Intervistë me zotin Fredi Beleri

Opinione

Intervistë me zotin Fredi Beleri

Nga: Sherif Ramabaja Më: 6 mars 2024 Në ora: 13:15
Autori Sherif Ramabaja

Z. Beleri brenda natës u bëtë i popullarizuar. Sot ju po e kërkoni ndihmën e Greqisë e cila po e kërcënon Shqipërisë: ose Beleri të kurorëzohet si kryetar i Bashkisë së Himarës, ose Shqipëria do të pengohet në integrimin e EU.  A ndiheni ju fajtor për këtë.

Z. Fredi Beleri: Kjo nuk do të duhej të ndodhte sepse ishte çështje e brendshme, po Rama është fajtori kryesor, pse puna shkoi aq larg. Me një fjalë Rama nuk donte që opozita të merrte asnjë Bashki. Mua më futën në burg duke më etiketuar si mashtrues, blerës të votës së lirë duke ma mohuar fitoren. Çfarë të bëja tjetër, kush do më mbronte, unë si minoritar u detyrova të kërkoja ndihmën e Greqisë. Tash lufta është bart në rrethin diplomatik dhe nuk do të jetë lehtë për asnjërën palë, kur dihet e kaluara jo aq e mirë brenda shteteve tona.

Mua filluan të më akuzojnë se shtetit grek i kam premtuar helenizimin e Himarës, në mënyrë që Greqia të ketë fakte për pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Po ashtu haptas flasin se unë do ti joshja qytetarët me të mira materiale, punësim, pensione, privilegje për ata që shkollohen në shkollat greke, bursa dhe programe sociale, vetëm e vetëm që të regjistroheshin si grekë, në mënyrë që ta ndërronim strukturën e popullsisë në Himarë.

Unë si synim e kisha zgjidhjen e problemeve për qytetarët, pa dallim se si ata regjistrohen shqiptar, apo grek. Mua mi mveshën të gjitha këto edhe pse nuk kisha hartuar ndonjë program për greqizimin e Himarës. Kjo do të mbetej vetëm në baza vullnetare. Me zotin Vangjel Dule koordinoheshim në përmirësimin dhe përparimin e minoritetit grek, por pa pretenduar që t´i bënim presion dikujt. Ne flasim shqip dhe angazhohemi si gjithë shqiptarët për përparimin e Shqipërisë, kuptohet me ndihmën e Greqisë si shtet i EU.

Z. Beleri, tezat e juaja dhe të Z. Vangjel Dule janë të njohura që punoni haptas në favor të Greqisë duke u munduar të krijoni përçarje. Krijohet përshtypja që ju jetoni në Greqi e jo në Shqipëri. Gjithçka mundoheni ta politizoni. E rrisni numrin e minoritetit grek në Shqipëri. Me programe të veçanta, duke e shfrytëzuar varfërinë, mundoheni që ti joshni njerëzit të regjistrohen si grek etj. Derisa shqiptarët kanë fakte të gjalla për tragjedinë dhe gjenocidin në Çamëri, ju punoni që Greqisë ti krijohen mundësi për pushtimin e jugut, duke e mohuar dhe mbajtur në heshtje çështjen e dhimbshme Çame, madje Greqia ende e mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Këto janë fakte të pamohueshme.

Z. Fredi Beleri: Ne e kuptojmë frikën tuaj, po pyetja e juaj është tepër delikate dhe tepër e nxehtë për mua. Unë jam vetëm një politikan lokal dhe nuk është në kompetencën time të flas për tema kaq të mëdha. Këto gjëra duhet të rregullohen brenda dy shteteve tona, po me sa di unë Rama kurrë se ka hapur këtë temë. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera që si shembull do ta merrja edhe Zotin Janatullosi si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare. Kjo flet se neve na bashkojnë shumë gjëra, se sa na ndajnë. Brengat e shqiptarëve më shumë shfaqen si frikë, gjoja që ne po punojmë kundër Shqipërisë, sesa e bëjmë në realitet këtë.

Z. Beleri, sa i përket burgosjes suaj Rama shfajësohet se kjo e tëra është çështje e organeve të drejtësisë. Faktet gjyqësore flasin se ju kishit tërësisht pretendime politike, që i tejkalon kompetencat e juaja si kuadër i një grupacioni politik. Po u vërtetuan këto gjëra është një akuzë e rëndë që të klasifikohet edhe si tradhti ndaj sigurisë nacionale. A jeni i vetëdijshëm se në çka jeni involvuar, apo ju kanë premtuar se ndodhi çfarë ndodhi, shtetin Grek do ta keni pas.

Z. Fredi Beleri: Këto janë të tëra shpifje. Unë nuk mendoja të hyja aq thellë. Zgjedhjet i fitova dhe doja të shpallesha si kryetar Bashkie. Procesi im u kurdis me prapavijë politike dhe për të gjitha fajtor është Rama. Ai i ka uzurpuar të tëra institucionet dhe vetë pretë e vetë qepë.

Tash pasi ndodhem në këtë pozitë shteti grek kuptohet që mi vuri në dispozicion  edhe avokatë që të më shpallin si të pafajshëm. Seancat gjyqësore u shtyn qëllimisht deri më sot, vetëm të mos ndodhte inaugurimi im si kryetar Bashkie, kurse tash ma shpallën edhe dënimin. Kuptohet tash edhe mosbesimi ndaj meje është rritur edhe në Himarë, kur dëgjojnë se shteti Grek po angazhohet për mua, pastaj emërimi i avokatëve grek etj.

 Në seancën e fundit ishit po ashtu dëshmitarë kur një gazetare iu drejtua avokatëve të mi me pyetje provokuese mbi Çamërinë. Ndaj këtij provokimi reagoi edhe zoti Vangjel Dule, i cili kërkoi që nuk jemi takuar këtu për Çamërinë po për Belerin. Çamëria tash ndodhet thellë në Greqi, po sot është fjala për Himarën, Sarandën, Dhërminë e tërë jugun e Shqipërisë ku jeton minoriteti grek. Ne duam këto zona vetëm ti zhvillojmë, ta intensifikojmë dhe përparojmë shkollimin dhe ta ruajmë gjuhën greke, si gjuhë zyrtare. Këto të drejta janë të garantuara nga EU për çdo minoritetet, pra edhe për ne.

Me Çamërinë ne s´kemi të bëjmë, as nuk e dimë se çfarë ka ndodhur. E kaluara mbetet e kaluar. Rama rregullisht thotë, të nisemi nga e tashmja.

Faktet janë se minoriteti grek po vjen gjithnjë duke u rritur në Shqipëri, përndryshe unë nuk do i kisha fituar zgjedhjet në Himarë. Pse jo, nesër mund t´i fitojmë edhe në Tiranë.

Z. Beleri, a ju ka përkrahur opozita apo ndiheni edhe prej tyre të braktisur.

Z. Fredi Beleri: Në fillim më përkrahën, po kur dëgjuan se si ma kurdisën aktakuzën, gjoja se qëllimin e kisha helenizimin e Himarës, shpejt hoqën dorë nga unë. Ata u besuan organeve gjyqësore dhe emrin tim e përdorën vetëm kur lidheshin interesat e tyre personale, apo kur u duhej ta kritikonin Ramën, përndryshe më braktisën tërësisht.

Mars Rover (Intervistë e zhvilluar para burgosjes)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat