Një vit nga (mos)marrëveshja e Ohrit

Opinione

Një vit nga (mos)marrëveshja e Ohrit

Nga: Sylë Ukshini Më: 29 prill 2024 Në ora: 11:38
Sylë Ukshini

Edhe pse BE-ja kishte deklaruar se “në Ohër palët u pajtuan për implementimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi”, gjërat kanë ecur më keq sesa që kanë mundur të parashikonin pesimistët. Jo vetëm se nuk është bërë ndonjë hap konkret drejt normalizimit të raporteve ndërshtetërore, por, përkundrazi, përshkallëzimi ka progresuar me shpejtësi të befasishme. Dhe tani, duket qartë se kanalet e komunikimit midis Kosovës dhe autoriteteve serbe në Beograd janë bllokuar plotësisht, ndërsa përpjekjet e ndërmjetësuesve amerikanë dhe evropianë kanë rezultuar të pasuksesshme. Madje as “çështja” e dinarit serb nuk mori epilog - Serbia të paktën dëshiron ta mbajë hapur për aq koha sa çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE mbetet në agjendë

Njëzet e katër vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës dhe trembëdhjetë vjet pas fillimit të dialogut Kosovë-Serbi në Brukseli, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vitin e kaluar u pajtuan në Ohër me nismën franko-gjermane për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, e cila u “paketua” si njohjes de facto dhe si një marrëveshje që hap shtegun për njohje de jure. Të paktën, që nga pranvera e vitit 2011, çdo kompromis dhe çdo njohje e arritur në Bruksel është interpretuar në Kosovë si njohje de facto, përderisa në Serbi vazhduan refreni se këto marrëveshje dëshmojnë se “’çështja e Kosovës” është akoma e hapur dhe se në Bruksel po bisedohet për çështjen e statusit. Ndërkohë, edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, kishte deklaruar në media se ”palët shprehen gatishmërinë e tyre që të ecin drejt implementimit të marrëveshjes”, Aneksi i Ohrit ka mbetur në vend. Me gjithë “paketimin” e mirë diplomatik të marrëveshjes, njëri nga pjesëmarrësit e takimit, Marc Weller, një ekspert i dëshmuar ndërkombëtar në ekipin e kryeministrit Kurti, bëri publike një fakt tepër shqetësues, qasjen asimetrike të BE-së me rastin e arritjes së kësaj ujdie të shumëpritur. Sipas tij, ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur e prishën këtë marrëveshje, pikërisht në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte propozimin franko-gjerman. Pasi të dyja palët ishin pajtuar me formulimet e Marrëveshjes së Brukselit më 27 shkurt 2023, në takimin e Ohrit, më 18 mars 2023, palët duhej të miratonin vetëm formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit. Por, sërish në sipërfaqe doli “loja” e vjetër serbe, që marrëveshjen arritur të mos e nënshkruante. Beogradi si asnjëherë më parë normalizimin e raporteve e shihte të mundshëm duke mos nënshkruar asnjë gjë me Kosovën.

Sërish BE-ja pranoi këtë manovër serbe, pasi ishte e rëndësishme “shpëtimi i fytyrës” së palës serbe, që është veçanërisht e rëndësishme kur përballemi me “kulturën të trupit”, siç është rasti me popujt e Ballkanit. Në këtë linjë, duke iu rikthyer “kreativitetit” të njohur, ndërmjetësuesit nga BE-ja e gjetën mënyrën për të kapërcyer situatën e krijuar, duke deklaruar se Beogradi së paku në raport me BE-në e kishte miratuar tekstin e marrëveshjes. Pas kësaj, pala serbe fitoi hapësirë të deklaronte edhe më me arrogancë se ajo nuk ishte pajtuar për asgjë në raport me Kosovën. Prandaj, edhe përkundër përpjekjeve të përfaqësuesit të Lartë të BE-së se në Ohër se palët u pajtuan për implementimin e Marrëveshjes dhe Aneksit për normalizimin e raporteve, zhvillimet në terren, bojkotimi i zgjedhjeve, sulmi terrorist në Banjskë, agresioni diplomatik serb kundër përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në KiE, dhe së fundi, bojkoti i referendumit për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat kosovare në veri, dëshmon se Aneksi i Ohrit hëpërhë duket se ka dështuar. Mbase e vetmja shanse ku ka mbetur të vihet në sprovë serioziteti i BE-së dhe bashkë me këtë edhe Aneksi i Ohrit, është pranimi i Kosovës në KiE, me çka Procesi i Brukselit do të merrte oksigjenin e domosdoshëm.

Përdorimi i ekuivalentit gjerman

Ndonëse, Marrëveshja e Ohrit thuhet se de facto ofronte një normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, dhe, përveç tjerash, Serbia mori përsipër zotimin se nuk do të bllokonte procesin e  anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në harkun njëvjeçar procesi nuk solli qartësi dhe as shtendosje të raporteve Kosovë-Serbi. Duhet pranuar se përkundër “paketimit” të kujdesshëm diplomatik, nisma franko-gjermane krijoi shumë paqartësi përmes formulimeve të dyzuara, dhe mbi të gjitha dukej se kishte mangësi të tjera dhe, si e tillë, ajo ishte shumë larg nga synimeve të mëhershme të Procesit të Brukselit dhe premtimeve se procesi do të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese dhe me njohje të ndërsjellë. Në të drejtën ndërkombëtare ekziston parimin e njohjes de facto, por në rastin e marrëveshjes së Ohrit ky nocion nuk paraqet ndonjë detyrim ligjor për Beogradin, por më tepër ajo ka të bëjë më tepër me synimin e ndërkombëtarëve për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e dialogut të Brukselit deri tek arritja e marrëveshjes së radhës.

Se kjo marrëveshje nuk paraqet detyrim ligjor dhe as njohje de facto për Serbinë, ani pse ndërmjetësuesit evropianë insistojnë në këtë drejtim, është shumë evidente nga letra e kryeministres serbe Bërnabiq drejtuar BE-së në dhjetor 20023, e cila shënon kulmin e mohimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneksit të Ohrit. Nëse tërheqim një paralele logjike me letrën e unitetit gjerman të kancelarit Willy Brand, përmes së cilës Boni e mban të haur çështjen gjermane, është e dukshme se edhe në marrëdhëniet kosovare- serbe ndërmjetësuesit evropianë me shumë gjasë kanë përdorur ekuivalenti gjerman të vitit 1972, duke dashur t’ia ruajnë fytyrën palës serbe dhe të paktën teorikisht ta mbajnë gjallë narracionin e njohur serb për Kosovën.  Kjo paralele tingëllon edhe më e besueshme, nëse kemi parasysh faktin se qysh në vitin 2010 , menjëherë pas opinionit të GJND-s, një diplomat i njohur evropian, pra në prag të nisjes së Procesit të Berlinit, e kishte përmendur mundësinë e aplikimit të ekuivalentit gjerman edhe në rastin në raportet Kosovë-Serbi.

Për më tepër, letra e Beogradit shkon përtej shembullit gjerman, pasi pos që konteston në tërësi marrëveshjen për normalizimin raporteve me Kosovën dhe konteston çdo gjë që mund të interpretohet njohje de facto dhe de jure të Kosovës, ajo vjen njëkohësisht pas një sërë veprimesh obstruktive sistematike të Beogradit dhe serbëve kosovarë: refuzimit të nënshkrimit të Aneksit të Ohrit, bojkotimit të zgjedhjeve lokale në veri të vendit, kidnapimit të policëve të Kosovës, agresionit ushtarak të bandave serbe në fshatin kosovar të Banjskës dhe fushatës agresive të viktimizuese. 

Po të mos ekzistonte parimi i ekuivalenti gjerman edhe në rastin kosovaro-serb, letra serbe në nivel kryeministror vështirë se do të kalohej në heshtja nga BE-ja dhe SHBA. Nuk është aspak ngushëlluese për ne, nëse ndonjë burokrat ndërkombëtar, sa për ta bërë zakonin, edhe mund të thotë ndonjë fjalë kritike për letrën, e cila megjithatë mbetet e deponuar në kancelaritë e Brukselit, ndërsa fjalët shpejt i merr era.

Kisha, vijëzimi i Serbisë së Madhe

Prandaj, përmendja sa për të bërë zakonin se kjo marrëveshje paraqet njohje de facto, para së gjithash, ka për qëllim t’i japë infuzion procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Brukseli përgjatë viteve 2011-2023, ose thënë ndryshe, Marrëveshja e Ohrit ngjan më shumë si një “paketim” për akomodimin e Asociacionin, ndërsa pika për Kishën Serbe më shumë një tendencë që Planin e Ahtisaarit e sheh vetëm si pikënisje për kompromise të reja në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Po të ishte ndryshe, pse atëherë hapet kjo çështje dhe përse mungon referenca te Plani i Ahtisaarit, i cili në aneksin e pestë, ku flitet për trashëgiminë kulturore e fetare,  gjithë trashëgiminë mesjetare e zhvendos atje ku e dëshirojnë serbët, në mitologjinë e tyre kombëtare. Kjo nuk është thjesht një përpjekje për akomodimin e klerit fetar, por një organizim kishtar për ravijëzimin e Serbisë së Madhe. Publicisti i njohur gjerman dhe njëri nga njohësit më të mirë të zhvillimeve në Evropën Juglindore, Erich Rathfelder, në librin e tij “Kosova,” konstaton se “shumëkush edhe nuk e kuptonte, që vijëzimet e Serbisë së Madhe përfshijnë saktësisht ato territore, ku ekzistojnë organizatat kishtare serbe, edhe atëherë, kur ortodoksët atje janë në pakicë (...) Dhe natyrisht edhe në Kosovë konturat e Serbisë së Madhe përputhen me ato të organizimit kishtar". 

Prandaj, Kosova duhet të jetë tepër e vëmendshme, që kapitullin e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë, të akomoduar me dokumentin e Ahtisaarit ta konsiderojë si çështje të mbyllur dhe jo si një “tavolinë suedeze” ku mund të marrësh çfarëdo të duash përfundimisht, dhe njëkohësisht lajtmotiv permanent të jetë ndjekja e qëllimeve hegjemoniste të Beogradit. Se duket e pamundshme kërkesa për koncesione të reja, më së miri e dëshmon fakti se në harkun kohor 2008-2023, përkatësisht nga gjashtëpikëshi i Bank Ki moon-it e deri te çështja e dinarit serb, kërkesat ndaj palës kosovare kanë qenë enorme dhe pambarim. 

Një fakt tjetër, është domethënës, as Marrëveshja e Brukselit dhe as Aneksi i Ohrit nuk shihen si paketë, që do të nënkuptonte edhe zbatimin e njëkohshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i Republikës së Kosovës (AKSHS RK) me pikat e tjera të dokumentit. Që nga fillimi, Beogradi, i mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, afishoi qasjen selektive ndaj marrëveshjes, duke kërkuar me prioritet zbatimin e pikës për themelimin e Asociacionit. Synimi është krejt transparent, menjëherë pas formimit të AKSHS RK-së ndjek qasjen obstruksioniste në dialog, vazhdon agresionin nga jashtë ndaj shtetit të Kosovës, dhe paralelisht me këtë jetësoi qasjen e ndërtimit të komunikimit të drejtpërdrejtë të Asociacionit me Beogradin, që nënkupton njëkohësisht zbatimin e strategjisë së luftimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga një entitet i brendshëm politik, që do të jetë njëkohësisht një derivat i politikës hegjemoniste të Beogradit.

Asociacioni, në funksion të erozionit të brendshëm të shtetësisë

Nëse nuk bëjmë naivin, e lexojmë drejt retorikën ndërkombëtarëve, e cila përmes “paketimit” të bukur arriti të bindte elitën dhe publikun kosovar edhe se formimi i Gjykatës Speciale në Hagë, një projekt i çuditshëm i drejtësisë njëetnike, ishte pa alternativë, ani pse e gjithë skema si pikënisje kishte një raport dubioz, me gjasa të mëdha, të sponsorizuar nga Beogradi dhe Moska, formimi i Asociacionit, pa marrëveshje finale, pa njohje, pa forcim maksimal të komponentit të sigurisë, do të jetë një goditje e radhës mbi karakterin multietnik të dokumentit të Ahtisaarit, që paraqet bazamentin final të shtetësie së Kosovës. Nuk paraqet ndonjë sekret, një entitet i tillë më shumë se për të drejtat e komunitetit serb, do të përdorej për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës. Pra, ky entitet do të përdorej për erozionin e brendshëm të shtetësisë së Kosovës. Që të jemi më të qartë, Asociacioni nuk ndihmon as në integrimin e serbëve dhe as në ndërtimin e lojalitetit të tyre ndaj shtetit të Kosovës, të paktën për aq kohë sa Serbia refuzon ta njohë këtë realitet. Sinjikative ishte sjellja Listës Serbe lidhur me çështjen e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. Nëse çështja e të drejtave kombëtare, politike, ekonomike dhe fetare të komunitetit serb është adresuar me dokumentin e Ahtisaarit, që është bërë pjesë edhe e Kushtetutës së Republikës, Asociacioni do të ketë vetëm përshkrim të punës, pengimin e integrimit të serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës, komunikimin e drejtpërdrejtë e serbëve të Kosovës vetëm me Beogradin, që nënkupton dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj Beogradit.

Pra, një projekt i tillë monoetnik pa një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe pa njohje de jure, gjithsesi i jep Beogradit një levë tepër të fuqishme për ta minuar funksionalitetin e brendshëm të shtetit të Kosovës. Është tepër e qartë se Beogradi, dëshiron një ndarje të brendshme të Kosovës dhe një rrethanë të favorshme gjepolitike të provokojë ndonjë konflikt të përmasave më të mëdha sesa rasti i Banjskës. 

Nëse do të funksiononte në praktikë kjo strategji, atëherë në vend të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi apo të integrimit të komunitetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës, do të kemi tensione, kërkesa dhe ndërhyrje të reja të Beogradit, por që do të jenë të “paketuara” si kërkesa të Asociacionit dhe të popullit të “vuajtur” serb. Dhe mbi këtë diskurs, pozicioni i Serbisë në raport me Kosovë do të mbetet tepër armiqësor, dhe, për më tepër hegjemon për aq kohë sa Kosova konsiderohet si barrierë e krijimit të Serbisë së Madhe. Shembuj evropianë mund të listojmë pa kufij, mund të përmendim edhe shembullin e Tirolit Jugor, por raportet Kosovë-Serbi nuk u ngjajnë raporteve Itali-Austri, qëndrimi armiqësor i diskursit politik dhe medial të Beogradit ndaj Kosovës ka paralele me diskursin armiqësor që ndjek Irani ndaj shtetit të Izraelit.

Ky pozicion serb sigurisht ka gjetur mbështetjen e Rusisë, e cila që nga paslufta, ka udhëhequr me sukses projektin e pengimit të etablimit të Perëndimit në regjion dhe në veçanti në Kosovë, përkatësisht në pengimin e realizimit të shtetësisë së Kosovës brenda sistemit ndërkombëtar. Njëkohësisht, angazhimi i Rusisë ka qenë që të inkurajojë dhe të përkrahë strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, që të pengojnë legjitimitetin e plotë të ndërkombëtarëve në Kosove si shtet i pavarur. Edhe braktisja e institucioneve kosovare nga serbët në veri, bojkoti i zgjedhjeve, bojkoti i referendumit, sulmi terrorist në Banjskë, agresionit diplomatik ndaj anëtarësimit të Kosovës në KiE paraqet qartësisht skemën e ndikimit gjeopolitik rus përballë përpjekjeve dhe ndikimit gjeopolitik të Perëndimit.

Është vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ia jep Serbisë potencialin që të ushtrojë ndikimin e saj në pengimin e konsolidimit të Kosovës. Përndryshe, si mund të kuptohet tallja e presidentit serb në Ohër me Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin, duke deklaruar me krekosje dhe përçmim njëkohësisht se nuk do të nënshkruante dokumentin e ofruar nga ndërmjetësit evropianë. Sjellja e tij i ngjan krekosjes së Pashiqit, i cili pasi kishte marrë mbështetjen ruse, mbante fjalime përçmuese ndaj Austro-Hungarisë pasi përmes grupit terrorist kishte vrarë trashëgimtarin austro-hungareze të fronit bashkë me bashkëshorten e tij. 

Dhe mungesa e nënshkrimit e eliminoi elementin thelbësor të marrëveshjes mbi të cilën ishte mbështetur Kosova, njohja e premtuar de facto me themelimin e raporteve mes palëve mbi parimet e Kartës së OKB-së, siç ishte theksuar qartazi në marrëveshje. Kjo qasje nga Ohri e deri në Strasburg tregoi se nisma franko-gjermane e 2022-s filloi të dekompozohej ende pa filluar dhe tani gjithçka është kthyer aty ku dëshironte Serbia, te diskutimi për muaj të tërë i “çështjes” së dinarit serb, të cilin në shtator të vitit 1999 do ta suspendonte si valutë valide shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, francezi Bernard Kouchner.

Mundësia e kushtëzimit të anëtarësimit në KiE

Por BE-ja, si gjithmonë kreative në formulime, u kujdes të na “qetësonte” se “marrëveshja nuk ka nevojë të nënshkruhet” dhe se ajo mund të bëhet ligjërisht e obligueshme edhe e panënshkruar, vetëm me publikimin e saj në sajtin zyrtar të BE-së. Ndërkohë, që për Serbinë aty kishte një gjë që ia vlente, para së gjithash zbatimin vetëm të një pike nga marrëveshja bazike, formimin e Asociacionin. Në të njëjtën linjë, edhe BE-ja insiston vetëm në këtë pikë, e cila me gjasa reale do t’i shtohet listës së kushtëzimeve të radhës para votimit të Këshillit të Ministrave të KiE-së për anëtarësimin ose jo të Kosovës. Që Asociacioni do të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, nuk përjashtohet si kërkesë. Veç zotimi me shkrim i tre drejtuesve institucionalë të Kosovës: Osmani, Konjufca dhe Kurti, se pala kosovare do të angazhohet për formimin e Asociacionit duket se ndërkombëtarëve s’do t’i mjaftojë. Po ashtu, pavarësisht se edhe kryeministri Kurti kishte pranuar se pjesë e Ohrit është edhe Asociacioni, që në dokument u “paketua” si vetëmenaxhim, duket qartë se në qeveri nuk ka shumë entuziazëm për ta çuar përpara këtë çështje. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë nëse ekzekutivi i vendit do të lëshojë pe para trysnisë evropiane dhe amerikane për dërgimin edhe e Statutit në Gjykatën Kushtetuese para se të jetë mbajtur takimi i shumëpritur i Këshillit të Ministrave të KiE. Por, nuk duhet përjashtuar edhe opsionin e “ruajtjes së fytyrës” edhe të blerjes së kohës, që vendimi i Këshillit të Ministrave të KiE-së të prolongohet për një kohë. Nëse ndodhë kjo, atëherë do të kishim skenarin e telenovelës së liberalizimit të vizave.

Në fakt, çështje e Asociacionit hyri si prioritet edhe me marrëveshjen e Brukselit për çështjen e targave më 30 shtatorit 2021, kur Lajçaku në dokumentin zyrtar në prani të Bislimit dhe Petkoviqit nënvizoi nevojën e adresimit kësaj çështje në takimet vijuese. Por, për këtë çështje, Bislimi, me apo pa qëllim zgjodhi heshtjen, ndërsa evropianët preferuan të flasin vetëm për tri pikat e “buta” teknike. Por, çdo gjë kaloi pa u vërejtur, pasi e gjithë vëmendja u përqendrua te tri pikat e para të marrëveshjes, tërheqja e barrikadave, tërheqja e policisë speciale dhe aplikimi i stikersave. Përmes përdorimit të eufemizmave dhe teknikës së “mbështjellje” së çështjeve më të ndjeshme, në pasazhin e fundit e tekstit të marrëveshjes thuhej si vijon: “Në kursin e negociatave të sotme ndërmjetësi i BE-së mori parasysh shqetësimet e ngritura nga Beogradi lidhur me moszbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Për këtë, BE-ja si lehtësuese e dialogut nënvizonte gjithashtu se në takimet vijuese do të trajtonte me prioritet çështjet e pazgjedhura që dalin nga marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e raporteve mes të dyja palëve (“Marrëveshja e Brukselit”).  

Presioni ndërkombëtar mbi Kosovën

Kjo situatë pa diskutim trimëroi Beogradin dhe sidomos pas vendosjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, pala serbe vazhdoi provokimet për ta futur në kurthe Kosovën, për ta shtyrë atë që të ndërmarrë veprime të nxituara. Paralelisht me këtë, Beogradi flet për gjoja “terror” dhe “spastrim etnik” sistematik që po ushtrohet ndaj serbëve nga ana e Kosovës. Qeveria e Beogradit dhe mediat e saj tani përdorin një vokabular terma tërësisht racistë dhe luftënxitës. Në të njëjtën kohë, është evident presioni i SHBA-së dhe BE-së mbi Kosovës, cili, siç vëren eksperti gjerman, Konrad Cleving, ishte i determinuar nga tre faktorë: e para, aleatët kryesorë të Kosovës - SHBA dhe BE – ishin të pakënaqura me mungesën e dëgjueshmërisë së Qeverisë aktuale të Kosovës e të cilën e kishin gjetur te qeveritë e mëparshme. E dyta, në shumë qendra të vendosjes në Perëndim ende besojnë se Serbia është lojtari kryesor në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet që vijnë nga Rusia në drejtim të Evropës Lindore. Është mister se si mund të besohet seriozisht se pikërisht ky vend, i cili nga viti 1991 ka sjellë vuajtje dhe krime të padëgjuara që nga Lufta e Dytë Botërore, mund të shërbejë vërtet si stabilizues. Ky është gabim i njëjtë me atë që bëri BE me 1996, kur njohu Jugosllavinë e mbetur të Millosheviqit, vetëm një vit pas gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kur shqiptarët e Kosovës trajtoheshin brutalisht përmes metodave të aparteidit. E treta, operacionet e qeverisë së Kosovës në veri të vendit, të cilat nuk ishin të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë, u cilësuan si provokime dhe veprime që mund të keqpërdoren nga Serbia dhe Rusia. Dhe, ndoshta rrjedha e ngjarjeve në veri, veçanërisht agresioni në Banjskë, vërtetuan këtë frikë të ndërkombëtarëve. Rrjedhimisht, edhe pas Ohrit, tensionet midis Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar rritje edhe si pasojë e disa veprimeve të ligjshme të Qeverisë së Kosovës, por që nuk kishin miratimin e duhur të partnerëve ndërkombëtarë. Natyrisht, një situatë e acaruar në veri të Kosovës e dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës, ndërkohë që Serbia, dhe sidomos Rusia do të kishte interes për ta zhvendosur vëmendjen në Ballkan nga lufta në Ukrainë. Nuk është gjë e panjohur tashmë se Moska ka një rol minues në Evropën Juglindore, ku viteve të fundit ka rritur makinën e propagandës dhe po hedh qëllimisht vaj në zjarr, duke e përdoru Vuçiqin dhe Dodikun. "Për Rusinë, përshkallëzimi i situatës në Kosovës është një dhuratë për Rusinë dhe Vuçiqin”, thotë historiani i njohur zviceran Oliver Jens Schmitt. Putini, i përfshirë në një luftë shkatërruese në Ukrainë,  po bën gjithçka që mundet për të përhapur vatrat e krizave sa më larg shtetit rus, me qëllim për ta parandaluar integrimin e mëtejshëm të Evropës Juglindore në BE dhe NATO. Serbia dhe Rusia dëshirojnë të mbajë tensionet e larta në mënyrë që të lidhin burimet e Perëndimit dhe të zbatojë interesat e tyre kundër Perëndimit. 

Për më tepër, ngjarja në Banjskë tregoi se ky ishte një skenar i përgatitur mirë. Kësaj ngjarjeje i paraprinë dorëheqjet e qindra policëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë serbë dhe, bashkë me viktimizimin, ishte përgatitur skenari sipas modelit rus në Krime, krijimit të fakteve të kryera në terren përmes njësiteve të armatosura serbe. Fushata viktimizuese e Vuçiqit të kujtonte retorikën ruse para fillimit të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Edhe presidenti rus, Putin, kishte pohuar në atë kohë se donte të mbronte popullsinë rusishtfolëse në Ukrainë. Ndërkohë, vënia e ushtrisë serbe në gatishmëri të lartë luftarake pranë kufirit me Kosovën me justifikimin viktimizues “se ushtria serbe do të bënte gjithçka për të mbrojtur serbët në Kosovë,” më në fund shërbeu si moment kthese për Perëndimin dhe NATO-n.  

Është e qartë se ajo që filloi në vitin 2011 dhe vazhdoi deri në Ohër nuk kontribuoi në normalizim marrëdhëniesh Kosovë-Serbi. Pra, është rezultat evident i një procesi negociues që nuk ka qenë i dizajnuar mirë dhe ku ndërmjetësuesit evropianë u shndërrua në burokratë vetëm për mirëmbajtjen e status quo-së, ndërsa dialogu për shumë kohë u shndërrua në një lloj kazantriqe, kur trajtoheshin tema e trafikut e deri te dinari serb.

Paqartësia rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Kështu, një vit ka kaluar nga arritja e Marrëveshjes Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit - që u afishua si marrëveshja sipas modelit të Traktatit Bazë gjermano-gjermane e vitit 1972, edhe pse konteksti gjeopolitik dhe synimet përmbajtjesore të këtyre dy marrëveshjeve dallojnë thelbësisht - mungesa e progresit në zbatimin e saj është evidente.

Duket qartë se marrëveshja në Ohër nuk u mor seriozisht nga asnjëra palë - si Kosova ashtu edhe Serbia e pranuan dokumentin vetëm për të mos marrë përgjegjësinë për dështimin e kësaj nisme dhe dialogut në përgjithësi. Derisa Serbia nuk pranoi të nënshkruante asgjë me Kosovën si palë e barabartë, Qeveria e Kosovës formimin e Asociacionit, një çështje më të anatemuar dhe më kontradiktore në politikën vendore, e prolongon duke përdorur justifikimin e mungesës së nënshkrimit serb në dokumentin e Ohrit. Por, në anën tjetër, BE-ja dhe SHBA kanë gjetur momentin e volitshëm që çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE ta ndërlidhin me dërgimin paraprak të statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse ky parakusht i (pa) pritur mund të komplikojë gjërat lidhur me vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave të KiE-së.

Mbetet të shihet nëse ky ngërç dhe kjo paqartësi do të tejkalohet në ditët dhe javët në fillim. Por, një gjë është e sigurt, nëse Kosova mbetet jashtë kësaj organizate panevropiane, Marrëveshja e Ohrit dhe krejt Procesi i Brukselit do të merrnin një goditje më të rëndë. Njëkohësisht, një zhvillim i tillë do të përbënte një fitore të radhës për Serbinë dhe pretektoren e saj, Rusinë, në minimin e angazhimit dhe etablimit të Perëndimit në rajon dhe në veçanti në Kosovë. Pas kësaj, i gjithë misioni ndërmjetësuesve evropianë do të dukej më shumë si mirëmbajtje e diplomacisë së vajtje-ardhjeve sesa mund që ka shënuar ndonjë arritje të vlefshme. Ndërsa, rikthimi i dinarit serb në kuadrin e Procesit të Brukselit ka krijuar hapësirë për “lojën” e vjetër serbe të viktimizimit. Në këtë mënyrë, ndërmjetësuesit evropianë e kanë shndërruar dialogun Kosovë-Serbi më shumë një kazantriqe, ku mund të ziesh gjithçka, por vetëm një gjellë jo, një gjellë të cilën mund ta hajë ndonjë njeri.

Një vit pas marrëveshjes, edhe pse BE-ja kishte deklaruar se “në Ohër palët u pajtuan për implementimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, ”gjërat kanë ecur edhe më keq sesa që kanë mundur të parashikonin pesimistët. Jo vetëm se nuk është bërë ndonjë hap konkret drejt normalizimit të raporteve ndërshtetërore, por, përkundrazi, përshkallëzimi ka progresuar me shpejtësi të befasishme. Dhe, tani, duket qartë se kanalet e komunikimit midis Kosovës dhe autoriteteve serbe në Beograd janë bllokuar plotësisht, ndërsa përpjekjet e ndërmjetësuesve amerikanë dhe evropianë kanë rezultuar të pasuksesshme, madje as  “çështja” e dinarit serb nuk mori epilog - Serbia të paktën dëshiron ta mbajë hapur për aq koha sa çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE mbetet në agjendë.

Goditjen serioze e mori pa dyshim edhe nga vetë BE-ja, e cila duke dashur t’i “ruante fytyrën” Serbinë, hoqi dorë nga implementimi i saj i plotë dhe i pakushte, dhe ndikoi për krijimin e përkohshmërisë së paafatizuar në relacionet Kosovë-Serbi. Ky mossukses eventual më shumë sesa me bindjen e Beogradin ka të bëjë me mosunitetin evropian, respektivisht me mungesën e njohjes nga pesë vendet e BE-së, të cilat me qëndrimin e tyre kundër njohjes së shtetësisë së Kosovës, në fakt më shumë janë përafruar me pozicionin politik të Rusisë ndaj Kosovës sesa me atë të komunitetit Euro-Atlantik. Natyrisht, kjo sjellje dhe ky mosunitet brenda BE-së nuk ka dëmtuar vetëm pozicionin e Kosovës, por ka zbehur vetë prestigjin e BE-së si faktor ndërmjetësueses në Procesin e Brukselit, si dhe ka rritur ambiciet e Serbisë për ta minuar procesin e dialogut dhe mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Kjo situatë i ka shkuar për shtati edhe Rusisë, e cila si askund tjetër mbetet e interesuar për ta minuar suksesin e Perëndimit në rajon dhe në veçanti në Kosovë. 

Nëse BE vërtetë është e interesuar për suksesin e dialogut dhe normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi dhe jo menaxhimin një status quo-je, atëherë pikënisja më e mirë për Brukselin do të ishte nxitja e pesë vendeve anëtare për njohjen e shtetit të Kosovë mbi parimet e pakontestueshme politike dhe juridike të opinionit të GJND-së, institucionet më të lartë të drejtësisë së OKB-së. Në të kundërtën, vazhdimi me këtë qasje, kur pesë vende, me apo pa qëllim, minojnë pozicionin e BE-së në Kosovë dhe në këtë mënyrë konsolidimin e shtetësisë së saj, atëherë dialogu Kosovë-Serbi do të mbetet i bllokuar në një lloj labirinti, ngjashëm siç ka mbetur edhe pas një viti Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat