Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Opinione

Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Prof.Dr. Enver Bytyçi Nga Prof.Dr. Enver Bytyçi Më 16 maj 2024 Në ora: 19:00
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Vendet e QIUNT-it, d.m.th. ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para dy ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj. “Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar hyrjen në Kosovë Patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopët e tij shoqërues për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të Kuvendit të rregullt vjetor të Sinodit në Patriarkanën e Pejës”.

E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd. Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”! Ndërkaq u kërkohet autoriteteve të Kosovës të pranojnë diçka që nuk ekziston në Kosovë. Të pranojnë që poet serbë të vijnë nga Beogradi në Kosovë për t’u thënë serbëve të Kosovës “Mos u integroni në shtetin dhe institucionet e vendit, sepse Kosova do të rikthehet nën Serbi”! Ambasada e Francës dhe të katër vendeve të QUINT-it i njohin dhe i dinë këto fakte. Pse atëherë bëjnë presion mbi qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj?!

Shtetet e QUINT-it janë një forum konsultativ në funksion të shtetësisë së Kosovës. Ato për një periudhë kohe kishin nën vëzhgim, sipas Planit Ahtisaari, pavarësinë e Kosovës. Dhe është e natyrshme që ky vëzhgim të vijojë, edhe pse “periudha e pavarësisë së vëzhguar” ka përfunduar para shumë vitesh. Kur u krijuar ky forum, ato premtuan ta ndihmojnë Kosovën për forcimin e shtetësisë dhe institucioneve. E në fakt po ndihmojnë në çdo rast Serbinë të jetë e pranishme në Kosovë,  madje nuk harrojnë thonë se këto vërejtje i bëjnë “për të mirën e Kosovës”! Së paku nuk duhet që t’i marrin shqiptarët për njerëz injorantë e kaq naivë. Nuk duhet gjithashtu t’u besojnë më serbëve, sipas të cilëve “shqiptarët janë njerëz me bisht”!

Nga ana tjetër, sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”. Edhe këtu ka diçka përtej këtyre spekulimeve. Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët.

Nuk do ndalem te aspekte të tjera, përveçse te dialogu. Dialogu Kosovë-Serbi, ashtu si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, u imponuan nga administrata Obama. Dialogu u planifikua të ishte “për çështje teknike”. Kështu është thënë në vitin 2011, kur u imponua me kushtet e 9 pikave të Ban Ki Mun. Megjithatë nën kujdesin e këtyre pesë vendeve të QUINT-it ai shndërrua në dialog politik dhe tani jemi në pikën kur bëhen përpjekje për të revokuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kosovës po i kërkohet të hequr dorë nga vendimi i 17 shkurtit 2008 për shpalljen e pavarësisë dhe të zhvleftësojë me nënshkrimet e veta edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të 22 korrikut 2010. Në vendimin e asaj gjykate thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si dhe me Rezolutën 1244!

Pavarësisht të gjithave, Kosova fajësohet për gjithçka bën në ruajtje të sovranitetit të saj përballë një shteti armik - Serbisë, i cili organizon banda terroriste kundër tij. Por e kam thënë dhe më parë: - Nëse në Kosovë nuk gjenden bashkëpunëtorë të Serbisë për të nënshkruar ndarjen e saj, pra edhe zhbërjen e shtetësisë, askush tjetër tashmë nuk mund ta imponojë atë t’i nënshtrohet vullnetit politik të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe përmes teorisë së “Botës serbe”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat