Po na prishni me Amerikën!

Opinione

Po na prishni me Amerikën!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 08:37
Zejnullah Jakupi

Debati, jo vetëm në media, por gjithandej i kuptuar si një diskurs që përfshinë debatet dhe komunikimet politike në tribuna politike, konferenca shtypi të mbylluara dhe të hapura, pa harruar edhe komunikimet ndërpersonale duhet thënë se ka një tendencë sikur në vitin 2021 kur u rrëzua qeveria Kurti I, edhe tani, përkundër që Qeveria Kurti II ka arritur të fitojë sfidat karshi veriut, një nga një, prapseprapë opozita ka qëllim ta „turbullojë ujin“, duke hedhur akuza se Albin Kurti dhe qeveria e tij po na prishë me SHBA-në.

Nga koha kur Albin Kurti dhe LVV bashkë me Listën GUXO dhe AD etj, fituan mbi 50 përqind të votave dhe e bënë qeverinë, megjithatë akuzat e tyre nuk pushuan. Kritikat e tilla vinin nga të gjitha anët; nga profesorë të univerzitetit që kishin „lulëzuar“ ose ishin akomoduar në Kohën e Artë, në kohën e Prontos. Në mesin e tyre ishin edhe analistët dhe gazetarët dhe mediet e tyre të cilët gjithashtu ishin ngritur dhe kishin themeluar bizneset nga ajo kohë por edhe më vonë, kur disa media u themeluan që ta luftojnë Albin Kurti në opinionin publik, për ta zbehur besimin e elektoratit ndaj tij duke e shitur këtë lloj propagande si gazetari profesionale, por që lindja e medieve të tyre ishte „investim“ nga „fondet“ e atyre që e humbën pushtetin.

Akuzues ndaj qeverisë të Albin Kurti ishin edhe ish-diplomatë dhe natyrisht personalitete edhe nga fusha e kulturës dhe sfera tjera.
Akuza e tyre e përsëritur çdo ditë ishte: Albin Kurti po na prishë me Amerikën! Synimi ka qenë dhe mbetet një trategji e tematizimit në opinionin ndërkombëtarë dhe tek vet amerikanët, pra tek miqtë tanë. Dhe kjo, natyrisht se ka jehonë negative anipse qeveria e Albin Kurtit – një pas një po i zgjidhë problemet në veri dhe po e kthen veriun në sovranitetin e Republikës së Kosovës duke e bërë atë funksional dhe të qeverisur nga autoritetet kosovare.

SHBA e di dhe mund ta marrë vesh se kush është Albin Kurti? Natyrisht se informtorët e Kosovës, të njohur si agjitator vazhdimisht kanë shpifur dhe shpifin për Albin Kurtin dhe LVV-në.

Na kujtohet kur e akuzonin Albin Kurtin për „bolshevizëm“, por ai na doli socialdemokrat evropian. Gjithmonë e kam thënë, nga viti 2007 dhe argumentuar dhe mbrojtur dhe kuptuar mirë dhe drejtë se Albin Kurti është më i mirë se këta që po deklarohen si „demokrat“.

Edhe tani, sikur në vitin 2021 e akuzojnë për antiamerikanizëm. Gjithashtu e padrejtë. Ka mundësi që kundërshtarët politik edhe me vizitat e tyre në SHBA, pa i ftuar kush, përditë i dërgojnë info- shpifje të tilla për Kurtin dhe LVV dhe SHBA në këtë drejtim është e ndijeshme. Të mos themi se SHBA nuk i dëgjon ata fare. Gjithsesi ta themi se edhe SHBA i ka informatorët e saj, këtupari.

Kryeministri Albin Kurti po sillet si burrështetas dhe po bashkëpunon me SHBA-në dhe BE-në. Të gjitha kërkesat amerikane i ka zbatuar dhe po i zbaton. Shtrohet pyetja: Pse atëherë SHBA po e kritikon, po thotë është cënuar partneriteti mes Kosovës dhe SHBA-ve gjatë këtyre viteve?

M.Weller këshilltari i Albin Kurtit po e thotë se nuk ka kërkesa që Albin Kurti nuk i ka plotësuar. E çka kanë pra SHBA-të që janë hidhëruar me Albin Kurtin? Mos vallë po bëhet ky sinjal nga frika e një eskalimi të mundshëm të konfliktit në veri?

Duket në fakt e kundërta, sepse Albin Kurti, edhe pse flet për rrezikun e ndonjë eskalimi, ai gjithmonë është syçelë. Tani po i kthehet integrimit të serbëve në veri dhe kudo, në çdo cep të Kosovës duke investuar për të ardhmen e gjithë qytetarëve të saj.

Albin Kurti dhe qeveria e tij treguan gjithë këto vite të qeverisjes përkushtim dhe ja dolën me sukses t´i menaxhojnë tensionet e një pas njëshme në veri të provokuara nga Serbia, të cilat Albin Kurti i ka tejkaluar me zgjidhje në favor të shtetit të Kosovës. Kthimin e sovranitetit, luftimin e bandave të krimit në veri dhe gjithkund në Kosovë.

 Akuzat për „revizionizëm“

Me qëllim për të dëmtuar imazhin publik dhe diskursin e tij për qeverisjen e mirë, opozita e ndjek hap pas hapi duke i´a aktivizuar agjentët medial dhe ata diplomatik e duke e akuzuar për një revizionizm historik absurd.

Ta marrim vetëm një shembull: Qeverisë së Kosovës i hidhet akuza se po synon ta rishkruajë historinë. Me këtë rast akuzohet për renovimin e Kullës së Xhafer Devës nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës duke thënë se po bëjnë përpjekje për rehabilitimin e regjimit nazifashist nga Lufta e Dytë Botërore edhe pse rinovimi nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës ishte vazhdimësi e mirëmbajtjes dhe rinovimit të objekteve të rëndësishme në vend. Dihet botërisht se renovimi i kullës së Xhafer Devës nuk ishte i orientuar në mënyrë specifike vetëm për këtë objekt, por përfshinte të gjitha objektet me rëndësi kulturore.

Indirekt edhe pse pa fakte, por bazuar në shpifje për gjoja një mohimi i një seri ngjarjesh dhune nga autoritetet shtetërore.

Disa nga oponentët të spektrit politik gjatë dhe pas luftë në Kosovë, në thelb kanë qenë përkrahës të rezhimit komunist në Shqipëri, i kanë politizuar edhe mediet, i kanë bërë në fakt media revizioniste dhe nga andej gjatë dhe pas luftës kanë aplikuar modelin e kusuritjeve politike (ardhjes ose konsolidimit të pushtetit të tyre) e si rezultat i këtyre ndodhën shumë „vrasje politike“ të cilat ende mbesin të pa zbuluara, por që nuk cilësohen si ngjarje dhune të ushtruara nga autoritetet shtetërore.

LVV-ja e ditëve tona "the new generation"

LVV (si parti socialdemokrate) në veçanti, por edhe socialdemokratët shqiptarë në përgjithësi, d.m.th edhe ata të vitit 2022, por edhe ata në Gjermani të vitit 1930 dhe kudo në Evropë, kanë qenë dhe janë kundërshtarët më të mëdhenj të Nacionalsocializmit dhe rezhimit të Hitlerit. Por edhe të komunizmit dhe sistemeve diktatoriale.

Socialdemokratët sot në shtetet e BE-së përbëjnë qeverisjet e shumicës së shteteve në fjalë. Hulumtimet e bëra në fushën e medieve nga vitet 80-ta të shekullit të kaluara kanë treguar, sidomos ato në Gjermani se mediet kanë qenë atje gjithmonë të orientuara kundër spektrit djathtist dhe duke përkrahur vazhdimisht SPD-në gjermane. Ndërsa në Kosovë ndodhë e kundërta. LVV nuk ka asnjë media, asnjë TV, ndërsa në debate ajo është vazhdimisht në shënjestër të sulmeve verbale kritikuese dhe shpesh edhe fyese ndaj saj.

Zanafilla e revizionistëve të vërtetë

Revizionistët klasik janë në fakt radikalët e krahut të djathtë (nazistët dhe fashistët) ata edhe mediet i kanë patur në anën e tyre, kanë qenë dhe që janë të interesuar të ndryshojnë pikëpamjen e historisë dhe i referohen vetes si "revizionistë". Fillimisht kishte nacional socialistë të vjetër që kishin punuar në mbrojtjen e nacionalsocializmit që nga vitet 1950. Së pari, ata kërkuan të minimizonin fajësinë gjermane për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Në fillim të viteve 1960, si dëshmitar kyç shërbeu libri i amerikanit David L. Hoggan "The Forced War", i cili u botua nga radikali i djathtë Grabert Verlag. Ai u paraqit si një studim shkencor dhe përmbante një mori citatesh burimesh dhe referenca të kryqëzuara, fusnota dhe referenca. Kjo kishte për qëllim të krijonte pamjen e seriozitetit dhe njohurive gjithëpërfshirëse të dokumenteve dhe të paraqiste tablonë historike që e portretizonte Hitlerin si një burrë shteti epror, paqësor dhe kundërshtarët e tij si përbindësha luftarakë.

A ka „revizionist“ social-demokrat?

Nëse ka dhe, natyrisht mund të ketë revizionist social-demokrat, ata mund të jenë dhe janë reformistë, reformatorë të maksizmit klasik duke e riformatuar atë në një rishkrim neomarksist dhe në një socialdemokraci me fytyrë njeri, solidare dhe me perspektiva duke u bërë model i qeverisjes prosperuese e cila po praktikohet dhe po funksionon mirë, e kombinuar si një sistem i kombinuar, me treg të lirë dhe ekonomi sociale në shumë vende të BE-së. Në Gjermani por edhe në Kosovë ku qeverisin social-demokratët të githë mediet ose shumicën e tyre e kanë opozitë. Ndërsa në Rusi, si dikur Hitleri në Gjermani dhe Sllobodan Millosheviqi në Serbi, i mbanin mediet nën tutelën e tyre.

Revizionisti tipik radikal sot mund të quhet Vladimir Putini, i cili nuk e duron Rendin Botëror, Fjalën e Lirë, të Drejtat e Njeriut, sovranitetin e shteteve të pavaruara. Nuk e duron Ukrainën e Pavarur, SHBA-në etj. Nuk e duron as zërin kritik opozitar, por e vret në burg edhe vëllaun e kombit të tij, prijësin e opozitës Alexei Anatoljewitsch Nawalny. Autokratët dhe dikatatorët si zakonisht nuk e sfidojnë njëri-tjetrin në kutinë e votimit por e hjekin qafe njëri-tjetrin me vrasje dhe likujdime.

Albin Kurti është modeli më i mirë i politikanit të moderuar

Albin Kurti dëshiron ta bëjë një Kosovë, një shtet të së drejtës, shtet multietnik, qytetarë dhe të barabartë për të gjithë, pa akuzuar dhe frikësuar ose sulmuar oponentë politik, por as pa bërë trysni mbi mediet dhe fjalën e lirë. Albin Kurti po e forcon shtetin e së drejtës, shtetin sovranist dhe të mirëqenies, shtetin e zhvillimit, shtetin dhe lirinë e fituar me shumë sakrifica, të ngritur dhe të mbrojtur nga SHBA, NATO dhe BE.

Kosova e qeverisur nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani është më fortë, më properëndimore, më proamerikane, më prosperuese dhe mbi të gjitha më pluraliste e liberale e cila i mbron dhe i çmon vlerat Evroperëndimore.

Albin Kurti me këtë çasje nuk mund të jetë kundër SHBA-së. Ai është për shtetin e lirë, sovran që synon integrimin në BE dhe NATO. Për një shtet dhe qeversje që do ta paqësojë gjithë Evropën Perëndimore, duke përfshirë dhe Ballkanin Perëndimor, të lënë prej kohësh të harruar në periferi. Shteti më i ri në Ballkan dhe Evropë për 23 vite rrjesht nuk ja dilte mbarë t´i luftonte bandat në veri që ja zinin frymën dhe natyrisht shumica e elitës kosovare më shumë pëlqente kolltuket, pushtetin dhe natyrisht më pak konfrontimin dhe zgjidhjen e problemeve atje. Por edhe atëherë kur u tentua të ndryshohej gjendja në terren si ajo gjatë intervenimit në veri në vitin 2011, gjithmonë na bëheshin të njëjtat akuza.

Po na prishni me Amerikën!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat