Nga po i vjen rrënimi mendor Aleksandër Vuçiqit?

Opinione

Nga po i vjen rrënimi mendor Aleksandër Vuçiqit?

Nga: Spartak Ngjela Më: 2 maj 2024 Në ora: 15:27
Spartak Ngjela

Ushtarët e ushtrisë të Shteteve të Bashkuara po këndojnë këto ditë në rrugët e Prishtinës këngën e tyre anglisht: Zoti e Bekoftë Kosovën.

Kurse Vuçiç, një ish ministër i drobitur i Millosheviçit, po u thotë serbëve në Beograd: "Ne do ta marrim Kosovën". (!)

Po si do ta marrin Kosovën, do të mundin Amerikën!!!

Komedi e pushtuesit të falimentuar!

I.

Shqipëria është në progres kombëtar të përditshëm. Se kjo kohë është koha e shqiptarisë; dhe është pikërisht ky fakt historik që e ka bërë Vuçiçin në Beograd të flasë përçart.

Ai gënjen gjithë ditën, dhe flet me gjuhën e forcës. Por, duhet të kujtohemi se në historinë moderne, të gjithë pushtuesit barbarë, por të mundur, i turbullon mendërisht marrëzia e tyre me ngarkesa pushtuese, të cilën kuptohet se e kanë një inerci të patologjisë së tyre. Se janë të sëmurë.

Po Aleksandër Vuçiçit, nga po i vjen rrënimi mendor?

II.

Serbët kanë ardhur në Ballkan nga hiçi, dhe të gjithë zhvillimin e tyre, deri para 34 vitesh, e kanë arritur me pushtime territoresh shqiptare, me shpërngulje të etnisë shqiptare drejt Turqisë, me vrasje, me dhunë ; por përfundimisht u mundën.

Ja, kjo është historia e tyre në lidhje me Shqipërinë, por si të sëmurë që janë, nuk duan ta pranojnë. Kurse shqiptarëve aq iu bën, se tani janë në kohën e tyre.

Por, kë po gënjen Vuçiç, veten apo popullin serb me marrëzitë që flet?

Vetën po gënjen më shumë, me fantazitë e diktatorit të mundur në luftë, që sheh natën ëndrrat e pushtimit të Kosovës; zgjohet në mëngjes i gëzuar; sheh realitetin e humbësit; dhe del e flet botërisht si me makthin patologjik të njeriut shpesë-humbur që nuk do ta besojë të vërtetën.

Po ku mund ta dijë Vuçiç që Kosova dhe Shqipëria janë sot dy shtetet shqiptare që përbëjnë risinë evropiane të Shekullit XXI? Sepse nuk është e largët dita e bashkimit të të gjithë botës shqiptare në Gadishullin Ilirik: Shqipëri, Kosovë, Çamëri, Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanovci: gjithsej rreth 9 milion shqiptarë.

Se kjo nuk është më ëndrra e rilindasve tanë të mëdhenj, por është një realitet historiko-politik.

Ja, kjo është bota shqiptare që është në aleancë universale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne shqiptarët sot duhet të jemi krenarë, se kjo aleancë është domosdoshmëri historike për të dy shtetet shqiptarë në Gadishullin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat