Albin Kurti erdhi si SHQIPTAR për Shqipëri-Çeki dhe nuk meriton të kritikohet për këtë “gabim”!

Opinione

Albin Kurti erdhi si SHQIPTAR për Shqipëri-Çeki dhe nuk meriton të kritikohet për këtë “gabim”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 13 tetor 2023 Në ora: 12:25
Autori Xhevat Mustafa

Në rrjete sociale, kryesisht në facebook, disa shqiptarë në Kosovë, që duket qartësisht se janë politikisht kundërshtarë të hapur apo të fshehtë të kryeministrit Albin Kurti, e kritikuan dhe vazhdojnë ta kritikojnë pse erdhi mbrëmë në Tiranë për të parë në stadium e jo larg Edi Ramës si karrike, ndeshjen vendimtare apo derbi Shqipëri- Çeki, në kuadër të kualifikimit për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të Futbollit, që do të zhvillohet në Gjermani, vitin e ardhshëm!

Pakënaqësia apo inati i tyre kanë si sebep, shkak apo "arsye", duke u shprehur më mënyrë figurative, “fijen e barit” pse Albin Kurti nuk shkoi në Andora, ku luante po mbrëmë, më dt.12 tetor 2023, ekipi përfaqësues i Kosovës!? Kuptohet, askujt nuk u ndalohet opozitarizmi partiak dhe qytetar i logjikshëm, bindës, konstruktiv, emancipues si dhe kritika qytetare e drejtë, e sinqertë, e argumentuar dhe e përjetueshme! Por, nuk është e drejtë, konstruktive, bindëse, në dobi të shqiptarizmit apo KOMBIT, të kritikohet dhe sulmohet Albin Kurti edhe për këtë veprim prej SHQIPTARI dhe qytetari të lirë vetëm pse nuk e do njeri apo tjetri, nga të dy gjinitë, politikisht, individualisht, për nga pozicionimi apo flamuri partiak si dhe për nga interesa ngushtësisht individuale, grupore, klanore...?!

Parë nga disa drejtime dhe me logjikë të ftohtë e të paanshme: nuk ishin njësoj të dyja ndeshjet për nga rëndësia për kualifikim...! Na vjen keq të gjithëve që ndjehemi SHQIPTARË që Kosova nuk ka asnjë shpresë për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian në Gjermani, më 2024! Po kështu duhet dhe na lumturon të gjithëve që ndjehemi me zemra SHQIPTARË, që Shqipëria ishte dhe është e para në klasifikimin e grupit të saj, me siguri rreth 99.99% për ta ruajtur këtë vend e për të shkuar të luaj në Gjermani! Për më tepër, mbrëmë Kosova luajti në Andorë, me një ekip fare të lehtë e të fundit në grupin e saj!

Ndërsa Shqipëria luajti në Tiranë, me një ekip me një histori të pasur futbollistike, edhe në kampionate botërore dhe evropiane!? Ndeshja e Andorës ishte sa për rradhë e formalitet, thjeshtë për klasifikim apo se cila skuadër do të mbetet e fundit dhe e parafundit. Ndërsa ndeshja e ekipeve kombëtare Shqipëri- Çeki ishte vendimtare për të dyja skuadrat apo derbi kontinental...! Edhe për më shumë: prania në stadiumin Air Albania të Tiranës e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte e justifikueshme, e nevojshme, emocion-mbartëse e përcjellëse edhe për faktin se në ekipin kombëtar të Shqipërisë bëjnë pjesë disa lojtarë nga KOSOVA!

Nuk mund të përjashtohet kategorikisht edhe mundësia, që jo pak nga këta që e kritikojnë dhe e sulmojnë Albin Kurti me “inat opozitari” apo “inat shqiptari”, nëse ai do të kishte shkuar në Andora, ta kritikonin për “shpenzime tifozi në dëm të buxhetit të shtetit të të varfër të Kosovës”!? Pra, miq e mikesha, vëllezër e motra në Kosovë: mos i bini më qafë Albin Kurtit për një veprim, me të cilin ka vepruar drejtë e nuk ka bërë asnjë gabim! Kritikojeni me zemër, shpirt, mendje..., si QYTETARË dhe si SHQIPTARË për gabime të tjerë kryeministror apo qeveritarë, por jo për "gabimin" e mbrëmshëm! Bëftë përherë "gabime" fat dhe gëzim-sjellës, si ai i natës historike e të paharrueshme 12 tetor 2023!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat