Çfarë u tha për Kosovën në Komisionin e Parlamentit të Serbisë

Opinione

Çfarë u tha për Kosovën në Komisionin e Parlamentit të Serbisë

Nga: Rexhep Elezaj Më: 2 prill 2024 Në ora: 23:35
Rexhep Elezaj

Komisioni për “Kosovë dhe Metohi” i parlamentit të Serbisë, në mbledhjen e parë të tij, sot me 2 prill, në përbërje nga 16 deputetë, 10 nga pozita dhe 6 nga partitë opozitare, para zgjedhjes së kryetares së re, pati një debat të ashpër pozitë-opozitë rreth Kosovës, ku ndaj njëri tjetrit deputetët zbrazën akuza të rënda, se kush nga udhëheqësit shtetëror dhe partitë parlamentare të Serbisë e kanë tradhtuar popullin serb, duke i lëshuar pe kërkesave të Prishtinës zyrtare, siç janë marrëveshjet e Brukselit, çështja e targave, lejimi i hyrjes në Serbi të automjeteve me targa RKS, njohja e diplomave dhe pasaportave të Kosovës, heqja e flamujve të Serbisë në katër komunat në veri, braktisja e institucioneve të Kosovës nga policët, gjykatësit dhe administrata lokale e serbëve, etj., që të gjitha këto lëshime janë bërë në favor të njohjes “de-facto” të pavarësisë së Kosovës nga partia në pushtet, SNS-i dhe ish kryetari i saj, A. Vuçiq.

Deputetët e opozitës kërkuan që në mbledhjen e ardhshme ky komision të diskutoj për vrasjen e Oliver Jovanoviçit si dhe për ngjarjet në Banjskë.

Duke folur për “terrorin e “fashistit” A. Kurtit ndaj serbëve në Kosovë, disa deputet këtë e morën si shembull, se si “nuk do dëgjoni nga shqiptarët, që dikush nga ata e ka dënuar ndërhyrjen e ROSU në veri, apo dikush ta ketë sulmuar A. Kurtin, për atë që dikush ka gjuajtur fëmiun serb në Shtërpcë”, duke akuzuar pushtetin e A. Vuçiqit për satanizimin e serbëve në Kosovë, si dhe duke e quajtur tradhtar ish kryetarin e “Listës Srpska”, Goran Rakiçin, për shkak të betimit të tij në Kuvendin e Republikës së pavarur të Kosovës, duke kërkuar edhe largimin e tij nga ky komision, dhe kështu me radhë.

Ishte konstatim i përbashkët i këtij Komisioni, se Kosova është “zëmra” e Serbisë, për të cilën, siç u tha, duhet të jenë unik të gjithë serbët që “krahinën jugore të Serbisë” (siç e quajnë Kosovën në vazhdimësi) ta ruajnë me çdo mjet politik dhe diplomatik, sidomos tani kur Kosova gjendet në prag të anëtarësimit të plotë në KiE-së dhe NATO.

Ndërsa, deputeti Borko Stefanoviç, nga partia “Slobode i prava” (partia e lirisë dhe drejtësisë), tha se Plani i BE-së (franko-gjerman) për Kosovën është i dëmshëm për Serbinë, se pasojat e anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndoshta edhe në NATO, do të jenë të mëdha për Serbinë, dhe se në Kosovë duhet të bëhet regjistrimi i fshehtë i numrit të serbëve, që të dihet saktësisht sa serbë jetojnë sot në Kosovë, por që numri i tyre mos të bëhet assesi publik për opinionin.

Në fund të mbledhjes kryetare e këtij Komisioni u zgjodh Mr. Daniela Vujiçiq (1978) nga Mitrovica, deputete në Kuvendin e Serbisë nga Kosova, garuese në listën e SNS- “Srbia ne sme da stane”, të A. Vuçiqit, ish anëtare e Komisionit për integrime evropiane; zëvendës/anëtare e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat