Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani e kanë rastin të hyjnë në histori

Opinione

Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani e kanë rastin të hyjnë në histori

Nga: Gjon Keka Më: 7 tetor 2023 Në ora: 23:08
Gjon Keka

Kur pata shkruar kapitullin se si kishte hyrë Gjergj Kastrioti Skënderbeu në histori, në librin tim me tititull “Autoriteti dhe fama e Skënderbeut“, përveç vizionit, urtësisë, Gjergji hyri në histori me anë të veprave dhe jo fjalëve.

Po e nis këtë për ta nënvizuar atë që do të trajtoj shkurt këtu edhe sot, jo vetëm miku im i vjetër Albin Kurti, tani kryeministri ynë dhe Presidentja jonë Vjosa Osmani, por kushdo që do ta kishte pushtetin (dje, sot e nesër), do ta kishte, respektivisht kanë mundësinë për të hyrë në histori.

Hyrja në histori për të mirë, ndodh tepër rrallë, personalitete të shumta që kanë hyrë në histori, zakonisht kanë qenë njerëz të thjeshtë, të veprave dhe fjalës-vepër, por edhe të vizionit, urtësisë dhe qëndrimit që kanë mbajtë për ta ruajtur jo vetëm dinjitetin e tyre, karakterin, por edhe identitetin kombëtar, kombin dhe shtetin e tyre.

Për ta parë se një udhëheqës është futur në rrugën për t'u bërë pjesë e historisë, duhet parë hapat, kontinuitetin konstant dhe mendimet e veprat e tij.

Në këtë rast veprat që e ngrisin dhe ia hapin derën e historisë figurave që duan të lënë gjurmë, janë ato që nisin me kuptimin e kohës në të cilën jetojnë dhe veprojnë, pastaj udheheqjen e kohës, dhe jo të qëndrimit pas kohës, por ata me i pri kohës, vullneti i mirë, më saktësisht për të mirën e përgjithshme, lufta kundër dukurive negative (korrupsionit, krimit, radikalizmit dhe terrorizmit islamik etj) sundimi i paqes, drejtësisë, ligji mbi të gjithë askush mbi ligjin, edukimi, emancipimi, mirëqenja zhvillimi, vizioni për përparimin e vendit etj.

Të gjithë ato personalitete që kanë hyrë në histori, e kanë patur syrin e tyre të qartë, vizionin e qartë, shpirtin e palëkundur, këmbënguljen etj,etj.

Kryministri Kurti dhe Presidentja Osmani e kanë rastin të hyjnë në histori nëse e kapin seriozisht këtë orë të kësaj epoke, të këtij shekulli, dhe duke e shkëputur atë nga gjithçka që mund t'i ngatërrojë ose mashtrojë, ta mbajnë atë në drejtimin e tij dhe ta mbajnë vazhdimisht përpara kombit. Ruajtja e Unitetit dhe e marrëdhënieve miqësore e aleancava me ShBA-në dhe vendet tjera mike aleate europiane.

Për të hyrë në histori duhet me pasë edhe instinktin e qeverisjes më të lartë, ndjenjën e asaj që gjërat janë thelbësore, të rëndësishme, absolutisht të nevojshme për t'u bërë. Dhe për këtë kualifikim të lartë për punën e vënë përpara, fama e së mirës do të rritet në çdo shekull dhe brezat do t'i falënderojnë që ia përgatitën një të ardhme të ndritur dhe evropiane atyre.

Me këtë bindje të fortë dhe mbi të gjitha në mendjen e ndritur e të pastër, pa ideologjizma, në të gjithë mandatin qeverisës që i është dhënë, asnjë vështirësi, sfidë, rrezik, kritikë nga brenda dhe jashtë, kërcënim të armikut, sprovave të ndryshme etj, asgjë nuk duhet të devijojë ose largojë nga qëllimi qendror i mendjes së tyre.

Qëllimi i tyre duhet të jetë të ruajnë Lirinë, Shtetin, Unitetin, Laicitetin dhe udhën e natyrshme evropiane të Kosovës, çfarëdo që do të ndikonte në këtë përfundim, ata nuk duhet ta lejonë të devijojnë apo shkatërrojnë këto qëllime të domosdoshme dhe të drejta. Madje kushdo, secili qytetar që i ka në zemër këto qëllime fisnike duhet të frymëzohet edhe më shumë, kushdo që është kundër këtyre qëllime duhet të ndëshkohet dhe të mos i jepet asnjë hapësirë për ta prishur unitetin, shtetin, laicitetin, lirinë, Kosovën evropiane dhe të natyrshme.

Madje për qëllimet fisnike si këto që nënvizova duhet sakrifikuar të gjitha, sepse liria, shteti, uniteti, laiciteti dhe identiteti apo rruga e evropiane e Kosovës janë qëllime fisnike të kombit tonë arbëror, të shtetit tonë Kosovës, e cila ka patur një kalvar të gjatë vuajtjesh deri sa pa dritën e saj, me ndihmën e miqve dhe aleatëve si ShBA, NATO dhe vendet tjera mike evropiane.

Emancipimi, ngritja e një shteti në dinjitetin e tij, udhën e tij të natyrshme e në këtë rast udhën Evropiane të Kosovës nuk është e lehët, por është një akt i fisnikërisë, është një akt i madh që mund t'i prekë valvulat e historisë së kombit tonë arbëror, dhe frymëmarrjes së tij për ta parë të ardhmen sa më qartë dhe dritën për t'u ngrohur natyrshëm brenda familjes së përbashkët evropiane.

P.sh. presidenti vizionar dhe i urtë dr.Ibrahim Rugova hyri në histori sepse nuk gaboi në orët konfuze të epokës dhe shekullit të tij historik. Por u bë ideator i ngritjes së vetëdijes së popullit për liri, demokraci dhe pavarësi. Më saktësisht u bë ideator i Kosovës së pavarur dhe në miqësi të përhershme më ShBA-në dhe miqtë tjerë evropianë. Kohës dhe lëvizjes që i priu presidenti Rugova nuk ishin të lehta, por ai e mbantë shikimin lart, vizionin e kishte të qartë dhe e pa që nga fillimi ditën e lirisë, pavarësisë dhe Kosvën e ardhshme të integruar në BE dhe NATO si dhe në miqësi të përhershme me ShBA.

Pikërisht këtu vijmë te zbatimi i gjithë kësaj çështjeje me emrin dhe natyrën e atyre që duan të hyjnë në histori apo që kanë hyrë në histori. Këto fakte nga historitë hedhin një dritë të bardhë zbulimi mbi karakterin e Presidentit të rezistencës së madhe paqësore, të udhës që ndoqi me urtësi për ta sjellë NATO-n (tani KFOR) në Kosovë si garantuese e paqes dhe lirisë, më saktësisht si shpëtimtare e popullit të tij. Sa e lehtë për më të mençurit të bëjnë edhe gabime të mëdha në atë orë konfuze kur duhet të merreshin vendime të mëdha! Por ai nuk bëri gabime, por vetëm e ndoqi orën dhe i priu kohës, e me këmbëngulje doli në tokën e lirisë së Dardanisë së tij.

Sa e lehtë të nënvlerësosh shenjat e vërteta të kohës dhe të jesh budalla i fatit duke ndjekur joshjet e dinakëve apo budallenjve! Por ai nuk i bëri këto gabime dhe ja hyri në histori përgjithmonë.

Janë orët e tilla të mëdha që testojnë mendjet e njerëzve dhe tregojnë udhëheqësit e vërtetë dhe kokat e urta e mjeshtërore. Ja një shembull i stuhive të anijes dhe timonierit. “Të qëndrosh në kuvertën e lëkundjes kur stuhitë që rriten po gjëmojnë në veshët e dikujt; kur reja kërcënuese sapo rrëshqet valën dhe vala hidhet drejt resë; kur rrëmuja verbuese e shkumës fshihet kundër frymës dhe syri mezi mund të shohë busullën që lëkundet ndërsa anija zhytet mes shkëmbinjve nënujorë të fshehur; kur marinari më i guximshëm kthen shpinën dhe më i sjellshëm është i hutuar, i pasigurt, i shqetësuar ose i tmerruar; të jesh i qetë, të jesh i qartë, të lexosh shenjat e detit pa gjurmë dhe i patrembur nga loja e të gjithë këtyre elementëve të furishme dhe këtyre rreziqeve shpërqendruese, të drejtosh kabinën drejt nëpër kanalet ku shtrihet siguria dhe shpëtimi, - kjo shënon njeriun e krijuar nga vetë Zoti, i thirrur për të qenë timonieri për një orë stuhie, pilot i fateve, i vendosur nga qielli për detyrën e tij.“

Dhe ja kjo është rruga për të hyrë në histori, dhe tani e kanë rastin edhe Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani të hyjnë në histori.

Kosova sot gjendet në sprovën e saj, testin e madh të saj, për ta kaluar këtë duhen koka të guximshme, këmbëngulëse dhe vizionare, sepse sfidat e shekullit duhen parë në syrin e ekuilibrave që po vendosen dhe të ardhmes që po e pret botën në përgjithësi.

Koha që pushtetarët e Kosovës sot të hyjnë në histori dhe ta bëjnë Kosovën pjesë të historisë së një shteti me dinjitet dhe të integruar në NATO dhe BE. Ora dhe koha e humbur sot mund t'i kushtojë nesër tepër shumë vendit tonë dhe gjeneratat do të mbesin më një gur pengese në kurriz, të paemancipuar, të pacivilizuar dhe pa orientuar në udhën e natyrshme evropiane të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat