21 janari 2011 kërkon drejtësi e jo lot krokodili!

Opinione

21 janari 2011 kërkon drejtësi e jo lot krokodili!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 21 janar 2024 Në ora: 10:40
Xhevat Mustafa

21 janari 2011, pasurim i "thesarit teoriko- praktik të revolucionit bolsheviko- shqiptaro- greko-serbo-mafioz…të 1997-ës” si dhe të shpërthimit jo aksidental, por "të telekomanduar" në Gërdec, me objektiv rrëmbimin e monopolit të hekurit për ndërtim nga bosë të PS-së, mund të quhet "kryevepra" e PS- së në "artin" apo "historinë" e protestave të dhunshme, edhe përtej Shqipërisë, me synim ardhjen në pushtet, më çdo rrugë, formë, çmim, mjet...!Atë ditë të 13 viteve më pare, nga organizatorët kryesorë, që e drejtonin demonstratën nga Tower 2, nga “Bar West”, përballë me ish Piramidën e Enver Hoxhës dhe nga disa gardistë e policë, nuk u kursyen as 4 jetë njerëzore dhe as plagët dhe dhimbjet e disa të plagosurve, që meritojnë keqardhje, respekt e drejtësi! Nuk u kursyen as kilogramë bojë të kuqe të lëngshme afërsisht si gjaku, për të lyer koka e fytyra protestuesish, për t'i reklamuar si të plagosur të vërtetë, për të mashtruar shqiptarët dhe ndërkombëtarët...

Nga Tom Doshi dhe bosë të tjerë socialistë, nuk u kursyen as dhjetra miliona lekë për të paguar pjesëmarrësit, sidomos ata më të dhunshëm..! Synimi dhe llogaria e organizatorëve, ndihmuar "vëllazërisht" dhe "bujarisht" edhe nga Ina Rama e Bamir Topi, për të bërë lëmsh gëzhojat e mbetura në rrugë e trotuare, duke hequr ato të dalë nga armë brenda turmës, ishte e lehtëkuptueshme: viktimat t'u liheshin të katërt në derë gardistëve, domethënë Sali Berishës, Lulzim Bashës.... Ky i fundit duhej "djegur" politikisht, që të përjashtohej nga mundësia të dilte si kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës, që e kishte parandjerë humbjen e sigurtë prej tij në betejën elektorale të pas disa muajve.. Fakti se edhe pas 13 vjetësh nga kjo ngjarje tragjike, pas afro 10 vjetësh e gjysëm të PS në pushtet, Edi Rama me shokë e shoqe, "janë kujtuar" sa për të la gojën për dosjen e saj, për të ndriçuar plotësisht të vërtetën dhe për të ndëshkuar ligjërisht e ndershmërisht organizatorët, fajtorët, vrasësit, urdhëruesit apo paguesit e tyre nënkupton edhe mundësinë se disa prej fajtorëve mund të ishin në gjirin e tyre dhe se drejtësia nuk do ta kishte të vështrirë të arrinte tek ata vetë....Dy nga viktimat, sipas skenarit, mund të jenë qëlluar pas kurrizit, me pistoleta me silienciator, të fshehura në ombrella të vogla! Njera prej këtyre skenave është transmetuar disa herë në kronikat televizive të gjithë mbrëmjes së 21 janarit 2011 dhe të nesërmen. Në anën e majtë të rrugicës që ngjitet për nga hyrja në anën veriore të Kryeministrisë, njeri nga vrasësit e mundshëm, një burrë shtatmesëm, me xhup të zi, i ofrohet pas kurrizit njerit prej demonstruesve, i vendos “ombrellën” në pjesën pas kurrizit dhe sqetullës së djathtë dhe viktima rrëzohet shakull të tokë…Autori, pasi vështron me shpejtësi përreth, largohet me hapa të shpejtë drejt Piramidës dhe rrugës në krahun e djathtë të Lanës, për të vazhduar, me shumë gjasa, drejt rrugës së Elbasanit. Sipas një burimi okular dhe që e njihte këtë njeri, (me shumë gjasa ish sigurims) ai është ndihmuar të largohet po atë natë për në Greqi…) Në përvjetorët e mëvonshëm të 21 Janarit, nga 2014-ta e deri vjet, kjo skenë nuk shikohet më, me shumë gjasa viktimë e një gërshëre censuruese dhe duarsh “faktedjegëse”…

Meqenëse jemi tek kjo ngjarje, po i referohem edhe një detaji tjetër, gjithashtu shumë shprehës apo lakuriqësues, se cilët në të vërtetë ishin të interesuarit dhe të fituarit më të mëdhenj nga 21 janari 2011 dhe nga katër viktimat e asaj dite të kobshme e të turpshme...Shumëkujt duhet t’i kujtohet kërcënimi publik, në media, i Tom Doshit drejtuar Edi Ramës, në kohën e "luftës brenda lloit" mes tyre, në fillim mars 2015: “Nëqoftëse me burgos dhe dënon mua, unë do të tregoj të vërtetën për 21 janarin...!" Këtij kërcënimi i jam referuar në një analizë botuar në “Gazeta Shqiptare” në atë kohë, me 10 mars 2015... Domethënë, ka dy të vërteta: njera, ajo që dijmë ne si qytetarë nga mediat dhe e dyta, ajo që dinë vetëm Tom Doshi dhe Edi Rama... Dhe dihet se ky “plumb i fundit” apo kërcënim i Tom Doshit, pati efekt të shpejtë tek Edi Rama. Është fakt se Tom Doshi shpëtoi nga burgu dhe pas pak javëve u bë përsëri shok për kokë me Edi Ramën...Sikur të kishim shtet dhe demokraci të vërtetë, prokurori me profesionistë të aftë, kurajozë dhe të ndershëm, që të guxonin t'u thonin Tomës dhe Edit: pa hajdeni një herë këtu dhe na tregoni cila është e vërteta e dytë apo e juaja, me shumë gjasa të dy nuk do të ishin aty ku janë dhe më të njejtat mandate, pushtete, privilegje, përfitime.

Për përforcim faktik, logjik, argumentimi dhe besueshmërie, po i referohem edhe një shkrimi të publikuar në Exit.al, më 14.05.2019, me autore Alba Mborjen. Sipas saj, në 21 shkurt 2013, atëherë në opozitë, Edi Rama nuk e njohu vendimin e gjykatës për pafajësinë e të akuzuarve për 21 Janarin, ndër të cilët edhe Agron Malaj. Atëherë ai e cilësoi vendimin “si më barbarin e drejtësisë së post-diktaturës dhe i premtoi familjarëve të viktimave se drejtësia do të vendosej kur ai të vinte në pushtet…”

Dy vjet e ca më pas, pa pritur drejtësinë që do të bënte drejtësi, Rama e shpalli vetë të pafajshëm Agron Malajn dhe e bëri kryetar të PS-së për Matin, drejtor të OSHEE-së dhe kandidat për kryebashkiak të Burrelit, detyrë që e kryen edhe sot e kësaj dite…Pa asnjë paragjykim për fajësinë dhe pafajësinë e Agron Malajt, kandidimi i tij nga Edi Rama është të paktën moralisht shpërfillje dhe mungesë ndjeshmërie ndaj familjeve të viktimave. “Lidhur me këtë ngjarje, është shumë shprehës edhe kryetitulli i faqes së parë të gazetës “Telegraf”, më 21 janar 2016, me tekstin ”Gjenerali” i 21 janarit zgjidhet kryetar i PS-së”, ripublikuar në facebook, më 20 janar 2022.

Sipas meje, edhe si dëshmitar okular, 21 janari 2011 është 100% skenar dhe vepër e Rama-partisë, me synim apo objektiv final rikthimin sa më të shpejtë dhe me çdo rrugë e mënyrë në pushtet!

Mëshirë dhe drejtësi dhe jo lotë krokodili për 4 viktimat e 21 janarit 2011, ndëshkim ligjor e qiellor për “skenaristin, regjisorin, aktorët kryesorë”, për vrasësit e tyre me armë apo me celularë…! Ata njihen, dihen dhe gjenden lehtë, sepse SPAK- u “i ka tek... pragu”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat