të mëdha nga harta shqiptare e para vitit 1878, për të mos iu referuar një periudhe kohore shumë më të largët dhe hartave shumë më të moçme, fatmirësisht të ruajtura shumë mirë edhe në arkiva të disa vendeve evropiane...!?

Përse të mos mendojmë e të themi në shqip, anglisht, rusisht dhe kinezce edhe të kundërtën: përse duhet të përzihen në takimet dhe bisedimet Serbi-Kosovë edhe Rusia dhe Kina, nëpërmjet një Konference të re Ndërkombëtare për Kosovën? Ndoshta Lajçak e disa të tjerë, me afeksione, preferenca dhe me lidhje të hershme studimore, nostalgjie rinore, shërbimi diplomatik…, sidomos me Rusinë( Lajçak diplomuar dhe i laureuar edhe me doktoraturë në Institutin MGIMO të Ministrisë së Jashtme Ruse) mund ta kenë të vështirë t’i përballojnë këto dobësi personale. Ndërsa Edi Rama, për arsimimin dhe diplomimin që ka, edhe pas rreth 25 vitesh afër apo brenda në “zorrët e politikës” ka nevojë t’ia kujtojnë se de facto dhe de jure, historikisht dhe aktualisht, “çështja” e Kosovës është mbyllur me çlirimin e saj nga pushtuesit serb me 1999, me njohjen ndërkombëtare shtet i pavarur më 2008 dhe me vulën që i dha GJND shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës me 2010 si dhe me njohjen e saj nga rreth 115 shtete...Për ne shqiptarët, do të kishte edhe më shumë dobi mos përfshirja e Kinës dhe Rusisë në punët e Evropës edhe për faktin se janë dy vendet më të mëdha, që nuk e njohin Kosovën dhe aleatët më të mëdhenj të Serbisë dhe Vuçiçit, me lidhje shumë të vjetra e të shumanshme miqësie, aleancash, traktatesh, interesash të përbashkëta, marrëdhëniesh.. Gjithashtu, nuk mund të harrohet se në pranverën 1999, kur SHBA dhe vende të BE-së, në kuadër të NATO-s ndërmorën fushatën e sulmeve ajrore kundër Serbisë, dy vendet në fjalë, pra Rusia dhe Kina nuk e fshehën aspak qëndrimin e tyre mbështetës ndaj Serbisë së Milosheviçit në terren dhe sidomos në OKB, në OSBE, duke ushtruar ndikim të fortë për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, miratuar më 10 qershor 1999 dhe për Planin Ahtisari.…

Krahas të tjerave, këto dokumente i njohin pakicës serbe në Kosovë trajtim special, unikal, fare afër autonomisë dhe një përfaqësim me 10 deputetë, pavarësisht përqindjes së popullsisë reale dhe rezultatit në zgjedhje, çka përbën edhe një favorizim të hapur të Serbisë dhe një casus belli për të qenë tejet e pranishme politikisht dhe si gozhda e Nastradinit në Kosovë, duke investuar së tepërmi për vatra protestash dhe trazirash të dhunshme, sidomos në komunat e Veriut, me popullsi serbo-shqiptare... Flet shumë për filoserbizmin tradicional të Rusisë e të Kinës edhe fakti tjetër, i mosnjohjes prej tyre të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës si dhe mbështetja e hapur që u kanë dhënë dhe vazhdojnë t’u japin Vuçiçit, Brnabiçit dhe Daçiçit në fushatën antidemokratike dhe korruptive disa vjeçare për bllokimin e njohjeve të reja dhe anulimin e njohjeve të mëparshme nga disa vende, që i duhen dhe i shërbejnë Beogradit vetëm si numra dhe për propagandë mashtruese… Edhe takimet dhe konsultimet e shpeshta Vuçiç-Putin, më së shumti në Moskë, janë shumë shprehëse për të kundërshtuar Lajçakun dhe Edi Ramën “për mos përzierjen e Rusisë në bisedimet Serbi –Kosovë…”. Kundërshtimi ynë për përfshirjen e Rusisë, Kinës, Indisë, Iranit..., në procesin e bisedimeve Serbi-Kosovë, mund të vazhdojë edhe me një këndvështrim tjetër analize, duke u kapur tek roli negativ, destabilizues, destruktiv, agresiv, sidomos i Rusisë, në Ukrainë, në Poloni, në republikat baltike apo ndaj Finlandës dhe Suedisë, sidomos pas anëtarësimit të tyre në NATO…

Ambicjet për ndikim të shumanshëm të Rusisë janë të ndjeshme e në rritje edhe në të gjithë Ballkanin, kryesisht nëpërmjet Serbisë, historikisht dhe aktualisht me vartësi shumë drejtimeshe nga Moska. Është bërë plotësisht e qartë se nxitur dhe trimëruar nga mbështetja e Rusisë, kryesisht e Vladimir Putinit, me ambicie cari apo perandori, si dhe nga filoserbizmi i disa misionarëve politikë të BE-së e të SHBA-së, sundimtarët e sotëm të Beogradit, e vlerësojnë dhe interpretojnë si amanet dhe mision të tyre aktual dhe historik ëndrrën e varrosur për ta pasur Kosovën me pavarësi të njohur nga rreth 115-116 shtete të tjerë, sa më shpejt përsëri në hartat dhe nën qeverisjen e tyre!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat