“Bum”-et e Rama-qeverisë, pemë pa kokrra ose si “gëzimet” e drogës e rakisë...!

Opinione

“Bum”-et e Rama-qeverisë, pemë pa kokrra ose si “gëzimet” e drogës e rakisë...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 15 janar 2024 Në ora: 10:00
Xhevat Mustafa

Siç kuptohet, Edi Rama me shoqe e shoqe, vazhdojnë si Enveri të investojnë pa u kursyer e të bëjnë çdo gjë, të ligjshme e të paligjshme që t'ua prishin apo fitojnë mendjet dhe votat njerëzve me demagogji, suksese dhe premtime mashtruese! Më konkretisht, me shifra të fryra së tepërmi, me festa në rrugë e stadiume; me flamurë e kapuçë, për të shpreh e "shit" patriotizëm fjalaresk; me festivale dhe spektakle më shumë për reklamë gjinjsh dhe kofshësh; me tallava..., me kulla 30-50 katëshe, me komplekse turistike në bregdet...Nga këto  multimilionozohen oligarkët dhe bosët politikë e miqtë e tyre në qeveri e shtet. Ndërsa e shumicës së qytetarëve të thjeshtë nuk u hyjnë aq lekë lekë në xhepa sa t'i shpëtojnë nga varfëria sa të kenë jetë...!? Për paradoks e revoltim: korrupsioni, emigracioni, trafiqet e drogës, çmimet, taksat, varfëria, ushtria e lypsave,  kriminaliteti,...rriten parreshtur e me shpejtësi, Edi Rama me ministresha e ministra dhe me "tellallët" e tyre mediatikë, flasin paturpësisht për ditë për "suksese", "rekorde", "performanca pozitive", "bume"...Dy mburrjet më të freskëta i dëgjuam më 12 janar 2024. E para ishte "rritja ekonomike" në Shqipëri me 3.3% për vitin 2023, a thua se ishte 9.9 apo 13.2. E dyta,  për renditjen e piramidës së Enverit në "18 objektet me arkitekturë verbuese në botë...", kur po atë ditë “raporti për cilësinë e jetës në qytetet evropiane” publikuar nga Komisioni Europian e rendit kryeqytetin e Shqipërisë në fund të listës për cilësinë e jetës, bazuar në një anketim për perceptimin e banorëve, për nga infrastruktura, mundësitë e punësimit, mjedisi, etj. Lidhur me kriterin e mjedisit në Tiranë, mjafton të ngjitesh një orë në një nga Bar-Restorantet në Dajt ose pranë sarajeve të kryeministrit në Surrel, nga ku kryeqyteti ynë, duket si një tymnajë apo smognajë e stërmadhe dhe kullat si përbindësha të zinj...!?  Në mënyrë figurative këto "rritje qeveritare mund të quhen edhe pemë pa kokrra...ose si “gëzimet” pas drogës e rakisë...!? Por, vetëmburrjet e Ramës me shoqe e shokë, në parti, qeveri dhe mes “popullit të majtë”, mund të interpretohen edhe si fitoret e Don Kishotit me mullinjtë e erës; edhe si ato “të ëmës së Zeqos në majë të thanës", siç thuhet në një shprehje të bukur dhe karakterizuese popullore!!!                                                                                                                                                                                

 Për “frutshmërinë” e shifrave, “bumeve, rekordeve, performancave pozitive” të Rama-qeverisjes në xhepat, kuletat, frigoriferët, raftet, tavolinat e ngrënies të shumicës së qytetarëve, ndihmojnë  edhe disa anketime, klasifikime e vlerësime të freskëta, pra gjatë vitit 2023, nga institucione ndërkombëtare, nga të cilët po u referohemi vetëm dyve, duke besuar se janë të mjaftueshme për të krijuar bindje të plotë.                                                                                                                                                        

Kështu, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit  të tranzicionit, më 21 nëntor 2023 dhe botuar në shumicën e mediave shqiptare si SOT, SYRI TV, Standard Online, etj. , vlerëson negativisht Shqipërinë në kapitullin e “mirë-qeverisjes”, me 4.71 pikë nga 10 të mundshmet. I vetmi vend që Shqipëria lë pas është Bosnje-Hercegovina e cila ka marrë 4.09 pikë. Në vlerësimet e BERZH Kosova renditet më sipër Shqipërisë, me 4.85 pikë. Raporti pasqyron rënie të Shqipërisë në kapitullin e “mirë-qeverisjes” vit pas viti. Kështu në vitin 2016 Shqipëria vlerësohej me 5.28 pikë dhe në vitin 2022 me 4.74 pikë. Në vend të parë për qeverisjen e mirë në vitin 2023 në rajon rezulton Mali i Zi me 6.34 pikë, ndërsa pas tij renditen Rumania, Bullgaria Serbia, Greqia.                                                                     

Sipas Monitor, Balkanweb, më 25 Korrik, 2023 Shqipëria ishte vendi me pagën minimale më të ulët në Europë, sipas fuqisë blerëse, në përditësimin e fundit të Eurostat, që i përket datës 20 korrik 2023. Në Shqipëri paga minimale është 375 euro. Në Mal të Zi, paga minimale është 532 euro, më e larta në rajon. Në Serbi paga minimale është 460 euro. Sipas Eurostat, e matur sipas fuqisë blerëse (PPS), që nënkupton të ardhurat të përshtatura me nivelin e çmimeve, paga minimale në Shqipëri ka akoma më pak vlerë. Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë, me 549 PPS dhe me atë mund të blesh shumë më pak sesa në vendet e tjera të rajonit...!? Për të mbuluar si me gjethe fiqsh lakuriqësinë e këtyre të vërtetave të hidhura dhe stresuese, më saktë të dështimeve të tij në shumicën e fushave apo “fronteve”,  kryeministri Edi Rama, si “kopjues modern apo i sofistikuar” i Enver Hoxhës që i krahasonte “fitorjet e tij” me vitin 1938 dhe për të mashtruar sa më gjatë popullin bënte “kurbanë” në Byronë Politike e qeveri, prish dhe sajon ministrira, shton festa zyrtare, dozat e vetëlavdërimeve dhe të premtimeve rrenëse... Për të qenë realistë dhe objektivë nuk mund të mohohet apo kundërshtohet se, sidomos këto vitet e fundit, me kanabizimin apo ekuadorizimin e mbarë vendit, me plotpushtetizimin e korrupsionit,  ka bum në ndërtimet për banesa dhe për turizëm, shoqëruar edhe me shumëfishimin e çmimit për 1 metër katror tokë dhe apartament apo zyrë...

Gjithashtu, më 2022-2023 ka pasur rritje të lartë edhe shifra e turistëve, sidomos nga vende të BE-së, shtetas të mirëfilltë evropianoperëndimore apo emigrantë shqiptarë me punë, jetesë familjare dhe me dokumente të plota identifikimi dhe legalizimi në këto vende. Nëse vazhdohet vëzhgimi dhe analiza arrihet lehtësisht në “zbulimin” jo surprizues se prej këtyre bumeve janë pasuruar 10.000, 50.000, 100.000, 200.000 individë e familje, kryesisht të punësuar në administratën qeveritare-shtetërore e në disa kompani të mëdha biznesesh...! Por, Shqipëria ka rreth 750.000 familje dhe rreth 2. 5 milionë banorë, sepse afro 750-800 mijë ikur këta 10 vitet e fundit! Shumica e pensionistëve, rreth 500 mijë vetë i kanë pensionet nga 100- 250 euro në muaj, kur çmimet këtu janë dyfishuar në krahasim me vitin 2013 e kostoja e jetesës shtrenjtohet pareshtur. Me këto të ardhura të ulta mujore, 60% e familjeve nuk mund të bëjnë as 1 javë pushime në plazhet e Shqipërisë. Kjo edhe për dukurinë e përjetueshme apo faktin se edhe nëpër plazhe, sidomos në ato të Vlorës, Himarës, Sarandës, Kavajës, Durrësit, Gjirit të Lalzit, Shëngjinit, Velipojës..., janë rritur ndjeshëm çmimet e apartamenteve me qera, të ushqimeve, bar-restoranteve...Këtu në Shqipëri, edhe nafta e benzina, edhe pse jemi vend prodhues, është ma e shtrenjtë se në vende jo prodhuese si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi!                                                                                

Shkurt e shqip, ka "bum" në pamje, për kamera e ekrane por jo në mirëqenie e jetesë. Në këto kushte përmbytjeje prej shifrash, bumesh, premtimesh, festash rrense...na mbetet të urojmë: Lum kush sa më gjatë të rrojë që “frutat” e premtimeve, “bumeve”, “rekordeve”, “rritjeve” të Rama- parti- qeverisë t'i  përjetojë, t'i provojë e shijojë, para se në  spital neuro-psikiatrik ose në varr të shkojë ...!                                                       

Edhe pse po përjetojmë prej rreth 10 vitesh rritje të ndjeshme papunësie, varfërie, çmimesh, emigracioni, kriminaliteti, përsëri nga shumë njerëz dëgjon të thonë jo krejt pa arsye e jo krejt pa logjikshëm: "Jam i bindur se kjo qeverisje është tërbuar e vetëdjegur nga korrupsioni sa nuk durohet më, por nuk dal në shesh për protesta kundër saj, sidomos me këta liderë që ka PD dhe opozita..."! Nuk janë të paktë ata që justifikohen me sinqeritet: "nuk mund të dal në protesta, sepse kam djalin dhe nusen e tij në punë shteti...Më shikojnë dhe i heqin nga vendet e punës, me rroga të mira...!"

Atëherë, këtyre mund t’u bëhet pyetja: përse nuk mendoni dhe kërkoni që edhe në Shqipëri të ketë shtet, në të cilin rrotacionet qeverisëse të mos shoqërohen me qelizëm hakmarrës allashqiptar në piramidën  administrative, qeverisëse, shtetërore??? Deri kur do të vazhdojë kjo traditë dhe praktikë aspak demokratike dhe ligjore??? Të mirëkuptohemi, nuk është fjala për të dalë në sheshe si anëtar partie, si opozitar apo demokrat! E mira e çdo qytetari dhe fshatari është të dalë në shesh si pensionist, si qytetar, si fermer, siç dolën masivisht pak ditë më parë fermerët në Gjermani kundër paketës ekonomike të qeverisë trepalëshe të kryesuar nga SPD dhe kancelari Olaf Scholz, me kundërshtim parësor ndaj rritjes së taksës dhe çmimit të naftës. Një pjesë e madhe e tyre kanë votuar për këtë qeverisje të së majtës. Por, pasi janë ndjerë të zhgënjyer prej saj, e kanë flakur preferencën e tyre personale partiake dhe i janë kundërvënë në këtë formë..., me mesazhin e lehtë nënkuptueshëm nga Scholz dhe qeveria e tij: mos prisni më vota nga ne në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por përgatituni shpirtërisht për një humbje të rëndë dhe rikthimin në opozitë!                                                                                                                   

Nënkuptueshëm, nëse nuk del në shesh si qytetar për rritje page, pensioni, mirëqenie, për demokraci të vërtetë, për shtet ligjor dhe social funksional, atëherë do të vazhdosh edhe për 10-20-30... vjet të tjerë të rrish e jetosh me paga dhe pensione mujorë allashqiptare, në rreth 15.000- 40.000 lekë, kur në vende të Perëndimit  për të njëjtat punë paguhen 5- 10 herë më shumë dhe çmimet e shumicës së ushqimeve i kanë rreth 25-50% më të lirë! Nëse do t'i presim të mirat nga ZOTI në qiell dhe nga kafeneja apo nga divani, duke parë 4-5 herë në çdo emision Edi Ramën, 2 - 3 herë Sali Berishën...,është e sigurt se ne nuk do t'i përjetojmë të mirat që premtojnë këta me shokë e shoqe sa të jemi gjallë! Por, nuk do të na e falin as nipërit dhe mbesat, as ZOTI nëqoftëse i lëmë këta të mbretërojnë si deri sot, edhe 79 vjet të tjerë! Në mënyrë figurative, atyre që janë besimtarë të zellshëm, myslimanë e të krishterë, ZOTI apo PERËNDIA mund edhe t’u thotë: kur nuk ke dashur e nuk do vetveten, familjen tënde dhe vendin tënd, si mund të besoj se më ke dashur dhe më do edhe mua...???

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat