Pse filloi dje lufta e radhës dhe e përgjakshme mes palestinezëve dhe Izraelit?

Opinione

Pse filloi dje lufta e radhës dhe e përgjakshme mes palestinezëve dhe Izraelit?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 8 tetor 2023 Në ora: 16:16
Rexhep Elezaj

Shkurtë, quhet Hamas, ndërsa në origjinal quhet; “Lëvizja e rezistencës Islame”, e cila është një Lëvizje politike me premisa islame të shkollës sunite, një organizatë e armatosur, e cila me vite i reziston pushtimit izraelit të Palestinës, ndryshe tokës Kenane, e cila ka qenë lidhur ideologjikisht me Vëllazërinë Myslimane në Egjipt, por nga e cila është shkëputur në vitin 2017, duke u kthye në një organizatë të pavarur çlirimtare palestineze.

Hamasi është pjesë e Lëvizjes së Rilindjes Islame, e cila beson, se kjo Rilindje është baza kryesore e qëllimit dhe veprimit të saj, e që është çlirimi i Palestinës nga pushtimi izraelit. Është fraksioni më i madh politik i përfaqësuar në Këshillin Legjislativ Palestinez (Kuvend) pas zgjedhjeve të fundit të mbajtura në vitin 2006.

Pra, Hamasi e përkufizon veten si Lëvizje nacionalçlirimtare sipas parimeve të Islamit të moderuar, dhe, gjithë luftën dhe aktivitetin e saj e bën për kauzën çlirimtare të Palestinës. Punon për të siguruar kushtet e përshtatshme për ta arritur çlirimin e popullit palestinez, si dhe çlirimin e tokave të pushtuara nga Izraeli në vitin 1948 dhe 1967, por edhe për ta çliruar Jerusalemin dhe xhaminë e shenjtë Al-Aksa, vendet e shenjta islame dhe të krishtera, që t'i kthejnë refugjatët palestinezë të zhvendosur nga Palestina, e gjithë kjo si qëllim kryesor për të përmbushur projektin nacional palestinez, për të krijuar shtet të pavarur dhe sovran për popullin palestinez në trojet e tij etnike.

Ky ishte në pika të shkurta programi i HAMAS-it, për realizimin e të cilit përmban edhe luftën si mjet për çlirim, i cili, HAMAS-i, dje befasisht i sulmoi forcat ushtarake të Izraelit në pjesën e pushtuar të Gazës, duke marrë nën kontroll një pjesë të saj prej 40 km në brendi të kësaj zone, e cila me vite dhe dekada gjendet nën pushtimin e Izraelit.

Për të folur për çështjen palestineze dhe konfliktin e armatosur mes Izraelit dhe popullit palestinez, i cili në vitin 1948, kur Palestina u nda në dy pjesë, atë izraelite dhe atë arabe-palestineze, për rrjedhën e ngjarjeve dhe luftërat e përgjakshme midis këtyre dy popujve, për numrin e të vrarëve në të dyja anët, për dhjetëra rezolutat e KS të OKB-së për zgjidhjen e këtij konflikti, etj., kërkohet kohë dhe vend shumë më i gjerë, andaj këtu do ndalemi shkurtë vetëm të disa fakte dhe ngjarje për të cilat, fajin dhe përgjegjësinë kryesore e mbajnë faktorët më relevant ndërkombëtarë, të cilët, pothuajse asnjëherë nuk u angazhuan sinqerisht, ose me qëllim nuk deshën që konfliktin palestinezo-izraelit ta zgjidhin njëherë e mirë, duke i keqpërdorur fatet e këtyre dy popujve si dhe kauzën e tyre të pazgjidhur nacionale, mbase për qëllimet e tyre politiko strategjike që kanë pasur dhe ende kanë në Lindjen e Mesme, qoftë nga ana e shteteve perëndimore, SHBA-të dhe tjerat, qoftë nga ato të Lindjes, Rusia, Irani dhe tjerat !

Pra, konflikti palestinezo-izraelit, i cili po zgjatë qe 75 vite, posikur të dëshironin fuqitë e mëdha botërore, moti do të ishte zgjidhur, dhe, këta dy popuj semit, nuk do të përjetonin kaq shumë luftëra tragjike, kaq shumë humbje njerëzish, kaq shumë vuajtje dhe tragjedi të njëpasnjëshme, sepse duke e njohur shtetin e pavarur të Palestinës, sikur që e njohën shtetin e pavarur të Izraelit, sipas rezolutës së KS të OKB-së numër 181, e nxjerr me 29 nëntor 1947 për ndarjen e Palestinës mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilët i tradhtuan, pra Palestinezët, por edhe për fajin e madh të shteteve arabe, kaherë do të ishin ndërprerë luftërat dhe konfliktet ushtarake mes këtyre dy popujve, të cilët që nga koha e profetit Musa (Moisiu) dhe Abrahamit (Ibrahimit), kanë jetuar së bashku dhe në fqinjësi të mirë me njëri tjetrin.

Prandaj, konflikti i pazgjidhur palestinezo-izraelit për 75 vite rresht, luftërat e përgjakshme midis tyre për territore, si dhe për pavarësi të palestinezëve në anën tjewtër, pa asnjë dyshim, se ka prodhuar armiqësi, vrasje, sulme dhe luftëra të shumta, siç është edhe kjo e cila filloi dje, kur dihet fakti, se populli palestinez, si çdo popull tjetër në botë, e ka të drejtën për vetëvendosje sipas Kartës së OKB-së që ta ketë shtetin e vetë të pavarur, lirinë dhe mëvetësinë nacionale dhe kombëtare.

jam i sigurt, se njohja e pavarësisë së shtetit palestinez me një rezolutë të re të KS të OKB-së, për aq sa është urgjente, është dhe e domosdoshme, që njëherë e përgjithmonë t'i jepet fund luftërave dhe tragjedive mes këtyre dy popujve fqinj, të cilët kanë një histori të përbashkët gjatë gjithë shekujve të kaluar, sepse vazhdimi i luftërave midis tyre, është gjëja më absurde për njerëzimin në fillim të shekullit 21.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat