Roli dhe ndikimi i disa mediave të Kosovës në zgjedhjet në RMV

Opinione

Roli dhe ndikimi i disa mediave të Kosovës në zgjedhjet në RMV

Nga: Skënder Musliu Më: 30 prill 2024 Në ora: 15:23
Skënder Musliu

Mediat janë ndër faktorët më të rëndësishëm për ndikimin e opinionit, respektivisht kur ato janë të paanshëm dhe objektiv, krijojnë një ambient të qetë, të sigurt dhe konstruktiv, mirëpo kur ato qëllimisht dhe në mënyrë tendencioze merren me shpifje dhe të pavërteta, krijojnë tensione dhe nervozizëm tek elektorati dhe në përgjithësi në opinion. Risi e këtyre zgjedhjeve, përveç mediave vendore të RMV-ës, është edhe prezenca dhe organizimi i emisioneve debative të dy televizioneve private nga Kosova në studiot e RMV-ës, enkas për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Karakteristikë e emisioneve debative vendore (RMV) është se ato po tregohen të balancuara, me kritika konstruktive duke reflektuar realitetin në terren, kurse disa gazetarë të televizioneve nga Kosova, për çudi, paraqiten shumë kritik duke shprehur një mllef të shfrenuar dhe histerik kundër opozitës së bashkuar, VLEN-it, sikur ajo të kishte qenë në pushtet për dy dekada dhe tani duhet të jep llogari për dështimet. Shtrohet pyetja se, a thua këta gazetar kosovar e njohin më mirë situatën politike nga gazetarët dhe opinionistat shqiptar të RMV-ës, ose bëhet fjalë për diçka tjetër ?!

Në këto debate televizive, patëm rastin të dëgjojmë disa gazetarë nga Kosova duke lavdëruar në superlativ BDI-në dhe Ali Ahmetin, duke e paraqitur ate si heroj që e paska çliruar Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë, se BDI-ja i paska zyrtarizuar univerzitetet në gjuhën shqipe dhe se paska punësuar shqiptar nëpër institucionet shtetërore. Mirëpo askush nuk tha se për themelimin e Univerzitetit të Tetovës kanë ra viktima shqiptar para se të themelohet BDI-ja si parti, se nëpër këto universitete janë punësuar familiar, bashkpartiak dhe simpatizues të BDI-ë, me diploma të blera, jo të gjithë, duke i shndërruar këto universitete në dega të partisë. Edhe punësimet në fjalë janë bërë me të njejtat kritere, përveç tjerash, duke punësuar njerëz të padijshëm dhe jokompetent, në kundërshtim me parimin e meritokracisë, mbase kuadrat e mirëfillta profesionale që nuk gjetën punësim sepse nuk ishin pjesë e BDI-së, ikën nëpër Europë.

Po ashtu këta të ashtuquajtur gazetar, nuk e thanë asnjë fjalë se, gjatë dy dekadave të bashkqeverisjes së BDI-së me partitë maqedone : kush i likuidoi komandantët e devotshëm të kauzës kombëtare pas konfliktit të vitit 2001, që u vranë nga vet shqiptarët ; për rastin e Kumanovës ; për proçeset e montuara politike ndaj shqiptarëve edhe pse zv.ministri i punëve të Brendeshme dhe ai i Drejtësisë ishin nga rradhët e BDI-së ; shumë shkolla etnikisht të pastra me shqiptarë, ende zyrtarisht mbajnë emrat e heronjëve dhe shkrimtarëve maqedon ose bullgar; në disa fshatra të Velesit dhe Prilepit, dhe jo vetëm, fëmijët shqiptarë vijojnë mësimin në gjuhën maqedone duke mos ditur shkrim dhe lexim në gjuhën e nënës ; në Preambullën e Kushtetutës së Maqedonisë, gjuha shqipe identifikohet me gjuhën që e flasin 20 % e popullatës duke përbuzur dhe përdhosur shqiptarët ; se në rradhët e BDI-së ka zyrtar që janë në listën e zezë të SHBA-ve ; ndarja e buxhetit është skajshmërisht skandaloze dhe në disfavor për vendbanimet me shqiptarë ; në Enciklopedinë Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, shqiptarët paraqiten si njerëz primitiv dhe të ardhur nga malet ; infrastruktura e vendbanimeve me shqiptarë, në krahasim me ato maqedone, është katastrofale ; pse nuk e pyetën Ali Ahmetin se si është e mundur që djali, vajza, dhëndërri dhe nipi i tij, bëjnë investime prej 50 million eurove pa asnjë ditë pune, kurse shumë shqiptarë vuajnë për kafshatën e bukës ; pse….. ?

Nga kjo që theksova më lartë, duke mos përmendur edhe shumë e shumë të tjera, që reflektojnë gjendjen e vajtueshme sociale të shqiptarëve, disa nga këta të ashtuquajtur gazetar, duke e dhunuar të vërtetën dhe mbrojtur korrupsionin, pa argumente mbrojnë një parti të inkriminuar, e cila edhe pas du dekadave në qeveri, nuk arriti t’i zgjidh nevojat më elementare të shqiptarëve. Duke kritikuar dhe sulmuar si hijena, me këmbëngulje, pa fakte as argumente opozitën e bashkuar, VLEN-in, madje edhe me ofendime histerike dhe nënçmime personale « nën brez », n’a bëjnë të dyshojmë në « sinqeritetin » e këtyre gazetarëve, sepse në këtë mënyrë veprojnë vetëm ata që enkas paguhen me porosi, sepse nuk ka ndryshe se si të spjegohen kritikat ndaj realitetit.

Disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, në çdo emision debativ, pa përjashtim, me arrogancë e kanë kritikuar kryeministrin Kurti për ndërhyrje në zgjedhjet e RMV-ës, në realitet ndërhyrje më flagrante dhe më brutale, skajshmërisht të njëanshme dhe tendencioze, kanë bërë pikërisht këta të ashtuquajtur gazetar mercenar, sepse përmes propagandës duke shtrembëruar të vërtetën, bëjnë ndërhyrja në proçesin zgjedhor.

Është ironi dhe demagogji të kritikohet VLEN-i, t’i kërkohet llogari edhe pse ende në mënyrë të qëndrueshme nuk ka qenë në qeveri, atëherë për çka kritikohet VLEN-i, për të bëmet që nuk i kanë bërë ?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat