Edi Rama "ligjëron bukur" në samite, por ta mbush “trastën me gurë” e jo me “simite”!

Opinione

Edi Rama "ligjëron bukur" në samite, por ta mbush “trastën me gurë” e jo me “simite”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 17 tetor 2023 Në ora: 08:24
Xhevat Mustafa

Shumë enveristo-edramisto-thaçistë...në Shqipëri, Kosovë, diasporë...nuk e kanë fshehur asnjëherë, as më 16 tetor 2023, se janë “lumturuar” apo  “fluturojnë nga lumturia” nga “fjalimet e bukur”, me doza të larta patriotizmi fjalaresk apo demagogjik, të Edi Ramës. Këtë talent ai e ka reklamuar në takimet mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës; në takimet në kuadër të të ndjerëve “MiniShengeni ballkanik” apo “Ballkani i hapur”; në punimet e Asamblesë së KiE-së, në Strasburg, më 12 tetor 2022; në punimet e Këshillit të Sigurimit të OKB- së në javën e tretë të shtatorit 2023...

Këtë ai e ka shprehur edhe nëpërmjet teksteve në rrjete sociale apo nëpërmjet emisionit të tij apo podcast-in personal, në të cilin krahas basketbollistit, piktorit, pedagogut, kryetarit partiak dhe qeveritar, e reklamon veten edhe si drejtues të një emisioni njohës dhe debutues...

Ky talent i Edi Ramës nuk i lejon apo i pengon shumicën e qytetarëve të kujtojnë një traditë të moçme. Fjala është për faktin se shumica e politikanëve, qeveritarëve dhe pushtetarëve të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe në vende të tjera në botë, kanë si dhunti të lindur apo të përsosur gjatë karrierës në politikë dhe qeverisje, aftësinë për të sajuar apo mbajtur fjalime të bukura. Më shqip, troç apo popullorçe, këto fjalime apo hartime, Edi Rama me shoqe e shokë, i shfrytëzojnë edhe si mundësi për t’u futur turmave, që i dëgjojnë gojëhapur e mendjetrullosur, në tru doza të reja e të forta drogërash partiake e politike, “shkelma të rinj” pas prapanicave për të ikur sa më shumë shqiptarë në Gjermani e Angli, apo gurë në trasta e në kuleta, deri sa t’u nxihet edhe më shumë Shqipëria dhe jeta...!                 

Në politikë, qeverisje, ekonomi, kuletë, shtëpi, sofër, tavolinë ngrënieje..., dobitë e të mirat shikohen, preken, përjetohen...jo nga premtimet, deklarimet, fjalimet e bukura apo marramendëse si nga gotat e rakisë apo dozave të drograve,  por nga ato vlera konkrete, të dukshme, të llogaritshme, që ta bëjnë shtëpinë, jetën dhe vendin, të sotmen dhe të ardhmen më të mirë e më të sigurt në shumicën  e drejtimeve.                                                                                                                                                            

Por Shqipëria, ashtu si në kohën e “fjalimeve të bukura të Enverit” dhe të 10 viteve të Edi Ramës, prej 78 vjetësh,  mbetet po aty ku ishte më 29 nëntor 1944, në një nga vendet e fundit në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mbështetjes sociale, mirëqenies, shtetit ligjor e funksional, integrimit në BE dhe e para për plot të këqija, sidomos për korrupsion, emigracion, kriminalitet, varfëri... Edhe më 16 tetor 2023,  Edi Rama bëri zanatin apo punën e vjetër, mbajti një "fjalim të bukur" apo shpërndau deklarata me doza të larta shqiptarie për Shqipërinë dhe Kosovën. Nëse Edi Rama e do me shpirt e zemër Kosovën, siç përgjërohet në "fjalime të bukura", këtë mund ta shprehte duke mos vendosur apo duke hequr trarët dhe taksën në "Rrugën e Kombit" e jo "të asgjëkundit", siç e ka cilësuar ai në një "fjalim të hershëm të bukur", në Kalimash, ku i merr çdo veture të Kosovës 10 euro për vajtje- kthim e çdo mauneje nga rreth 40-50 euro... “Aksionet” e shqiptarizmit të tij  u zhvleftësuan ndjeshëm sidomos me shprehjen e tij të papërgjegjshme dhe masivisht revoltuese në Kosovë, Shqipëri, MV, Malin e Zi dhe në diasporën shqiptare, që i cilëson trojet shqiptare në Mitrovicën e Veriut, duke lënë të nënkuptueshme edhe të të gjithë Kosovës, si “tokë e askujt”. Këtë proces diskretitimi apo “vetëvrasjeje patriotike” ai e ka shprehur vazhdimisht edhe me qëndrimet e ftohta ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani!?

Pas alergjisë personale ndaj tyre ai ka fshehur me gjethe fiqsh apo kanabizi edhe qëndrimet kundërvënëse ndaj politikave të tyre qeveritare dhe shtetërore, deri në lënien e përshtypjes për qëndrim favorizues dhe mbështetës ndaj Aleksandar Vuçiçit dhe Serbisë së tij!? Mund të mendohet se Rama është viktimë e ndërgjegjshme edhe e dëshirës së marrë dhe ambicjes së pafre për t’u vetëreklamuar apo afirmuar si lider global, jo lokalist dhe jo ngushtësisht nacionalist...Edhe në fjalën dhe deklarimet e tjera të tij në Samitin në kuadër të Procesit të Berlinit, më 16 tetor 2023 në Tiranë, Edi Rama foli mirë e bukur, për nga efekti i jashtëm, por edhe duke dhënë e lënë përshtypjen se dëshironte të dukej më shumë si lider i moderuar evropian e përtej kontinental, domethënë deri në global!? Këtë e shprehu edhe në kërkesat gërshetuar me kritika për volumin e mbështetjes financiare nga BE, shumëfish më të lartë për vendet anëtare se sa për ato kandidate, duke “harruar” se shumica e qindra milionave që ka dhënë BE në këta 10 vjet kanë pasuruar vetëm ministrat dhe ministreshat dhe drejtues të tjerë të lartë në piramidën e tij partiake dhe qeveritare.

Mund të mendohet se një formë artistike apo piktoreske qortimi dhe kritike nga Edi Rama në adresë të BE-së, edhe në mes të Tiranës dhe sy më sy, është edhe ekspozimi në sallën e pritjes së Kryeministrisë, ku u futën me radhë  liderët e vendeve të BE-së e jo vetëm ata, i telajos me bojëra vaji nga Gian Domenico Cerrini(1609-1681), të titulluar prej tij “Përdhunimi i Europës”! (Rape of Europa). Por, ndoshta nga mbingarkesa me tensionet dhe emocionet e organizatorit dhe mikpritësit, Edi Rama “ka harruar” se Enver Hoxha, që ai e ka nderuar, duke organizuar këtë samit pikërisht më 16 shtator e në piramidën e tij, është jo vetëm një nga përdhunuesit dhe masakruesit më të mëdhenj e më të tërbuar të Shqipërisë dhe krejt Evropës!? Për shumë njerëz, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, organizimi i këtij samiti në ditën e 115 vjetorit të lindjes dhe në piramidën e diktatorit Enver Hoxha, jep shkas dhe arsye të mendohet apo dyshohet se me këto përputhje, vështirë të pranueshme si krejt të rastësishme, ai mund të fshehë të paktën tre qëllime.

I pari, t’u përcjellë kundërshtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë të “kufomave të lindura të vdekura” me emërtimet “Minishengeni ballkanik” dhe “Ballkani i hapur” se as ai e as Vuçiçi nuk kanë hequr dorë nga sajesa e tyre! Së dyti, se ai si Edi Rama, ka aq rol apo mbështetje në BE deri aty sa të imponojë mbajtjen e këtij samiti në Tiranë në përvjetorin e 115 të lindjes dhe në piramidën e diktatorit Enver Hoxha. I treti, t’i bëjë me këtë samit një homazh ndërkombëtar idhullit të tij, si dhe t’u përcjellë enveristëve të moçëm e të rinj, edramistëve, patronazhistëve, inceneratoristëve, kanabizistëve, kullaistëve..., mesazhin se enverizmi është gjallë e në pushtet në Shqipëri, edhe më 16 tetor 2023, edhe për shumë vjet të tjerë, sa të kenë në duar të gjitha pushtetet! Por, edhe sa të kenë pas vetes si kope “popullin e majtë”, që edhe pas 78 vitesh nuk heq dorë nga partia e zemrës, edhe pse ajo i ka nxirë shumicës së shqiptarëve jetën dhe Shqipërinë.

Por, edhe sa të ketë opozitën e shkatërruar, që si e “droguar” prej tij,  ka harruar misionin dhe rolin e saj dhe lufton më shumë me vetveten për selira, vula, frone kryetari, sekretari të përgjithshëm, për mandate deputeti dhe anëtarësh nëpër komisionet parlamentare!?  Ashtu si Enveri, edhe Edi Rama, edhe në Samitin  e ri të Procesit të Berlinit, aktroi të me fjalë të bukura të përgjëruarin për Shqipërinë dhe shqiptarët, për Kosovën dhe Kombin, për BE-në dhe krejt Evropën, bile edhe më gjerë, për krejt globin! Ndërsa me veprime, kanë rreth 79 vjet që u ngulin pabesisht dhe pashpirtësisht thika pas shpine, duke e bërë dhe lënë apo duke e katandisur Shqipërinë për nga shumica e drejtimeve, në mënyrë figurative, ndoshta,  edhe më keq, sikur të qeverisej nga guvernatorë a mëkëmbësa mbretërish emëruar nga Beogradi dhe Athina!!!???                        

Pa vënë në diskutim apo pa mohuar efektet pozitive të këtij samiti dhe përfitimet e ndihmave të reja financiare në qindra milionë euro nga BE, qenia e Shqipërisë shumë larg standardeve të kërkuara nga BE, nuk lejon nivel të lartë optimizmi. Kjo u shpreh edhe në ndryshimin në mendime për afatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE mes Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Lein dhe Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel! Ndërsa Michel, me dozë të lartë euforie dhe optimizmi ka parashikuar vitin 2030, Ursula Von der Lein deklaroi edhe në Tiranë, më 16 tetor 2023, në konferencën e shtypit, se nuk beson në këtë vit! Sipas deklaratës së saj, ndoshta do të duhet të kalojnë vite të tjerë, deri sa të arrihet përmbushja e standardeve nga vendet kandidate, pra edhe nga Shqipëria...!                                                    

Për t’u bindur edhe më shumë për hipokrizinë dhe kotësinë e fjalimeve të bukura apo droguese të Edi Ramës, na ndihmojnë edhe disa fakte fare të freskët. Prej muajit gusht e në vazhdim detyrimet e familjeve në Tiranë për taksën e ndërtesës, që paguhet nëpërmjet faturave të ujit, janë shtrenjtuar deri 76% krahasuar me korrikun 2023. Rritja e detyrimeve erdhi pas hyrjes në fuqi në fund të muajit Korrik të vendimit të Ministrisë së Financave për shtrenjtimin e çmimeve të referencës së apartamenteve. Thuajse në një kohë me këtë taksë Edi Rama shpërndau sihariqin e rritjes së pensioneve në rreth 8.6%. Por, disa ditë para 1 tetorit filloi nëpër tregjet e tre niveleve rritja e pafre e çmimeve të shumicës së artikujve të ushqimit të konsumit të përditshëm apo siç ka mbetur qysh nga koha e Enverit dhe Ramizit, “e artikujve të shportës”!? Çdo konsumator në qytete dhe fshatra e shikon këtë të vërtetë shqetësuese dhe jetëvarfëruese në çdo ditë dhe orë, kur futet dhe del nga supermarketet, minimarketet dhe tregjet e hapur nëpër anë rrugësh, rrugicash, trotuaresh apo sheshe të posaçëm... Duke iu referuar kësaj dukurie, prej shumë vitesh të zakonshme apo “tradicionale”, shumë nga pensionistët kanë arsye t’i drejtohen kryeministrit Edi Rama, me shprehjen: ”Ah, more Edi Rama, ç'na bone, pse na i rrite ato të shkreta apo xhuxh-pensione?!”                                                                                                                                                                                                         

Populli ka një shprehje sa të thjeshtë, aq edhe filozofike: "fjalët e bukura i merr era"! Pra, shumë më tepër se nga fjalët e deklarimeve e të premtimeve dhe nga shifrat e tejfryra nëpër konferenca, mitingje elektorale, kongrese, samite, rrjete sociale,  Rama-parti- qeverinë duhet të gjykojmë për nga të mirat, dobitë, veprat, "frutat"...që na mbeten apo hyjnë në shtëpi nga dera, në kuleta, në tavolinat e ngrënies, në rafte ushqimesh e frigorifera...! Dhe për nga distanca mes fjalëve dhe veprimeve, mes premtimeve dhe realizimeve, mes sukseseve të trilluar dhe veprave, Edi Rama është larg sa Surreli nga Brukseli! Duke e mbyllur me titullin: Edi Rama ligjëron bukur nëpër tribuna, konferenca, samite, por, ngjashëm si Enveri, t’i mbush xhepat, kuletat, trastat..., me “gurë”, “kanabiz”, “plehra”, “gëzhoja”... e jo me “simite”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat