Grennell dekonspiron të vërtetën e hidhur për Thaçin e bashkëpunëtorët e tij

Opinione

Grennell dekonspiron të vërtetën e hidhur për Thaçin e bashkëpunëtorët e tij

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 26 tetor 2023 Në ora: 19:53
Aleksandër Vuçiç, Riçard Grennell dhe Hashim Thaçi

Ambasadori Riçard Grennell është dekoruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me dekoratën e lartë të medaljes së Flamurit të Serbisë. Me këtë dekorate janë nderuar gjithmonë shtetas të huaj, të cilët kanë dhënë kontribute të mëdha për çështjen serbe, sidomos në raport me afirmimin e epërsisë së saj në raport me kombet, popujt e shtetet e tjera në rajonin e Ballkanit. Edhe në rastin e Grennell dekorata e dhënë më 26 tetor ka si arsye shërbimet e shquara të tij për afirmimin e Serbisë në SHBA dhe rritjen e shanseve të saj për t’iu imponuar vendeve fqinje, sidomos Kosovës. Por e gjitha sa thashë më lart ka të bëjë me marrëdhënien Grennell-Vuçiç-Serbi. Ndërkaq ky rast na zbuloi edhe lidhje të tjera të diplomatit amerikan me politikanë shqiptarë. 

Gjatë ceremonisë së dekorimit zoti Grennell foli për Kosovën. Kritikoi ashpër kryeministrin Kurti. E akuzoi atë se „është fajtor për dialogun dhe destabilizimin e veriut të Kosovës“! Mbrojti pozicionin e Serbisë dhe presidentit të saj në raport me këtë dialog dhe me zhvillimet në Kosovë. Dhe tha se „Nëse do të ishte Thaçi si partner, dialogu dhe zgjidhja e konfliktit do të kishin ndodhur tashmë“! Vlerësimet e ambasadorit Grennell për Thaçin ishin maksimale, sa gjithkush e kuptoi fjalimin e tij si përpjekje për t‘i kujtuar presidentit serb që ta dekorojë edhe ish-presidentin e Kosovës! Sigurisht për shërbimet e tij në favor të interesave serbe në Kosovë e në rajon.  

Zoti Grennell nuk përmendi Edi Ramën dhe grupin e tij për këto shërbime, të njëjta me ato të tijat. Në fakt arsyeja e vërtet pse Thaçi kërkoi ndarjen e Kosovës është Rama, joshjet e kërcënimet e tij për ta bërë ish-presidentin e Kosovës t‘i hyjë kësaj aventure të rrezikshme për vendin. Megjithatë Grennell këmbngul në evidentimin e kontributeve të Hashimit në favor të Serbisë. Kjo dekonspiron disa argumente: 

Së pari, se kritikat ndaj Thaçit dhe sejmenëve të tij, përfshirë dhe Bekim Çollakun e Baton Haxhiun, për gatishmërinë e tyre që në kompromis me Serbinë ta ndajnë Kosovën, janë plotësisht e lehtësisht të provuara. D.m.th askush nga ne nuk i ka hyrë në hak ish-presidentit Thaçi për këto kritika. Kur Grennell çmon kontributin e zotit Thaçi si partner i besueshëm i presidentit të Serbisë, Vuçiç, atëherë kuptohet lehtë se bëhet fjalë për ndarjen e veriut të Kosovës, gjithnjë përmes dialogut midis tyre.  

Së dyti, se mbështetja që i është dhënë dhe i jepet kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani është veprimi i duhur, me qëllim që të parandalohet zbatimi i projekteve të Beogradit për zgjerim territoresh në dëm të Kosovës dhe vendeve të tjera fqinjë. Sa më shumë dekorata jep Vuçiç për ata që janë angazhuar në dialog para ardhjes në pushtet të koalicionit VV-Guxo, aq më shumë del në dritë jo vetëm angazhimi e kontributi i të dekoruarve për Serbinë, por edhe drejtësia e qëndrimeve të qeverisë, presidentes dhe kuvendit sa i përket dialogut dhe rezistencës për ta mbrojtur Kosovën si shtet sovran dhe me integritet të plotë territorial. 

Së treti, deklaratat e ambasadorit Grennell dhe dekorimi i tij prej presidentit Aleksandër Vuçiç, duhet t‘i kthjellojë disa politikanë të opozitës për ta ndryshuar qasjen ndaj bisedimeve dhe qëndrimeve të zotit Kurti në raport me zgjidhjet e konfliktit me Serbinë. Nuk e kam fjalën shumë për Skënder Hysenin, sepse besoj që ai pak ose aspak ndryshim ka nga ish-presidenti Thaçi. E kam fjalën p.sh për Abdullah Hotin a dikë tjetër, për të cilët besoj se në çastin e dhënë të bashkëpunimit me ambasadorin Grennell kanë menduar se nuk po gabojnë. Këta duhet ta marrin guximin tashmë të pranojnë faktin se janë mashtruar në emër të „miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës“!  

Së katërti, opozita në tërërsi duhet të ndryshojë qasjen e të mos spekullojë me aleanca, marrëdhënie e „miqësi“ të rreme. Kjo do të thotë se SHBA-ja vërtet është aleat, mik dhe shtet-vëlla i Kosovës. Këtë e thoshte para dy ditësh edhe Gabriel Escobar. Por në Amerikë ka edhe Grennllra, të cilët e duan më shumë Serbinë, sesa Kosovën. Duhet bërë ky dallim, me qëllim që të mos gabosh në qëndrime e veprime. Tashmë është e qartë se miqtë e bashkëpunëtorët e Vuçiç, Ramës dhe Thaçit në Uashington, të cilët pranojnë dekorata nga Serbia, nuk mund të jenë edhe miqtë e shqiptarëve, aq më pak të Kosovës.  

Megjithatë nuk pres ndonjë refleksion të thellë apo të sipërfaqshëm për shumicën e bashkëpunëtorëve shqiptarë të Grennell-it e për pasojë edhe të Serbisë. Ata do të vazhdojnë të spekullojnë me demokracinë dhe në emër të saj të flasin edhe sot për ndryshim kufijsh e ndarje të Kosovës, për “fajësi” të kryeministrit Kurti, edhe kur Beogradi bën terror në Kosovës e kështu me rrallë. Kjo kategori njerëzish është në misionin e vet, njësoj si edhe Riçard Grennell. Por këta duhet ta dine se Grennell nuk i ka asnjë borxh Kosovës e shqiptarëve që t’i mbështesë ata ose që të pushojë së mbështeturi për interesat e Serbisë. Ndërsa këta nuk mund t’i largohen përgjegjësisë! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat