Pse Aleksandër Vuçiq gënjen vazhdimisht rreth Rezolutës 1244?

Opinione

Pse Aleksandër Vuçiq gënjen vazhdimisht rreth Rezolutës 1244?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 15 janar 2024 Në ora: 08:00
Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim “Bota sot”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe udhëheqës të tjerë të shtetit serb, madje edhe akademikë, diplomatë e profesorë të Serbisë, kur duan ta trajtojnë Kosovën si “pjesë të tyre”, gjithnjë i referohen Rezolutës 1244 të Kështillit të Sigurimit të 10 qershorit 1999. Kësaj rezolute të votuar prej tyre i referohen edhe udhëheqësit rusë, sidomos kryediplomati, Lavrov.

Dje Vuçiq tha se furnizimi me armë i Ushtrisë së Kosovës “është në shkelje të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”! Sipas tij, kjo rezolutë “kërkon çarmatosjen e shqiptarëve e ata po armatosen në fakt”! Madje ai kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, me qëllim denoncimin e përpjekjeve amerikane, britanike, gjermane e turke për armatosjen e ushtrisë së Kosovës, me qëllime mbrojtje nga një agresion serb kundër këtij vendi të pavarur. Eshtë e vërtetë se rezoluta në fjalë flet për për çarmatimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jo të shqiptarëve, siç thotë kreu i shtetit serb. Rezoluta 1244 nuk flet për çarmatosje të shqiptarëve, të serbëve apo pakicave të tjera në Kosovë.

Aq më pak për çarmatimin e forces së sigurisë së saj, e cila është krijuar fillimisht si “Trupat mbrojtëse të Kosovës”, bazuar pikërisht në Rezolutën 1244. Me anë të asaj rezolute u krijuan instrumentet e dhunës shtetërore në Kosovë. Ndërkaq Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 22 korrik 2010 ka konfirmuar faktin se pavarësia e Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare e madje edhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Megjithatë Beogradi vijon ta interpretojë këtë rezolutë si bazë juridike për të ashtuquajturin “sovranitet serb në Kosovë”! Presidenti i Serbisë dhe të gjithë përkrahësit e tij nga Beogradi e deri në Moskë spekulojnë kur përdorin si “argument” atë rezolutë për të delegjitimuar nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare fuqizimin e mbrojtjes, si dhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndërkohë ky lloj spekullimi ka të bëjë në fakt me mos-njohjen dhe zhbërjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Pikërisht ky fiksion serb që bazohet në mitet e krijuara për Kosovën e bën qeverinë dhe presidentin e Serbisë të jenë të rrezikshëm për integritetin territorial të Kosovës. Këmbëngulja e Vuçiq “në të drejtën ndërkombëtare” për të penguar forcimin e modernizimin e ushtrisë në Kosovë është përpjekje për ta lënë Serbinë të lirë në realizimin e qëllimeve të veta për ndarjen e shtetit më të ri në botë. Në këtë pikëpamje mund “t’i jepet të drejtë” kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kur thoshte se “nëse nuk i bëjmë lëshime Serbisë, rajoni do të destabilizohet”. Dhe Rama e Thaçi në vend të forcimit të Kosovës, përfshirë edhe ushtrinë e saj, në vend të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri të Mitrovicës, zgjodhën si rrugë të shkurtër ndarjen e saj. Kur dështoi ndarja, atëherë kryeministri i Shqipërisë premtoi rikthimin e Serbisë si superfuqi e rajonit përmes Open Balkan. 

Armatosja e Kosovës me armë moderne, në të cilat bëjnë pjesë edhe raketat Javelin të SHBA-ve, erdhi në një kohë kur Aleksandër Vuçiq u zbulua përballë Perendimit në dredhitë e mashtrimet e tij, se “një ditë do të ndryshojë trajektoren e aleancës serbe nga Moska drejt strukturave euro-atlantike”. Armatosja e Kosovës është në fakt përgjigje e asaj që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë, kur grupi terrorist serb i sofistikuar me armë moderne dhe i drejtuar nga strukturat e ushtrisë e të shtetit të Serbisë, kreu aktin terrorist kundër policisë së Kosovës. Ajo ngjarje ishte dezhavy-ja e aktit terrorist të 28 qershorit 1914, kur terroristët serbë vranë princin e kurorës austro-hungareze, Franz Ferdinand dhe gruan e tij, Sofinë, me ç 'rast filloi Lufta e Parë Botërore.  Armatosja e Kosovës me armë të tilla moderne vjen gjithashtu në momentin kur Milorad Dodik kërcënon seriozisht ekzistencën e shtetit të njohur ndërkombëtarisht të Bosnjë-Hercegovinës dhe destabilizimin e rajonit tonë.

Ka analistë, sidomos serbë e rusë, të cilët konsiderojnë se armët që i vijnë Kosovës nga vendet e saj mike dhe aleate, përfshirë Javelinët amerikanë, janë shkak për luftë dhe destabilitet. Përkundrazi, forcimi i Kosovës dhe ushtrisë së saj është garanci për paqe në kushtet kur në kufi fqinjët e saj serbë vazhdojnë të ushqehen me mitet nacionaliste të urrejtjes, hakmarrjes dhe kërcënimit permanent kundër saj dhe shqiptarëve. Serbia pati 25 vite kohë që të denazifikohej prej ideologjisë nacional-fashiste të Milosheviçit. Por në vend të denazifikimit ajo vazhdoi edhe për një çerek shekulli tjetër militarizimin dhe homogjenizimin politik, ultranacionalsit dhe ushtarak, si dhe thirrjet për luftë kundër shqiptarëve, boshnjakëve, malazezëve e besa edhe kundër kroatëve. 

Në këto kushte si rrugë e sigurt e garancisë për paqe mbetet armatosja dhe modernizimi i ushtrisë së Kosovës. Tashmë në rajon po bëhen dy shtete, të cilat mund të përballen me Serbinë, Kroacia dhe Kosova. Kjo ishte arsyeja pse në komentet e mia në muajt e vitet e shkuara kam parashtruar një aleancë tjetër, atë Tiranë-Podgoricë- Zagreb, në vend të aleancës absurde Tiranë-Beograd! Perendimi duhet të marrë në konsideratë gjithashtu armatosjen pa problem të ushtrisë maqedonase, sepse aty garant e këtij hapi janë shqiptarët. Por edhe të ushtrisë boshnjake. Indiferenca e fillimit të viteve 1990 nuk duhet të përsëritet. Serbia nuk mund të nënvleftësohet as sa i përket kapaciteteve ideologjike e politike dhe as atyre ushtarake për të rifilluar konflikte të reja në rajonin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat