Ramushi ra në kurthin e Albinit, AAK e lindur për të dështuar

Opinione

Ramushi ra në kurthin e Albinit, AAK e lindur për të dështuar

Nga: Faton Mehmeti Më: 24 mars 2024 Në ora: 08:57
Autori Faton Mehmeti

Në kurthin politik të Albin Kurtit ra AAK, dhe kjo nuk është hera e parë. E njohur për rënie në kurthe që nga tepiu i kuq e deri tek shfrytëzimi i PDK për të mbetur në pushtet, nuk ka mbetur askush pa e përdorur AAK për interesat e veta. Albini, si mjeshtër i politikës, vuri në lajthitje opozitën kur u shpreh i gatshëm për zgjedhje, nuk mund të thoshte ndryshe dhe kjo AAK e lexoi gabimisht.

Duke ofruar një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, me argumentimin e "qeverisjes të dobët dhe stagnuese", Ramushi po i plotëson pikërisht atë që Albini kërkon, bashkimin e opozitës për ta rrëzuar (edhe pse nuk i kanë votat), çka do të sjellte edhe më shumë vota në zgjedhje.

Edhe pse opozita nuk i ka numrat, kjo i shkon për shtati Albinit, për të nxjerrë blof opozitën që eventualisht, me Listën Serbe, të bëjnë pazare kundër qeverisë. Në dokumentin e paraqitur nga AAK, që sipas tyre “reflekton vetëm një pjesë të defekteve tri vjeçare të kësaj qeverie të dobët dhe stagnuese”, duket më tepër si fletushkë propagandistike sesa realitet. Nuk mund të godasësh Kurtin në pikat e tij më të forta, raportin me Serbinë dhe korrupsionin, në të dyja ka shkëlqyer.

Derisa në kohën e AAK, Radojiçiqi pritej në zyrat e shtetit, sot është në kërkim nga Interpoli, gjithashtu paraja publike kurrë nuk është ruajtur siç është tani. Natyrisht që qeveria ka dështimet e saja, por mungesa integritetit të opozitës nuk prodhon dëm për qeverinë Kurti.

Zgjedhjet do të mbahen, edhe ashtu jemi në 12 muajt e fundit të mandatit, suksesi më i madh i AAK do të jetë nëse arrin të kalojë pragun bashkë me Nismën, Albini do të vazhdojë sigurt edhe mandatin tjetër. AAK ngjan si disa që janë të lindur për të dështuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat