Zbulohet letra sekrete e Enver Hoxhës që i quan shqiptarët e Kosovës minoritarë

Opinione

Zbulohet letra sekrete e Enver Hoxhës që i quan shqiptarët e Kosovës minoritarë

Nga: Prof.Dr. Elmas LECI, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare Më: 23 tetor 2023 Në ora: 15:42
Prof. Dr. Elmas Leci

Atij, Enver Hoxhës që i “digjej” shpirti e i “qante” zemra për Kosovën, e ka quajtur popullin kosovar popull minoritar. As më shumë nuk kishin çfar t’i shtonin këtij përcaktimi serbomëdhnjtë. Po ku e ka thënë, ku i ka quajtur Enver Hoxha kosovarët minoritarë? I ka quajtur në një letër që vetë Enver Hoxha e quan “sekrete” dhe që i a jep Stalinit gjatë vizitës së vitit 1949. Letra me firmen e Enver Hoxhsë është zbuluar së fundi në fondin e Arkivit të Federatës Ruse dhe mban datën 2 shtator 1949. “...shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Republikën Jugosllave, -i shkruan në këtë letër “sekrete” Enver Hoxha Stalinit, -përbëjnë një minoritet të konsiderueshëm”. Pra që në fillim Enver Hoxha i ve çështjes së Kosovës një pikpyetje të madhe mbi të kaluarën e saj historike. I quan kosovarët minoritarë. Kjo është për të vënë duart në kokë! Nuk është se nuk di se ç’popullsi janë kosovarët! Se janë ata autoktonë në trojet e tyre apo minoritarë? Jo. Ai i quan ata minoritarë me qëllim. Më tej në Letër Enver Hoxha i thekson Stalinit: “Ky minoritet shqiptar jeton ngjitur kufirit të Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Këto e të tjera i shkruan Enver Hoxha Stalinit janë pas “prishjes” me Titon, që duke e lexuar e studiuar atë Letër del që më shumë se çdo gjë ajo është një letër denigruese për Kosovën. E shton dyshimin se Letra dhe mendimet e Enver Hoxhës në të, në italisht (letra është në gjuhën italiane që fsheh në një mënyrë dyfytyrësinë), janë një vepër e tij antikombëtare në kënaqje të interesave dhe orekseve serbomëdha.

Duhet theksuar që në fillim se ato që shkruan Enver Hoxha në letër për Kosovën, janë akuza që Enver Hoxha asnjëherë nuk ia tha Tito sa e kishte mik, por më së pari janë evidentim i koncepteve denigruese që kishte Enver Hoxha për popullin kosovar e tokën Kosovë. “Sipas statistikave të vjetra të paraluftës, - i shkruan Enver Hoxha Stalinit -figurojnë afro 700.000 shqiptarë”. Këto që jep Enver Hoxha në fakt janë statistika të falsifikuara nga regjimet e kralëve të Serbisë, me qëllim që të provonin se kjo popullsi shqiptare që Enver Hoxha e quan minoritet, të ishte sa më e vogël. Në vijim Enver Hoxha shkruan se nën iluzionin se fashizmi “çliroi” shqiptarët e Kosovës nga robëria jugosllave dhe i “bashkoi” me Shqipërinë, Kosova u bë një rezervë e fashizmit dhe e reaksionit, që ai (Enver Hoxha)me dërgimin e Divizioneve nga Shqipëria londineze i “rregulloi mirë” duke u vënë pushkën patriotëve kosovarë.

Pikëpamjet tona -i shkruan Enver Hoxha Stalinit,-kanë qenë se nuk mund ta ngrinim çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së Luftës, por shqiptarët e Kosovës duhej të luftonin kundër fashizmit në kuadrin e Jugosllavisë... Kemi kërkuar gjithashtu zyrtarisht që një njësit partizan shqiptar të kalonte në territorin e Kosovës për të mobilizuar popullin shqiptar atje në luftë të armatosur kundër fashizmit. Theksojmë se në këtë moment s’ka pasur asnjë organizim të Partisë dhe të luftës në Kosovë dhe Metohi. Milutin Milutinoviç, anëtar i Komitetit Central të PKJ, i cili në atë kohë organizonte luftën në Mal të Zi, i është përgjigjur kërkesës sonë kështu:”S’është nevoja të dërgoni ju njerëzit tuaj në Kosovë. Ne do të organizojmë një Divizion, i cili do të rregullojë punët në Kosovë”. U vërtetua më vonë se Divizioni i dërguar prej jugosllavëve në Kosovë e Metohi, ishte një divizion punitiv që mbolli terror”. Dhe në vijim Enver Hoxha në zbatim të kërkesës së Titos, më ndihmë të Divizionit jugosllav, dërgoi jo një por 2 Divizione për të shtypur popullin e Kosovës. Nga ana tjetër Enver Hoxha e fallsifikon historinë dhe thekson se “Vajtja e Ushtrisë Shqiptare në Kosovë i qetësoi punët (mes serbëve dhe shqiptarëve), i ftohu gjakrat, krijoi besimin te shqiptarët e Kosovës se çështjet do të rregulloheshin dhe u krijua bindja se ushtria jonë do t’i mbronte kosovarët... Repartet tona penguan persekutimet e shqiptarëve të Kosovës nga ana e jugosllavëve”. Çfar demagogjie!

“Në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë përsëri ne kemi menduar -i justifikohet Enveri Stalinit, -se nuk mundej ta shtronim çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pse ishim përpara detyrave të forcimit e konsolidimit të pushteteve tona demokratike popullore...Me ndihmën e Jugosllavisë socialiste, pas çlirimit pozitat ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ato të brendshme gjithashtu u forcuan dhe nënshkrimi i Traktatit në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, - shkruan pa pikë turpi, -ishte një konsolidim i shëndoshë i pozitave ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e mbronte këtë nga kërcënimet eventuale të imperializmit. Pas zbulimit të tradhtisë së grupit Tito, ne mendojmë se duhet të shtrohet çështja e Kosovës”.

“Çështja që ne parashtrojmë për Kosovën e Metohinë -e përfundon letrën e tij italisht Enver Hoxha (italisht s’ka ditur) -bëhet aktuale në lidhje me ndihmën që i jep Partia jonë shokëve jugosllavë anti-Tito dhe popullit të Kosovës e Metohisë, që dëshiron dhe është i gatshëm të luftojë me të gjitha mjetet tradhtarët e Beligradit, por që kosovarët në çdo moment na vënë përpara pyetjen: Si do të zgjidhet problemi nacional i Kosovës e Metohisë. Ne mendojmë se kjo çështje është shumë e rëndësishme. Mundet që edhe të gabojmë në shqyrtimin e saj prandaj ne nuk do të bëjmë ndonjë hap pa këshillimin e shokut Stalin dhe prandaj po i parashtrojmë këto pikëpamje tona dhe në rast se gabojmë, të na vihet përnjëherësh në dukje për t’i korrigjuar”.

Kaq ishte letra, kjo është letra e stërzgjatë “sekrete” dërguar Stalinit për Kosovën, kopje siç thamë që nuk gjendet as në ish Arkivin e KQ të PPSH as në AQSH, veçse në italisht një letër e tillë është gjendur në Arkivin e Federatës Ruse. Në fund ajo, letra mbyllet: Për Komitetin Qendror, Enver Hoxha dhe është firma e tij.

Me demagogjinë më të madhe, me këtë letër për Stalinin, jo pa qëllim “të vonuar e shfajësuese”, Enver Hoxha jo vetëm nuk e ka qëllimin te mbrojtja e çlirimi i Kosovës dhe i kosovarëve, por shtrembëron edhe faktet historike, pasi asgjësohet mbrojtja, me pyetjen se ku ishte ai në kohën e “dashurisë së zjarrtë” me Titon ?! E vërteta është se vetë Enver Hoxha ishte në epiqendër të “dashurisë” për Titon e Jugosllavinë dhe se ai me dashje, manipulon e shtrembëron faktet dhe ngjarjet historike. Letra është e mbushur me plot shtrembërime historike si ajo e minoritetit kosovar e të tjera, të bëra me qëllim nga Enver Hoxha dhe mbi të gjitha kjo e minoritetit evidentohet jo një herë por disa herë, “minoriteti” kosovar! Për këtët duhet thënë se:

Së pari, shqiptarët e Kosovës, Enver Hoxha, përmes kësaj letre ja prezanton Stalinit si popull pa atdhe, si minoritet. Por nga Fjalori Enciklopedik, minoritet është ajo pakicë kombëtare e një populli që jeton në territorin dhe vendin e një kombi tjetër. Kjo, e bërë nga Enver Hoxha, duke e quajtur popullin kosovar minoritet, është skandaloze, është kriminale! Sipas Enver Hoxhës, del se toka shqiptare e Kosovës, meqë del sipas Enver Hoxhës (në këtë letër), se nuk qenka shqiptare, por është serbe, dhe gjithnjë sipas tij (po në këtë letër) “shqiptarët atje janë minoritarë”.

Së dyti, kosovarët gjithnjë sipas tij Enver Hoxhës e kësaj letre prezantuese te Stalini, “nuk kanë luftuar” dhe se “ato, kosovarët kanë përkrahur pushtuesin, fashizmin e nazizmin”. Edhe kjo është skandaloze, por që tërthorazi miraton masakrat që bënë partizanët e tij ndaj popullit etnik kosovar dhe me masakrat e tyre sollën vendosjen e pushtetit ushtarak jugosllav në Kosovë.

Së treti, Enver Hoxha akuzon “shumë me vonesë” jugosllavët, se ato e paskan fajin që nuk e ngritën popullin kosovarë në Luftën Nacional Çlirimtare. Po Partia Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxha në cilat dokumenta apo platformë e ngriti apo e bëri udhëheqjen e Luftës Antifashiste në Kosovë?!

Së katërti, Enver Hoxha pranon jo pa qëllim veprimet anti Kosovë të tij ose “shitjen” e Kosovës nga ai që gjatë Luftës së Dytë Botërore, që më 8 nëntorin e vitit 1941(në themelimin e PKSH), e në vijim, me 16 shtatorin e vitit 1942 (në Konferencën e Pezës), me 3 gushtin e vitit 1943 (në Mbledhjen e Mukjes) apo me 2 janarin e vitit 1944 (në Konferencën e Bujanit), ku për të gjitha përpiqet të “shfajësohet vetë” se “…nuk mund ta ngrinim çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së Luftës…”, se nuk i linte Tito, por këtë heziton ta thotë.

Së pesti, Enver Hoxha i akuzon malazezët se dërguan forca për të shtypur popullin e Kosovës dhe anashkalon Divizionet e tij, që masakruan masivisht me muaj të tërë vëllezërit e një gjuhe e të një gjaku kosovarët, për “hatërin e Titos” e për sigurimin e pushtetit personal të Titos e të vetes.

Së gjashti, fryma dhe cilësimi nga Enver Hoxha se kosovarët janë minoritet, përfshin gjithë letrën e gjatë për Stalinin, çka tregon bindjen e plotë të Enver Hoxhës për popullin kosovar dhe nxjerr në pah vlerën e vërtetë të inteligjencës së tij, injorancën historike e kulturore të Enver Hoxhës.

Së shtati, menjëherë sa hap e mbyll sytë, regjimi i Titos sipas kësaj letre të Enver Hoxhës, u kthye nga “i mirë” për popujt e Jugosllavisë përfshi edhe shqiptarët e Kosovës, në “i keq”, ku në Jugosllavi sipas Enver Hoxhës “mbretëron terrori fashist hitlerian”. Demagogji klasike kjo e Enver Hoxhës! Nuk mund të ndodhë kështu, që një ditë më parë të jeshë regjim “bolshevik e popullor” dhe të nesërmen të kthehesh në regjim “fashist e hilerian”! Se nëse pranojmë këtë rokadë alla enveriste, atëherë edhe vetë regjimi i Enver Hoxhës u instalua gradualisht në regjim hitlerian (në fakt ashtu ishte). Jo vetëm kaq por kjo “mençuri” e Enver Hoxhës kërkon ta mësojë edhe Stalinin se “çlirimi i popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste (nga banda e Titos) dhe nga kthetrat e imperializmit”, është emergjente”!

Së teti, në “mendësitë” që përpiqet t’i japë Stalinit, për çështjen e Kosovës, Enver Hoxha e “këshillon” që “në luftë të krijohet, të organizohet dhe të forcohet pjesa e partisë komuniste internacionaliste për Kosovë e Metohi (Metohi koncepti serb ) brenda kuadrit të partisë komuniste internacionaliste jugosllave”.

Së nënti, Enver Hoxha, në këtë letër, është edhe kontradiktorë me vetveten e tij sa s’ka më. Pasi tjerr gjatë se “lufta e popullit kosovar kundër Titos, duhet bërë në kuadrin e Jugosllavisë”, në vijim po vetë thotë se “kyçi i luftës së tyre është bashkimi me Shqipërinë”!

Në realitet duhet pranuar se Enver Hoxha diti të përfitojë me zgjuarsi nga përplasja mes Josif Broz Titos dhe Josif Visarionaviç Stalinit. Në librat “Faktori Sovjetik në Evropën Lindore 1944-1953” dhe “Evropa Lindore në dokumentet e arkivave ruse 1944-1953”, janë botuar shumë dokumente të panjohura deri atëherë, të nxjerra nga arkivat e ish-perandorisë komuniste sovjetike. Në stenogramin e bisedës së 23 marsit të vitit 1949 në Moskë, të Stalinit me Enver Hoxhën, Stalini vë në dukje se “të gjitha fjalët që qarkullojnë për ndarjen e Shqipërisë janë sajuar me qëllim që të trembin shqiptarët. Sikurse dihet, pavarësia e Shqipërisë është e sigurt nga deklarata e tre shteteve: Amerikës, Anglisë dhe BRSS-së. Sigurisht, deklaratën mund ta shkelin, por kjo nuk është kaq e lehtë. Për sa u përket grekëve të Caldarisit, ata mezi po mbahen në këmbë dhe jo më të flasin seriozisht për ndarjen e Shqipërisë... Nëse shqiptarët do të mbajnë qëndrime korrekte, nuk do t’i shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i provokojnë, por do të sillen sa më me modesti, Shqipërinë nuk do ta prekë askush. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’i takojë Italisë, përderisa kjo gjë do të sillte forcimin e Italisë; nuk duan që ajo t’i takojë as Greqisë, përderisa kjo gjë do të sillte forcimin e Greqisë; nuk duan që Shqipëria t’i takojë as Jugosllavisë. Për më tepër, Amerika nuk do që Shqipëria t’i takojë Anglisë. Për këtë arsye ato janë pro pavarësisë së Shqipërisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat