Pse po e tmerron Edi Ramën, Albin Kurti?!

Opinione

Pse po e tmerron Edi Ramën, Albin Kurti?!

Gjergj Zefi Nga Gjergj Zefi Më 13 tetor 2023 Në ora: 14:17
Albin Kurti

Edhe në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë do të duhej të mbante një qëndrim për Kosovën, e veçanërisht për aktin terrorist të Banjskës, Edi Rama e shfrytëzoi për të sulmuar Albin Kurtin.

Me një fjalim të tipit Fidel Kastro, siç di vetëm ai, e që zgjati gati dy orë, Rama edhe pse tha se ka vetëm ndarje botëkuptimore me kryeministrin e Kosovës, e sulmoi atë në më shumë se në një front.

E sulmoi për marrëdhëniet me Perëndimin, për dialogun me Serbinë, e akuzoi se i ka ndërsyer mbështetësit e tij, por mbi të gjitha shpalosi një akuzë të qartë ndaj Kurtit.

E akuzoi se nuk po mbështet komandantët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, të cilëve u bëri një apologji politike, duke e rreshtuar veten në një front me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Hajredinajn, kundër Albinit.

Po çfarë i duhet kjo betejë Edi Ramës?

Ai është në mandatin e tij të tretë, e siç thotë vetë i ka fituar betejat e tij politike, si këtu, por edhe i ka përmbushur ambicjet e tij për atë çfarë i ka dhënë pushteti.

Në kushte krejt normale, Edi Ramës, jo vetëm që nuk i leverdis, por edhe nuk ka çfarë fiton nga një përplasje me Albin Kurtin, duke e ditur, së paku, se është më popullor se ai në hapësirën mbarë shqiptare.

Në realitet duket kështu, por në optikën e Edi Ramës, Albini po kthehet gjithnjë e më shumë, jo thjesht një dhimbje koke, por një makth i ri politik.

Nëse opozita e shkërmoqur shqiptare nuk po gjen një front apo kauzë për të dëmtuar kreun e mazhorancës, dëmi real po i vjen pikërisht nga qëndrimet ndaj Kosovës, të cilat janë ‘gjellë’ për të helmuar Albin Kurtin.

I cili, duket e ka marrë sfidën dhe po e sulmon Edi Ramën në mënyrë të rrufeshme, por edhe aty ku ai vetë nuk e pret.

Deklaratat e Ditmir Bushatit dhe Sandër Lleshajt, se Tirana duhet ta shohë situatën me syrin e Kosovës, janë dëshmi, që kriza po i vjen nga brenda, e një revoltë në mazhorancë nuk është gjë e vogël.

Ajo është një shkëndijë që mund të ndezë një zjarr të madh në barin e thatë e të palosur të socialistëve, të cilët tashmë janë kthyer në silazh politik.

Nga ana tjetër, ky material është një lëndë djegëse perfekte për të bërë shkrumb një parti të tharë nga çdo lloj ideje apo nisme politike, përveçse e kthyer në një makineri inteligjence artificiale, ku çdo buton e lëviz Edi Rama.

Ndërkaq, kauza që Albin Kurti përfaqëson është peshë e rëndë, është kryetemë, që jo thjesht mund ta dëmtojë Edi Ramën, por mund t’i vendosë një njollë të errët, që të çojë për dreq gjithçka ka arritur deri tani. Ndaj është shumë i frikësuar, e po përdor opozitën e Kosovës për ta pasur si “këmbësori” të sulmit të tij frontal.

Por ajo që e tmerron më shumë janë armët e fshehta të Albin Kurtit, që siç ndodhi me Ditmir Bushatin e Sandër Lleshajn, mund të ketë të tjera mina që mund të shpërthejnë kohë pas kohe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat