Vuçiqi falënderon Ramën për qëndrimin e tij në Samitin e EU në Tiranë

Opinione

Vuçiqi falënderon Ramën për qëndrimin e tij në Samitin e EU në Tiranë

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 18 tetor 2023 Në ora: 20:02
Vuqiq dhe Rama

Zoti Rama, ju kam falënderuar shumë herë, por falënderimi i sotëm duhet të jetë diçka i posaçëm.

Ju para personaliteteve dhe burrështetasve më të larta të EU, treguat dinjitet dhe shkëlqyet. Me këtë rast ju i mbrojtët qëndrimet humanitare dhe njerëzore, duke e rrëfyer vetëm të vërtetën ashtu siç është dhe siç e shohim ne dy.

Evropa ka nevojë për ju dhe burrat si ju të cilët kanë një parim dhe nuk lakojnë as majtas, as djathtas.

Qëndrimet e mia për Kurtin, tash po bindem se nuk i kam shpikur, apo trilluar. Tash kur edhe ju këto i vërtetuat, nuk ka dyshim se të gjithë të pranishmit e Samitit duhet të binden se ne 100 për qind kishim të drejtë.

U gëzova që ua the në sy se Veriu po e pret Asociacionin. Po pret që njësia speciale së bashku me policinë të tërhiqen nga veriu. Po pret që të organizohen zgjedhjet e lira dhe po pret që popullata serbe të merr garancione se askush të mos ketë guximin që në të ardhmen t´i shqetësoi. Gjithashtu presim që Lista Serbe të jetë formacioni politik kryesor për veriun.

Ju të gjitha këto i thatë në vend timin. Dhe thënë realisht, as unë më bukur nuk do dija t´i formuloja. Për këtë u jam mirënjohës dhe nuk do ua harroj kurrë. Gjithsesi nuk mund të mos ju përgëzoi për krahasimin burrëror që e bëtë në mes Kosovës dhe Palestinës. Kjo nënkuptohej që Kurtin e krahasuat me Hamasin.

Po ashtu u trimërova kur Kurtit para të gjithëve ia përplasët në fytyrë, se po e humbas shansin ideal që të ecim përpara. Ua thatë troç se janë zhytur në kurthin e vetë, prej të cilit nuk po arrijnë të dalin, duke e izoluar veten dhe tash po ballafaqohen edhe me sanksionet.

Këto qëndrime ne i kishim të përbashkëta që nga fillimi, prandaj edhe kërkoja me ngulm që bisedimet për zgjidhjen përfundimtare për Kosovën t´i udhëhiqnim ne dy, si përfaqësues të popujve tanë. Sikur të ndodhte kjo, tash kjo çështje do ishte e harruar dhe kushedi ne sot do ishim në festime dhe ahengje, në Serbi apo Shqipëri.

Për të gjitha këto që po i bëni për popujt tanë, jam i bindur se do të hyni në histori, por po ju premtoi se edhe populli serb nuk do ju harroi kurrë për përpjekjet paqësore, që po i bëni për dy popujt tanë fqinjë.

Unë vetëm po lutem që ne dy të qëndrojmë sa më gjatë në pushtet, në mënyrë që të punojmë së bashku për një marrëveshje përfundimtare, se po mbetëm nën mëshirën e Kurtit dhe të opozitës serbe, do të përballemi me fundosjen e dy popujve tanë.

Për fund ju kisha propozuar që ne dy dhe Kurti ta organizojmë një duel televiziv, në mënyrë që ta demaskonim populizmin e Kurtit. Çështja mbetet vetëm se kush do ta bindte Kurtin, për një duel të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat