Për zgjedhjet në FSHMN të Universitetit të Prishtinës

Opinione

Për zgjedhjet në FSHMN të Universitetit të Prishtinës

Nga: Prof.Dr. Naim Syla Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 21:07
Prof.Dr. Naim Syla

Ka ditë ose javë që ndihet era e zgjedhjeve në FSHMN të Universitetit të Prishtinës. Thjeshtë, kanë filluar grupe dhe individ të takohen dhe të diskutojnë për punën e zgjedhjeve në FSHMN. Ndonjëherë të krijohet përshtypja se po të ngushtohet hapësira për të pirë një kafe me një mikë/e ose kolegë/e. Kjo ndodhë, sepse, që në mëngjes shihen njerëz të njëjtë, të ulur pothuajse me grupe të njëjta e të cilët kanë për temë vetëm një pikë, si t’i “fitojmë zgjedhjet”. Pse ndodhë kështu? Me siguri përgjigjen duhet kërkuar në modelin ose rregulloren për zgjedhje. Rregullorja e zgjedhjeve në FSHMN nuk siguron barazi të departamenteve, por siguron barazi të individit. Kjo rregullore na u “dhurua” pas luftës nga OSBE dhe ngeli si e tillë.  Sipas kësaj rregullore, stafi akademikë në FSHMN është një dhe i vetëm dhe si i tillë me votën e lirë zgjedhë këshillin. Në parim mund të duket ok, mirëpo në praktikë nuk doli të jetë kështu, sepse fuqia dhe interesi i departamenteve nuk është real dhe efektiv në këshill të FSHMN-së. Edhe më saktë, sipas këtij modeli, këshilli  vështir se përbëhet nga  stafi i departamenteve, por kryesisht nga  stafi akademikë i përzgjedhur nga grupe të caktuara. Njerëz të caktuar ndërtojnë bërthamat e grupeve dhe që herët fillojnë takimet me stafin akademikë për ta rrit grupin dhe kështu për t’i “fituar” zgjedhjet. Ose, mund të thuhet se, si rezultat i takimeve të shpeshta në kafene përballë fakultetit, ndërtohet “buldozeri votues” në të cilën përfshihen emrat nga stafi akademikë për t’i “fituar” zgjedhjet sigurt. Gjatë këtyre takimeve bëhen edhe pazare jo të hijshme në kuptimin akademikë. Bërthamat e këtyre grupeve ndërtohen që herët nga disa kolegë tanë. Logjika e ndërtimit të këtyre grupeve nuk është përmbajta akademike, mirëpo është logjika e numrave. Në këto pazare më së shumti dëmtohen departamentet që kanë numër të vogël të stafit akademikë si: fizika, gjeografia e dikur edhe matematika. Mirëpo si ishte dikur? Me sa mbajë mend, deri në vitin 2005 (nëse nuk gabohem), këshilli përbëhej nga numri i barabartë i stafit akademikë të pesë departamenteve të FSHMN-së: Biologjisë, Fizikës, Gjeografisë, Kimisë dhe Matematikës. Madje ishte një rregull, të parët shkonin profesorët me thirrjen akademike profesor i rregullt e pastaj plotësohej me të tjerë. Një këshill i tillë ishte reprezentativë për të gjitha departamente e FSHMN-së.  Pavarësisht numrit të stafit nëpër departamente, numri pjesëmarrës në këshill ishte i barabartë. Kjo mundësonte trajtimin e temave të të gjitha departamenteve barabarësish.  Në këtë rast nuk kishte fushatë disamujore. Dekani ose udhëheqja e këshillit nuk kishte nevojë për ndonjë strategji të kohëpaskohshme për të ruajtur numrat në këshill.

Përfundimisht, unë mendoj se qelës i zhvillimit të Universitetit të Prishtinës janë departamentet. Me fuqizimin e tyre, fuqizohet profesionalizmi i cili determinon zhvillimin e vendit tonë. Për këtë arsye do të ishte mirë që  KD e UP ose organet e Qeverisë tonë të rishikojnë modelin e zgjedhjeve në FSHMN, dhe jo vetëm kaq,  në rast nevoje edhe në ndonjë fakultet tjetër të UP.  Vetëm një këshill i ndërtuar nga departamentet e jo nga grupet e interesave të caktuara, do të jetë në gjendje të diskutojë dhe vendosë për: avancimin e stafit akademikë, prurjet e reja akademike, programet studimore, hapjen e departamenteve të reja e kështu me radhë.  Në të kundërtën në çdo katër vite do të kemi zgjedhje, mirëpo zgjidhje dhe përmirësim të situatës në FSHMN jo. Qofsha i gabuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat