Meloni shkon në Serbi, jo siç vjen në Shqipëri!

Opinione

Meloni shkon në Serbi, jo siç vjen në Shqipëri!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 10:03
Xhevat Mustafa

SHBA, Gjermania, edhe Italia, Franca e tj. si vende, por më shumë BE, krahas Rusisë, Kinës, Turqisë, vendeve arabe..., kanë bërë e bëjnë investime të mëdha në Serbi për Kombinate, uzina dhe fabrika të mëdha industriale. Qëllimet apo interesat e shteteve apo vendeve investuese janë komplekse, të karakterit ekonomiko-financiar, politik, gjeo-strategjik, ushtarak...Sidomos pas rënies së Milosheviçit më 1999, doli në plan të parë interesi politik, shkëputja e Serbisë nga kraharori apo ndikimi i Rusisë si dhe i Kinës dhe ofrimi përfundimtar me BE-në. Edhe vetë hartuesit e kësaj strategjie në Uashington dhe Bruksel e kanë pasur parasysh qysh në fillim e këto vitet e fundit duhet ta kenë gati si bindje, që të gjitha përpjekjet dhe “dhuratat” e tyre të mëdha nuk do t’u jepnin rezultatet e dëshiruara dhe nuk do t’i lumturonin me përmbushjen e qëllimit kryesor. Edhe më 3 dhjetor 2023, kur kryeministrja e Italisë, Xhiorxhia Meloni ishte mysafire në Beograd dhe u përqafua ngrohtësisht me Vuçiçin, Brnabiçin, Daçiçin e tj., edhe sot, Serbia është me mendje, shpirt e zemër më afër Moskës dhe Pekinit se sa Brukselit apo Romës. Ekipet politikë dhe qeverisës në Serbi kanë luajtur me zgjuarsi me të dy palët, duke i nxitur për garë se cila t’u jepte më shumë, Qëllimet parësore mund të jenë tre: ndalja e hemorragjisë së emigracionit dhe mplakjes, pra punësimi në vend i sa më shumë serbëve në mosha të reja; rritja e nivelit të të ardhurave e të jetesës; fuqizimi ekonomiko-ushtarak për të rimarrë, edhe me forcë ushtarake e luftë, ato që kanë humbur, sidomos në Kosovë dhe Bosnje ...Rrjedhojë apo frute të këtij bumi investimesh të mëdha të huaja është klasifikimi i Serbisë si vend i parë në botë, për frymë e klimë të favorshme, për investime të kësaj origjine apo natyre. Më 3 dhjetor 2023 kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ishte për vizitë në Beograd, krahas qëllimeve politike, si vend dhe si një nga anëtarët më të rëndësishëm të BE-së, për të përuruar një kombinat të prodhimit të veturave "Fiat"! Ndërsa në Shqipëri, kur erdhi në mes gusht 2023, po kjo Meloni, dora vetë, premtoi të na merrte “Syrin e kaltër, të na sillte ndonjë central atomik si dhe qendra sistemimi të përkohshëm dhe burgje për refugjatë nga Afrika dhe Azia...!? Dhe Edi Rama ia shprehu mirënjohjen, duke e puthur Melonin, sikur ti kishte falur një ishull të Italisë apo një lagje të Romës...???!!! Për të qenë sa më të saktë apo për të kuptuar se “cilët do më shumë” financiarisht dhe me investime të mëdha e konkrete, Italia si vende, Serbinë apo Shqipërinë dhe Kosovën, na ndihmojnë edhe disa shifra, të këtyre viteve të fundit.

Shuma e përgjithshme e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Italisë dhe Serbisë aktualisht është 4.6 miliardë euro. Sipas marrëveshjes më të re, “Stellantis, gjigandi botëror i prodhimit të autojeteve, do të fillojë me prodhimin e Pandas elektrike në Serbi, në fabrikën e Kragujevacit nga viti 2024. Fiat është prezent në Serbi, në fabrikën historike në Kragujevac, që nga viti 2008. Investimi me vlerë 950 milionë euro është më i madhi i bërë ndonjëherë në Serbi. Në fabrikën, 30 për qind në pronësi të shtetit serb, deri vitin e kaluar prodhohej modeli Fiat 500 L, i cili punësonte rreth dy mijë punëtorë. Më 28 prill 2022, Stellantis dhe qeveria e Beogradit nënshkruan një marrëveshje të re për një investim prej 190 milionë eurosh, nga të cilat 48 milionë financohen nga shteti serb. Në konferencën për shtyp së bashku me Giorgia Melonin presidenti Vuçiq shprehu shpresën se Italia do të bëhet sërish “partneri i parë” i Serbisë në nivel ekonomik.

Po kështu, marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Serbisë janë tashmë në një nivel të paprecedentë. Me rreth 80.000 vende pune të krijuara, grupi i kompanive me kapital gjerman është ndoshta një nga investitorët më të mëdhenj ose më të mëdhenj të huaj në Serbi për nga numri i vendeve të punës. Tregtia e jashtme midis Gjermanisë dhe Serbisë është rritur me më shumë se 25 për qind në dy vitet e fundit. Më 28.01.2021 Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë informonte se “që nga viti 1988 Gjermania ka kontribuar me fonde që arrijnë mbi 1 miliardë euro. Lidhur me Kosovën, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare njoftonte më 06.09.2023 se investimet direkte gjermane në Kosovë për 6-muajshin e parë këtij viti kanë kapur vlerën e 92 milionë eurove, ndërsa eksportet e Kosovës në Gjermani deri më sot kanë arritur mbi 50 milionë euro. Kurse volumi i importeve nga Gjermania në Kosovë ka qenë rreth 414 milionë euro!

Sipas kryeministres serbe, Brnabiç dhe Agjencia Franceze të Zhvillimit, e cila u hap pas vizitës së presidentit francez Emanuel Macron në Beograd në Qershor 2019, njoftuar edhe në TV KLAN Al, më 13.02.2022: “Vetëm në pesë vitet e fundit tregtia mes te dy shteteve është rritur me 36.4 për qind. Në vitin 2021 vlumi i përgjithshëm i shkëmbiumeve tregtare mes dy vendeve ka qenë afër 1.4 miliardë euro...! Nëse volumi i investimeve franceze si dhe i marrëdhënieve Francë-Serbi përditësohet me të dhëna të freskëta për vitin 2023 si dhe zgjerohet edhe me blerjen e 12-20 avionëve në Francë nga Serbia më 2022-2023, merret me mend se shuma e investimeve franceze në Serbi është 2-3 fish më e lartë se ajo më 2019.

volumi i marrëdhënieve tregtare Francë-Shqipëri është shumëfish më i ulët se sa ai Francë-Serbi. Më 17 tetor 2023, në konferencën për mediat me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha me humor, por edhe me sinqeritet shprehës: “Sot Franca është e pranishme në Shqipëri me 111 kompani me kapital të përbashkët. 111 janë shumë pak dhe nga pikëpamja ekonomike janë sa një këmbë e Mbappe, por janë shumë krahasuar me disa vite më parë, kur marrëdhënia jonë ekonomike vlente sa një këpucë e Mbappe, do të luftojmë së bashku për këmbën e dytë të Mbappe”. Po këtë ditë e po gjatë kësaj vizite bazuar në të dhënat e INSTAT u publikua se importet e vendit nga Franca janë trefish më të larta se eksportet.

Konkretisht në 5 vite (2018-2022) Shqipëria ka blerë nga Franca mallra me vlerë 64.1 miliardë lekë, ndërsa i ka shitur mallra me vlerë 22.9 miliardë lekë. Më konkretisht e më gjerësisht, sipas të dhënave nga Ministria e Financave të Shqipërisë, më 25.09.2023, prezenca e investimeve franceze në vendin tonë ka pasur një trend rritës përgjatë viteve 2018-2022, duke shënuar vlerën më të lartë përkatësisht 445 milionë Euro në fund të vitit 2022. Sipas të dhënave, në territorin e Shqipërisë janë aktive 433 kompani me pronësi franceze. Ndër to, 322 kanë kapital 100% të huaj, ndërsa 111 prej tyre kapital të përbashkët. Gjithsesi, edhe nga këto shifra e fakte kuptohet se Franca, me “dashuri të lashtë” ndaj botës sllave, e trajton Serbinë si “bijë” e Shqipërinë dhe Kosovën, si “të birësuara”!? Nuk mund të bëhen krahasime, sepse Shqipëria dhe Kosova janë shumë larg apo poshtë Serbisë për volumin e përgjithshëm të investimeve dhe shkëmbimeve tregtare edhe me SHBA-në. Mediat serbe raportuan më 05.01.2023 se mes ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq deklaroi atë ditë se bashkëpunimi ekonomik midis SHBA-së dhe Serbisë, në vitin 2022 ka kaluar shifrën një miliardë dollarë. Frute të këtyre investimeve janë më 30 mijë punëtorë serbë të punësuar nga kompanitë amerikane në Serbi! Është për t’u vënë në dukje se po atë ditë Kryetari i partisë serbe, Liri dhe Drejtësi, Dragan Djilas, i drejtoi puplikisht në twitter disa pyetje ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Saktësisht ai e pyeste ambasadorin Hill se çfarë i frymëzon investitorët në SHBA për të investuar në Serbi. Ai i përmend ambasadorit disa pika që janë jo në nivelin e duhur në Serbi dhe që duhej t’u shërbenin investitorëve amerikanë për të mos vrapuar drejt Serbisë, si niveli i të drejtave dhe lirive të njeriut, politika e jashtme e Serbisë( mes Rusisë-Kinës dhe SHBA-BE-së); liria e mediave; gjyqësori i pavarur; lufta kundër korrupsionit; të drejtat e punës...apo diçka tjetër përtej këtyre...? Duke u rikthyer në Shqipëri, në shkëmbimet tregtare apo investimet amerikane në Shqipëri, na ndihmon një fakt apo ngjarje e para rreth 7 muajve. Më 24 Prill 2023, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço në takimin e zhvilluar në Asamblenë e Dhomës Amerikane të Tregtisë, tha se investimet amerikane ne Shqipëri janë rritur me 250%. Sipas Jaços nga 80 milionë dollarë që ishin dy viteve fundit ato janë rritur në 235 milionë dollarë!? Domethënë në rreth 5 herë më pak se sa në Serbi!? Siç shprehet shumë qartë nga këto shifra dhe fakte volumet e investimeve, të shkëmbimeve tregtare, ushtarake mes SHBA-së, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe Serbisë janë shumë fish më të larta se me Shqipërinë dhe Kosovën, duke mos iu përgjigjur as hartave gjeografike shtetërore dhe as shifrave demografike, të popullisë.

Natyrisht, arsyet, shkaqet, fajet, përgjegjësitë...nuk mund të kërkohen dhe gjenden vetëm në Tiranë dhe Prishtinë. Vendimtare kanë qenë dhe janë parapëlqimet, përzgjedhjet, interesat... qeveritare dhe shtetërore nga Uashingoni, Parisi, Berlini, Roma...! Gjithsesi, ne shqiptarët kemi arsye e të drejtë edhe t’u adresojmë pyetjen miqve apo aleatëve strategjikë amerikanë, italianë, francezë, gjermanë...: Përse me Serbinë jeni treguar dhe vazhdoni të tregoheni tepër të interesuar e të pakursyer me investime kaq shumë të mëdha e me dy shtetet shqiptare kaq ngurues, mëdyshës, duarshtrënguar...???!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat