‘Toka e Askujt’ dhe Akademia e askujt

Opinione

‘Toka e Askujt’ dhe Akademia e askujt

Luçiano Boçi Nga Luçiano Boçi Më 9 tetor 2023 Në ora: 09:37
Skender Gjinushi dhe Edi Rama

Deklarata e Ramës për Veriun e Kosovës si “tokë e askujt” ka nxitur qëndrimet nga më të fortat politike, këndej dhe andej kufirit.

Dimensioni skandaloz dhe efekti i tmerrshëm politik që prodhon kjo deklaratë është i madh.

Axhenda pro serbe e Ramës në dëm të interesave të Kosovës dhe çështjes kombëtare nga folklorizmi i përzier me operistikë moderne “O sole mio” e pas tentativave të dëshpëruara politike, kaloi në përcaktime gjeografike territoresh.

Gjatë gjithë kësaj kohe që mbahet ky qëndrim kryeministror i turpshëm, i vetmi institucion që ka heshtur, është ai që duhet t’i mbyllte gojën çdo tentative shoviniste serbe dhe çdo pëllitje anti-Kosovë. Akadamia jonë e famshme e Shkencave.

Angazhimi i saj duhet të ishte i plotë, deklarativ, por dhe i shoqëruar me gjetjet e historianëve dhe të albanologëve të tjerë ndër vite.

Kjo me qëllim që politika dyshuese ndërkombëtare dhe injoranca e qëllimtë kryeministrore të informohej akoma më drejtë me dije solide për territoret shqiptare, padrejtësitë historike dhe vlerën reale të qenurit të tyrë në administrimin politik e juridik kosovar.

Në Kosovë nuk ka tokë të askujt por toka shqiptare, madje të copëtuara e të rrudhura në shekuj për shkak dhe traktateve të padrejta ndaj tyre.

Ndërkohë simotra e saj serbe e strukturuar madje me një profil të spikatur agresiv antishqiptar, prodhon falsifikime historike, etnologjike e folklorike pa fund.

Në fund të fundit çdo akademi e ka në thelbin e saj kombëtarizmin të cilin e mbron dhe e parashtron me argumenta të fortë shkencorë.

Por Gjinushi as nuk do dhe as nuk di. Sikurse vetëm di të bëjë rolin e çirakut politik, duke pranuar deklaratat idiote të një njeriu që për pushtet shet jo vetëm akademinë, por dhe territore kombëtare.

Dhe këtu asgjë nuk është e rastit.

Rama dhe Gjinushi kanë punuar me vite për të marrë heshtjen e sotme të faktorit shkencor për qëndrimet e tij.

Shkrirja e Akademisë Albanalogjike në kulmin e debatit për Kosovën nuk ishte rastësi. Projekti i këtillë ishte i hershëm që në 2013, por nuk u realizua,  jo vetëm për shkak të kundërshtisë akademike, por dhe sepse nuk kishte arritur momenti sipas projektit të Ramës.

Momenti ishte pikërisht ky. Shkenca duhet të heshtë që “shkencëtari” injorant të vendosë lapustilin e tij në hartën e kombit e të dhurojë një “investim strategjik” me territore nga Kosova kësaj here jo nga Jugu, për pushtetin e tij politik.

Prandaj Gjinushit iu zgjat mandati në mënyrë absurde dhe prandaj Akademia e Albanalogjisë u tret brenda paaftësisë së “Sashës”.

Sashës alias Gjinushit, ky rol i është ngarkuar.

Me anë të favorit ndaj tij Rama, krahas grabitjes së pasurisë ndërtimore që disponon Akademia e Albanalogjisë, synoi e synon dhe fitimin e heshtjes për grabitjen e shekullit, në favor të partnerit të tij serb, të pasurisë së  quajtur tokë e askujt e cila përfshin dy gjigandë ekonomikë: Trepçen e Ujmanin.

Goditja ndaj Albanalogjisë ishte e përllogaritur mirë për sot dhe për nesër.

Dimensioni antikombëtar i shkrirjes së saj sot është i prekshëm.

Studimet e dikurshme të famshme historike e albanalogjike po humbin në pluhurin e deklaratave politike dhe Akademia e Shkencave tashmë është shndërruar poshtërsisht qëllimshëm në Akademi të askujt.

E kjo Akademi që duhet të ishte gardiania shkencore e kombëtarizmit ka ulur kokën dhe pranon në heshtje pretendimet serbomadhe dhe deklaratat e Pashqit Kryeministër të Shqipërisë.

E megjithatë me Ramë pa Ramë, me Sashë e pa Gjinush, Kosova bashkë me veriun e saj është Shqipëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat