Opozita

Opinione

Opozita

Nga: Ilir Levonja Më: 11 tetor 2023 Në ora: 16:47
Ilir Levonja

Studentët e mjeksisë kanë që në qershor që protestojnë, arsyeja, një ligj absurd me preteksin se po ndalon ikjen e mjekve nga vendi. E ndaluan protestën e tyre gjatë muajve të verës, por e rinisën me fillimin e vitit të ri shkollor. Ndryshe nga opozita, e cila premton protesta, studentët e mjeksisë e mbajtën fjalën. U rikthyen në auditor dhe dolën në rrugë. Nuk po i futem ligjit pasi është absurd social të cilin makineria propagandistike e Ramës po përpiqet ta manipuloj me të gjithë arsenalin motorik nëpër studiot televizive etj., duke e krahasuar me shërbimin ushtarak, detyrimin sublim karshi vendit. Nga ana tjetër sjell në vëmendje bursën apo ato kuota mjerane prej njëqind mijë lekësh që i marrin si gjithmonë pas gjashtë muajve ose nuk i marrin fare. Shkolla është një disiplinë ku ka një rrugëtim akademik, kurërozimin me diplomë dhe aq. Jemi në demokraci dhe të drejtat e njeriut janë të shenjta, të pacënueshme. A do t'i mbash studentët aty, mbaji por gjej metoda të tjera, jo mos dhënien e diplomës etj. Ata sot po marshojnë duke dëshmuar një fuqi të brishtë por fisnike. Megjithëse të braktisur nga një bumerang social që ankohet për qeverisje të keqe. Kurrë nuk ka pasur Shqipëria opozitë më të madhe sociale, se sa këto vitet të qeverisjes së Ramës, por ajo është e gjitha kashtë dhe koqe. Opozitë e Berishës, opozitë e Metës, opozitë e Bashës, opozitë e Llapajt, opozitë e Qorrit, opozitë e Shabanit, opozitë e Goxhajt, opozitë e Belerit. Opozitë brenda burgjeve dhe opozita e të arratisurve si Ahmetaj. Ankohet bujku, por nuk del në protestë. Taksa të larta për tokën, nuk shitet prodhimi, nuk subvencionohet nafta, por nuk del në protestë. Ankohet transportet, ankohet kamarierët, ata që shesin, ata që blejnë, por askush nuk ngrihet.

Opozita kashtë e koqe, me kostume firmato, plot xhel mbeti vetëm duke bërë deklarata. Madje do dalim në protestë, ose u bëjmë thirrje të dilni në protestë etj. Nuk ka opozitarizëm me kërcitje takash studio. Se kush ia futi kujt dhe kush është legeni. Nuk ka për të pasur asnjëherë. Opozita është fytyrë e shoqërisë, e atyre që ecin rrëmujë rrugëve të qyteteve, atyre që gjakosen, shtyhen, pështyhen, diskretitohen. Bashkojuni studentëve në rrugë, jo studiove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat