Gjahu kundër "tradhtarëve"! 

Opinione

Gjahu kundër "tradhtarëve"! 

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 3 prill 2024 Në ora: 17:20
Zejnullah Jakupi

Po habitem se si ka mundësi që po bëhen aq shumë akuza, shpifje në medie, në show, portale, me komente në rrjete sociale (ndër ta në FB) dhe askush nuk frikësohet, askush nuk kërkon dhe nuk jep llogari për fjalën e thënë. Lehtësisht mund të konkludojmë se diçka nuk është në rregull me sistemin kosovar të drejtësisë. Ose nuk kemi drejtësi, as rend dhe përgjegjësi për atë çfarë shkruajmë, ose ka aq shumë liri dhe demokraci sa askush nuk merzitet se çfarë shkruhet e çfarë thuhet?

Këto ditë i hasa disa nga këto të cilat në vijimësi bëhen kundër qeverisë Albin Kurti dhe të gjithëve që e përkrahin atë. Po i veçoj në këtë shkrim vetëm tre prej tyre.

E para, ishin kanosjet kundër, siç po i quajnë me fjalët fyese „tradhëtarëve“ si, Enver Petrovci, e dyta kundër Albin Kurtit dhe qeverisë së tij dhe e treta shpifjet dhe fyerjet që i bëhen Gjykatës Speciale duke e quajtur ate „si gjykatë e Serbisë që legjitimon krimet e rezhimit të Millosheviqit“.

Të gjitha këto akuza-paragjykime, shpifje thuhen në pikë të ditës, dhe askush nuk jep përgjegjësi për fjalën e thënë.

Pas emisionit "Show i së premtes" nga 22 marsi 2024 publicistë të ndryshëm, ndër ta edhe Artan Behrami- ish zyrtar në MPJ dhe përkrahës i PDK-së, bëri një fushatë denigruese në rrjete sociale në FB kundër Enver Petrovcit, Albin Kurtit dhe Gjykatës Speciale duke i konsideruar si një tandem se gjoja Gjykata Speciale dhe qeveria dhe Albin Kurti janë shkatërrues së vlerave të UÇK-së.

Deklarimet e tilla, lejimi i komenteve në murin e Face Book (FB-së), duke bërë thirrje për likujdim të atyre që po e „luftojnë“ UÇK-në dhe vlerat e saja, mund të kuptohet edhe si ndërhyrje në funksionet e Dhomave të Specializuara dhe vet Gjykatës Speciale, ose të ndikojë në besimin për pavarësinë e tij/saj, për frikësuar kështu të gjithë ata si Artani, i shpallin „tradhëtarë“ në opinionin publik të tjerët.

Në FB Artan Behrami ka shkruajtur se „(n)ë 24 vjetët e fundit, partitë e dala nga lufta dhe LDK-ja, duke respektuar vlerat perëndimore dhe demokratike, kishin hequr dorë nga lustrimi dhe përndjekja e bashkëpuntorëve të Jugosllavisë në Kosovë.

Sot, 24 vjet më pas, pasardhësit biologjikë të komunistëve të amnistuar që janë pozicionuar në Qeverinë Kurti, duke u thirrur në të njëjtat vlera, kanë filluar procesin e lustrimit ndaj brezit të luftës, lirisë dhe pavarësisë, që në thelb është anti-jugosllav.“

Po i njëjti (Artan Behrami) në murin e tij në FB, aty ku e ka postuar këtë komentin e posacituar, si më lartë, lejon kërcënimin që i bënë Nexhat Hajdini këtyre „tradhëtarëve“ i cili në lidhje me Enver Petrovcin shkruan;

„Jo bre ska faj ky e çiftat si ky po kan faj vet çlirimtarêt ata qê kan luftu që nuk e kan pastru kosovën nga kjo farē e flliqt nga mbeturinat e serbêve në kosovë se u kan dasht me qit fare krejt ktë lloj jashtqitje po ndashta i vjen koha prap hiq nuk i dihet“.

Në këto kanosje (kërcënime), përveq që bëhet kërcënim ndaj qytetarit si Enver Petrovci, këto deklarata janë të dënueshme, përpos me kodin penal të Republikës së Kosovës, ato cënojnë poashtu Ligjin për Dhomat e Specializuara, shih Neni 14 Krimet e Luftës sipas së Drejtës Ndërkombëtare ku ndalohet dhe dënohet (shih pikën iv) shqiptimi i dënimeve "dhe kryerja e ekzekutimeve pa gjykime paraprake të shpallura nga ndonjë gjykatë e themeluar në mënyrë të rregullt, që siguron të gjitha garancitë gjyqësore që janë të pranuara në përgjithësi si të domosdoshme".

Me deklaratat e z. Behrami dhe Hajdini padyshim nxiten likujdime të këtyre „jashtëqitjeve“, pra "tradhëtarëve" që e kritikojnë UÇK-në. Z. Behrami nuk e thotë në mënyrë decidive sikur z. Hajdini se këta duhet të likujdohen, por nuk e shlyen (largon) komentin kërcënues të z. Hajdini dhe kjo tregon se z. Behrami pajtohet me mendimin e tij ose e miraton atë.

Deklarimet e tilla, lejimi i komenteve në murin e FB-së, duke bërë thirrje për „pastrimin“ e atyre që po e „luftojnë“ UÇK-në dhe vlerat e saja, mund të kuptohet edhe si ndërhyrje në funksionet e Dhomave të Specializuara dhe vet Gjykatës Speciale, ose të ndikojë në besimin për pavarësinë e tij/saj, për frikësuar kështu të gjithë ata që i shpallin „tradhëtarë“.

Z. Behrami me deklaratat e tija krahason padrejtësisht Gjykatën Speciale në Hagë si një gjykatë e cila sipas tij „legjitimon regjimin e Millosheviqit“.

Citati i tij i plotë: „Në 25-vjetorin e intervenimit të NATO’s, një Gjykatë surrogate, e paguar nga BE-ja, legjitimon regjimin e Millosheviqit.
Trupi gjykues kundër krerëve të UÇK-së pranon dokumente të Millosheviqit kundër UÇK-së.
Do të ishte lehtësim i madh për qytetarët e Kosovës sikur ky Trup Gjykues të punonte në kuadër të sistemit juridik në Serbi!“.

Ai e kritikon Qeverinë Kurti në Prishtinë dhe Gjykatën Speciale në Hagë, që sipas tij „janë dy adresat që në baza ditore po mundohen të rishkruajnë historinë e Kosovës!
Kurti, përmes filozofëve, myhibëve, cyberxhematit dhe aktorëve të Kino Studio Kosova e Re po e rrënojnë trashëgiminë e luftës së UÇK-së.
Nën udhëheqjen e Kurtit, UÇK-në e kanë zhveshur nga ideali i lirisë, duke ia veshur shkatërrimin, krimin e organizuar, korrupsionin, uzurpimin, vrasjet.
Ndërsa, Gjykata Speciale, përmes një gjyqi politik, të pa balancuar, të stërzgjatur, kundër të drejtave të njeriut po udhëheq një proces me dëshmi të Serbisë dhe Millosheviqit për të kriminalizuar po ashtu UÇK-në.
Prokurorët e Gjykatës Speciale dhe Enver Petrovcat e VV-së janë në shërbim të agjendës së Albin Kurtit për rishkrimin e historisë së Kosovës, ku UÇK-ja ishte një organizatë kriminale dhe Jugosllavia një shtet ideal!“

Deklarimet e tilla janë këcënim, mosdurim dhe pengim, siç cekëm më lartë, i punës së Gjykatës Speciale që ta kryejë detyrën e saj profesionale, ose përpjekje me të cilën pretendohet minimi i punës së „Dhomave të Specializuara të Kosovës“, të cilat drejtohen nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës 2012, Ligji Nr, 04/L-123 dhe natyrisht akuzat e tija kërcënuese drejtuar Gjykatës Speciale janë vepër penale sepse Gjykata Speciale nuk mund të apostrofohet si „gjykatë e Serbisë“, sepse themelimi i Gjykatës Speciale është e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Një Gjykatë e tillë e miratuar nga organi më i lartë i shtetit nuk mund të quhet nga një publicist, satirist, aq më pak nga ish-zyrtar i MPJ-së, një gjykatë e cila sipas tij „po udhëheq një proces me dëshmi të Serbisë dhe Millosheviqit për të kriminalizuar po ashtu UÇK-në.“

Na kujtohet se sa shpejt reagonte prokuroria kur mërgimtarët „kërcënonin“ deputet të opozitës.
Po i përmendi vetëm disa raste.
Me 2 mijë euro gjobë u dënua mërgimtari që kanosi deputetin Abdullah Hoti.
Sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro, edhe pse mërgimtari kërkoi „falje publike“ deputetit Hotit për kanosje.

Gjithashtu rasti tjetër kishte të bënte me kërcënimin e deputetes Musliu-Shoshi përmes profili në FB nga i akuzuar tjetër. Po ashtu një mërgimtar tjetër nga Zvicra dënohet nga Gjykata pasi kërcënoi Ganimete Musliun. Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Driton Maloku, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës.

Në shembujt që përmendëm më lartë, të raportuara në media, komentet në FB në murin e z. Behrami kishte kërcënime për „pastrim“, do të thotë të likujdohen, por nuk dihet se ka patur ose është ngritur aktakuzë kundër të përfolurve në fjalë.
Kjo është edhe arsyeja se qeveria dhe ministria e Drejtësisë kanë kritikuar dhe kanë ushtruar trysni që të reformohet gjyqësia, por opozita vazhdimisht mundohet ta paraqes këtë „trysni“ si një përpjekje për ta kapur drejtësinë.

Natyrisht, drejtësia, gjykatat dhe prokuroria duhet të jetë e pavarur- të punojë pa direktiva partiake. Një punë profesionale dhe efikase e pandikuar nga shteti dhe grupet e interesit është një shembull historik, siç është Gjykata Speciale dhe Tribunali i Hagës. Tribunali i Hagës bëri një kthesë historike në sjelljen e udhëheqësve para drejtësisë, duke mos pyetur për pozitën e tyre e duke punuar për ndëshkimin e kryerësve pavarësisht statusit të tyre shoqëror e shtetëror, të njëjtën po e bënë edhe Gjykata Speciale. Tribunali i Hagës ose Gjykata Penale Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë të Holandës, është themeluar nga Kombet e Bashkuara, ndërsa siç dihet, Gjykata Speciale është e Republikës së Kosovës e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në një shkrim para ca ditësh e kam trajtuar se shumica e këtyre kërcënimeve janë mes tyre edhe fyerje, thashetheme dhe shpifje që natyrisht përbëjnë vepër penale të kodifikuar në kodet penale në shtetet e BE-së, por edhe në shumë shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë futur në kodin e tyre penal. Pyetja që shtrohet tani për debat analizues është me sa vijon; athua vërtetë po e „paragjykojnë“ ose po e fyejnë e degradojnë, ose pse po e çvlerësojnë UÇK-në personalitetet si Enver Petrovci, etj, kjo pikëpyetje do gjithsesi një përgjigje? Në fakt Enver Petrovci e ka thekësuar se askund nuk e ka përmendur UÇK-në në intervistën e tij në RTK, dhe në fakt, tanimë po ankohet me të drejtë se të gjithë po e sulmojnë verbalisht për këtë.

Çdo kritikë, qoftë edhe konstruktive kundër UÇK-së kuptohet ose „apostrofohet“ si kritikë kundër elitës udhëheqëse PDK, AAK, NISMA, parandaj nuk lejohet, prandaj të apostrofuarit dhe militantët e tyre po „tërbohen“. Se ky fakt është kështu e dëshmuan deklaratat e aktorit Enver Petrovci kur i quajti politikanët e tillë si aksidentalë duke thënëse se po mos të ishte lufta ata kurrë nuk do të ishin bërë të njohur, përveç bodigardë ose mësues fshati.

Këto pikëpamje të përgjithshme na ndihmojnë të japim një vështrim se si vlerësohen dhe gjykohen çështjet, individët në opinionin publik për të sqaruar pastaj çështjen se sa kemi të drejtë të kritikojmë dhe a guxohen të thyhen tabut mbi UÇK-në, pa e dëmtuar thelbin e saj, kjo pyetje mbetet një temë për tu diskutuar. Cila është ajo kritikë dhe si mund ta shprehim pa u frikësuar se do të paragjykohemi ose pa u frikësuar se fjalët tona do kenë pasoja në imazhin tonë, pa frikë se do kemi konsekuenca negative në rrethin tonë shoqëror, familjar, në punë, etj?

Të dhëna shkencore nga libri për të drejtën e medieve të autorit gjerman U. Branahl (2019) na dëftojnë disa përgjigje intresante që opinioni ynë nuk i ka të njohura rreth kësaj teme. E para, thuhet se vetëm ata që, janë bartës të të drejtave përkatëse, mund të preken të „lëndohen“ qartë dhe individualisht nga raportimi në media ose kur ju cënohet nderi i tyre, të drejtat e tyre personale ose interesat e tyre ekonomike, përmes opinionit, satirës etj.

Individët, “personat fizikë” apo juridik, gjithashtu edhe shoqatat e personave në fjalë mund të konsiderohen si bartës të këtyre të drejtave. Vetëm njerëzit mund të kenë të drejta, jo kafshët, bimët apo gjërat e tjera. Megjithatë, duhet theksuar se kjo "mbrojtje e nderit" është e kufizuar. Ajo shërben vetëm për të siguruar funksionalitetin e autoriteteve. Autoritetet në përgjithësi nuk kanë të drejtë për një “nder personal” ose një të drejtë të përgjithshme për privatësi (BVerfG NJW 1995, S. 3303 ff.).

Si një grup njerëzish, këto grupe nuk kanë të drejtë të padisin. Nëse dikush fyen UÇK-në, ose nëse thotë se luftëtarët e UÇK-së, pa specifikuar personat me emra, kanë patur këto apo ato sjellje, atëherë ata ligjërisht mund të reagojnë në mënyrë ligjore dhe të ngrisin padi. Padi mund të ngris vetëm Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, sepse në Kushtetutë askund nuk mbrohen vlerat e luftës duke e përmendur me akronim, përpos që synohet tani të miratohet ligji përkatës.

Fakt është se UÇK-ja si e tillë është transferuar dhe nuk egziston më si institucion ushtarak, por as politik. As pjesëtarët e saj nuk kanë një formë organizimi që u mundëson të formojnë një vullnet të përbashkët, për tu ankuar apo mbrojtur. Megjithatë, është e diskutueshme nëse dhe në çfarë kushtesh njerëzit që kanë patur një të kaluar që lidhet me UÇK-në, mund të mbrohen kundër deklaratave të tilla. Kjo varet nëse ata janë individualisht të prekur në të drejtat e tyre, ose ndihen të nënçmuar, nënvlerësuar.

Nëse sulmi i tillë verbal drejtohet kundër të gjithë anëtarëve të UÇK-së, atëherë çdo anëtar i vetëm i saj mund të preket individualisht, por jo si masë pasi nuk egzston si institucion, ose organizim juridik. Parakusht për këtë është grupi i caktuar i njerëzve të UÇK-së i cili duhet të dallohet qartë nga publiku i gjerë për shkak të disa karakteristikave të tyre, të jetë rrethi i të prekurve.
Si shembuj të përgjithësimeve që nuk përbëjnë denigrim individual është thënia e tillë me sa vijon; "të gjithë mjekët gjermanë, ose shqiptarë janë dembel, ose jo profesionistë“.
Në këtë kategori bën pjesë edhe përshkrimi për mësuesit nga G. Schröder të cilët i ka përshkruar si “bastardë dembelë”. Nga ana tjetër, krahasimi i profesionit të ushtarit me atë të “torturuesit, roja e kampit të përqendrimit ose xhelatit” në kontekstin e një kritike ndaj ceremonive publike të betimit të Bundeswehr-it, synohet të jetë një fyerje e përfshirë ndaj të gjithë ushtarëve aktivë në Bundeswehr.

Edhe fjalia e Enver Petrovcit drejtohej kundër atyre, që sipas tij, ishin bërë politikanë aksidentalisht dhe me këtë rast z. Petrovci nuk ka ceku asnjë person me emër i cili do të ndihej i denigruar. Në rastin e deklaratave nënçmuese, mund të vihet kufiri midis një sulmi ndaj nderit personal, mbrojtja e të cilit justifikon kufizimet e lirisë së shprehjes, dhe një kritike ndaj fenomeneve shoqërore, institucioneve shtetërore etj.

Duhet thekësuar se ndëshkimi për deklarata të tilla mbart gjithmonë rrezikun e kufizimeve të tepruara të lirisë së shprehjes. Prandaj nuk duhet të cenzurohen deklaratat kritike për dukuritë politike dhe shoqërore drejtuar institucioneve, por as ato të grupeve shoqërore – në këtë rast kjo vlen edhe për kritikat dhe pikëpamjet të shprehura në opinionin publik ndaj UÇK-së për të cilat mbrojtja e lirisë së shprehjes i lejon ato në mënyrë të veçantë.

Pra, entiteti juridik, në ketë rast Shoqata e Shkrimtarëve, e Gazetarëve, apo edhe e grupimeve tjera, si ajo e Veteranëve të UÇK-së, do mund të preken individualisht dhe në saje të kësaj ndjeshmërie do mund të mbrohen kundër përhapjes së një raportimi gazetaresk, përmes një deklarate në një show televiziv apo në kontekste tjera. Kjo mund të bëhet vetëm nëse është e qartë se deklaratat e përfshira i referohen atij, personit të caktuar X,Y komandantit (sipas raportimit identifikues), kur një pjesë e konsiderueshme e audiencës është në gjendje të njohë personin në fjalë, por edhe kur personi ose kritika të jetë mjaftueshëm e identifikueshme për kolegët, miqtë, të njohurit ose të afërmit. Sa më intensivisht që një raport të pushtojë privatësinë e dikujt tjetër, aq më të ulëta janë kërkesat për identifikueshmërinë e tij.

Kur bëhet fjalë për pushtimin e privatësisë, mjafton që personi i prekur të mund të njihet nga njerëz të njohur në mjedisin e tyre, nga miqtë, të afërmit ose të njohurit.
Kjo është arsyeja pse "figurat publike" kanë më shumë gjasa të pranojnë ose të pajtohen me raportimin kritikues në media për sjelljen e tyre sesa të tjerët. Kjo vlen veçanërisht për ata që mbajnë pozita të spikatura në politikë dhe në biznes.
Shprehjet e mendimit, d.m.th deklaratat gjykuese, gëzojnë mbrojtje gjithëpërfshirëse edhe kur ato drejtohen ndaj UÇK-së ose bartësve të institucioneve. Gjithsesi nëse këto paraqiten/vlerësohen prej njërës palë si “kontribut në betejën intelektuale të opinionit për një çështje që prek ndjeshëm publikun“ ato do mbrohen pavarësisht nëse janë “të drejta” apo “të gabuara”, “të vlefshme” apo “të pavlefshme”, emocionalisht ose të arsyetuara në mënyrë racionale (shih vendimet nga Gjykata Kushtetuese gjermane BVerfGE 33, S. 14 f., cituar nga U. Branahl).


Për të siguruar një proces të lirë të formimit të opinionit, mendimet “e gabuara”, “të pavlera” dhe “të pabazuara” mbrohen gjithashtu, pasi në një shoqëri pluraliste standardet e detyrueshme për vendosjen e çështjeve të tilla vlerash nuk janë të disponueshme dhe mendimet e tilla vijnë në pah përmes arritjes së konsensusit, pra, vijnë vetëm nga një diskutim kontravers ku zhvillohen pikëpamje të kundërta.

Megjithatë, liria e shprehjes i gjen kufijtë e saj aty ku nuk bëhet fjalë më për çështje, por vetëm synohet fyerja e një personi, institucioni etj e cila ka të bëjë me fyerjen, thashethemet dhe shpifjen (“kritika abuzive”), temë kjo shumë e diskutueshme, sepse këto dukuri kanë marrur përmasa të thekësuara kohët e fundit, prandaj janë grumbulluar lëndët dhe gjyqësia nuk po mund t´i arrinë me kohë t´i trajtojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat