Veprat publike të një maniaku për pushtet absolut

Opinione

Veprat publike të një maniaku për pushtet absolut

Nga: Ilir Levonja Më: 7 mars 2024 Në ora: 13:46
Autori Ilir Levonja

Sherri në pallatin mbretëror nuk ka të bëj aspak me një skandal rozë. Është një nga ato zhurmat e radhës që shqiptarët vdesin për t'u përfshirë. Pasi u ngopën me mbylljen publike të liderit të opozitës, pavarësisht se po vepron si duhet drejtësia apo jo, u ngopën me faktin se sa antikombëtar apo ''kriminel'' është Fredi Beleri, pavarësisht se po vepron si duhet drejtësia apo jo, radha i erdhi Pallatit Mbretëror. Shqiptarët nuk merren me faktiken, të pyesin veten, ore kjo është drejtësia? Kështu ndodh në një sallë gjyqi në një vend demokratik. Dënohet tjetri për ato që pëshpëriten jashtë apo për një vepër penale me prova?

Kështu ndodh në një parlament të një vendi demokratik, miratohen ligje deri të strategjisë kombëtare me rekorde minutash dhe me ngërdheshje inatesh kaloje shpejt, ia hodhëm, të na marrin të keqen etj. Shqiptarët nuk i japin aspak rëndësi më ndryshimeve me pasoja kastrofike në gjendjen e tyre sociale, ku ta zëmë një rreth me 200 mijë banorë nuk ka më as Gjykatë, as Drejtori Arsimore, për shkak të ca llogaritjeve të gjoja reformave zgjedhore ku ta kemi nën kontroll edhe këtë apo atë qytet.

Ta bëjmë tonin siç thuhet në Shqipëri... Tani e ka radhën skandali mbretëror. A ka apo jo Shqipëria princ, mbret. Princi i leshit siç edhe gajasen kur e thonë. E rreh gruaja. Burrë koti. Mirë ja bën. Të gjithë merren me skandalin, me faktin e batutave që i hedhin njëri-tjetrit aq sa Shqipëria sot duket një teatër absurd me një spektator për pushtet absolut, Edi Ramën. Askush nuk do t'ia di për një detaj kaq flagrant të bullizmit shtetëror komunist, si është e mundur që një video e vet filmuar, dhe e dorëzuar po nga vet autori si kallëzim, si është e mundur të bëhet virale në internet ende pa u formuluar aktakuza?

Është vetëm një kopje dhe kjo i dorëzohet policisë, kaq. Autori nuk e ka hedhur në internet vet, nuk e ka shpërndarë, e ka dorëzuar në polici si provë me shpresën për një gjykim të drejtë, për drejtësi etj. Nga ana tjetër në policinë e shtetit bullist komunist, mund të ketë me qindra video dhune, por ato nuk publikohen. Nuk i intereson kujt. Në fund të fundit pavarësisht se shqiptarët po vriten vëllai me vëllain si rasti i djeshëm në Çukas të Lushnjës, sherr 70 vjeçarësh, askush nuk merret me atë rast. Kokat hëngshin, sipas ''gjeniut''. Nuk ka video gjëkundi. Por ndryshon puna tek Pallati Mbretëror. Ky sherr shqiptar është i domosdoshëm të demaskohet. Pasi shqiptarëve duhet t'u ngulitet në kokë... nuk ka opozitë, nuk ka mbretëri apo mbret shqiptar, nuk ka asnjëlloj alternative tjetër, veç Edi Ramës. Shqiptarët kaq duan, sillën e sherrit dhe të debateve, aty mund të përfshihen me qejf dhe mund të mos debatojnë fare për firot vrastare të demokracisë, drejtësisë, kuvendit, shtetit të tyre, po fare ama. Dhe kjo po ndodh në mënyrën më të mirë të mundshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat