Çfarë do të kishte ndodhur nëse më 24 shtator në krye të shtetit nuk do të ishin Kurti, Osmani, Gërvalla e Konjufca

Opinione

Çfarë do të kishte ndodhur nëse më 24 shtator në krye të shtetit nuk do të ishin Kurti, Osmani, Gërvalla e Konjufca

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 8 tetor 2023 Në ora: 18:53
Vjosa Osmani, Albin Kurti, Donika Gërvalla dhe Glauk Konjufca

Thonë se koha sjell në skenë liderët! Por ka edhe liderë që e bëjnë vet kohën. Ajo që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveqanit është një ngjarje që shënon kohë. Dhe në këtë kontekst do të doja të hulumtoja se cili është raporti midis kohës që ndodh një ose disa ngjarje dhe liderit që shfaqet në ato lëvizje?! Historia jonë është në shumicën e rasteve trishtuese në këtë aspekt. Shqiptarët, edhe ata të Kosovës pas Konferencës së Bujanit, u mobilizuan në luftën çlirimtare kundër nazi-fashistëve me besimin se lidershipi që i udhëhiqte do ta justifikonte kontributin dhe sakrificën e bashkëkombasve të tyre. Por, pësuan ndoshta zhgënjimin më të madh në histori. Në vend të “lugës së floririt” morën tollonat e persekutimin, ndarjen e dhunën çnjerëzore. Në të dy anët e kufirit! Në fund të viteve 1990 shqiptarët besuan se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte një lidership besnik, të ndershëm dhe që do ta bënte pas çlirimit shtetin e Kosovës model në mesin e shteteve të Europës.Por u zhgënjyen dhe në vend të modelit pozitiv përjetuan dramën e madhe të sjelljes së tyre me shtetin e shoqërinë. Ndërsa sot në drejtimin e Kosovës është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me ndihmës të afërt Galuk Konufca dhe Donika Gërvalla. Këta menaxhuan shumë situata, më kryesoren e më të fundit atë më 24 shtator!

Një situatë të frikshme, por që u shndërrua 100 për qind në favor të Kosovës dhe interesave kombëtare të saj. Policia arriti që e vetme të paralizojë grupin e sofistikuar terrorist serb, të mbështetur me logjistikë nga strukturat shtetërore të Beogradit e madje edhe me ndihmë nga Kisha Ortodokse.Rasti që përmend më ka shtyrë disa herë të mendoj:

- Çfarë do të kishte ndodhur nëse në krye të shtetit nuk do të ishte ky lidership?!

Sikur të ishte një tjetër lidership, si ai i mëparshmi?! Si do ta kishte menaxhuar, ta zëmë, ish- presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe klani i tij në pushtet?! Situata të tilla ka kaluar Kosova në veri të saj edhe kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës. Por ne e dimë se si ato kanë përfunduar. Pas ngjarjes që ndodhi p.sh me “arrestimin” e Marko Gjuriq, ne pamë një lloj spektakli gati të rekorduar midis presidentit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Këtë përfundim e kam përforcuar sidomos kur pamë se si ish-presidenti Thaçi iu shit shqiptarëve me atë që quhej “patrullim” në Liqenin e Ujmanit me skafin e Radojeçiç?! Koha nuk e ndryshon askënd, por koha zbulon çdo njeri se cili është ai në realitet!

Koha e luftës për liri i nxori Thaçin e disa bashkëpunëtorë të tij në skenën e ngjarjeve të saj. Por ajo kohë nuk i ndryshoi ata. Jam revoltuar shumë kur në vitet 2006-2008 lexoja gazetat gjermane të arkivuara nga koha e luftës në Kosovë dhe shihja akuzat që ato i bënin Hashim Thaçit si "trafikant". Nuk doja ta pranoja këtë gjë për kryeministrin e Kosovës dhe udhëheqësin e luftës. Por sjellja e tij në krye të ekzekutivit dhe shtetit të Kosovës, makinacionet dhe qëndrimet pro-serbe deri te ideja e ndarjes së Kosovës, më ndryshuan mendimin. Përfundimisht sot besoj se paraardhësit e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, për shkak të lidhjeve që krijuan me Beogradin dhe korrupsionit të madh të tyre, nuk do ta kishin menaxhuar në përputhje me interesat e Kosovës situatën e 24 shtatorit. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, autoritetet policore e të sigurisë e mundësuan asgjësimin e grupit terrorist të armatosur me armë moderne e të kalibrave të ndryshëm, sepse ata nuk janë peng i politikës së Beogradit. Të qenit ose jo peng i armikut, në këtë rast te Serbia dhe Beogradi, përcakton edhe kohën e liderit. Lidershipi i kohëve të vështira nuk mund të shquhet, nëse ai merret ose mbahet peng i kundërshtar[ëve të tij e të vendit që drejton.

Kurti dhe Osmani, jo vetëm iu përgjigjën ngjarjeve të kohës, por po bëjnë edhe vetë kohën. Atëherë kur lidershpi bën vetë kohën, bën njëkohësisht edhe historinë! Kjo është tashmë e njohur! Por këtë fakt duhet ta mësojë sidomos opozita e Kosovës. Dhe me qëllim që të reflektojë e të mësojë opozita do të duhet të distancohet nga koha e të marrit peng e Hashim Thaçit! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat