Gjurmë shkollimi e jete

Opinione

Gjurmë shkollimi e jete

Nga: Haki Bunjaku Më: 6 mars 2017 Në ora: 07:29
Haki Bunjaku

Tungjatjeta mësuesi im i parë dhe shumë i nderuar, Hamid mulla Hasan Masurica!

Urime 7 Marsi dita e bekuar e mësuesit Ju dhe të gjithë mësimdhënësve!

Dy gjëra janë të pazëvendësueshme:

1.Rroli i nënës në shtëpi për rritjen e fëmijëve dhe

2.Rroli i mësuesit në shkollë  për mësimin dhe edukimin e nxënësve.

Këta e kanë autoritetin e patundur.

(Isha ardh në shtëpi pas ndërrimit të para drekës në Gjimnaz dhe isha shtri në kanape që të pushoj pak, për të shkuar në mësim të pas drekës. Vajza në klasën e dytë fillore dhe gruaja mundoheshin ta shkruajnë një fjali, si detyrë shtëpie. U thashë, jo kështu duhet të shkruhet. Vajza më tha:-Jo babë ti nuk e di se mësuesi kështu na ka thanë! Nuk e ngava më tutje, vetëm mendova në autoritetin e mësuesit. Ndërsa baba prof. nuk po ditka!)

Ju me mirësjellje e dinjitet më dhatë dritën jeshile për shkollim, për çka ua heq kapelën dhe përulëm para jush me korrektësi!

Shkollimin e nisa në moshën (6) gjashtë vjeçare në vitin 1950,kur i dija numrat dhe shkronjat që i kisha mësuar nga kushëriri im-Dalipi. Shkollën e fillova herët, sherri i bukës së furrës që ua ndanin nxënësve pas pushimit të gjatë. Mirëpo, pas dy ditësh që shkova unë, praktika e ushqimit u ndërpre.

I nderuari mësuesi dhe rrëfyesi i udhës së jetës sime, kaluan 57 vite nga atëherë, gjatë të cilës kohë kam pësuar shumë ngjarje: arrestim, ndjekje dhe arratisje që ende nuk po përfundon.

Flora më shkruan se jeni mirë dhe sinqerisht gëzohem! Unë kam pësuar tri herë infrakt në kokë e disa herë në zemër, por mbahem. Diagnoza e fundit: Gefäss erkrankungen (enët e gjakut të sëmura).

Po më mbajnë në jetë mbesa e nipa si dhe leximi e shkrimet.

Ju brezi më i vjetër, aferim duelet më të fortë!

Fillimisht mësues ishte një Fetahu, me buzën e prerë në njërën anë dhe kur ngërmohej e hallakatej bëhej si lubi. Nxënësit i rrihte me dru të kubës. Mezi e plaka atë orë dhe vrap e në shtëpi.

Shpesh ktheja kokën, se mos po më ndjek prapa.

Bejtullah Muja, drejtor kishte grua një mbesë të Bunjakëve, prandaj shpesh vinte te na për konak.

Më luti të shkoj në shkollë, por nuk pranova. Gjyshja i tha e keni tutë keq që edhe në gjumë po trembët.

Mësuesit Fetah ia mbyti lisi vëllain, prandaj ky u transferua në Hogosht për kujdesje të familjes.

Mua po më çilej dera e fatit! Në gjysmëvjetorin e dytë erdh mësuesi Hamit që kishte mirësjellje me nxënës dhe respekt ndaj detyrës.

Kështu unë kreva klasën e parë dhe të dytë, ku vijoja mësimet me zell, të cilin ma nguliti mësuesi i nderuar-Hamid Masurica.

Për klasnë e tretë e të katërt erdh Hamdi Kastrati, që edhe ai kishte sjellje të buta pedagogjike me nxënës, të cilin ngrohtësisht e përshëndes!

Po të mos vinte të na mësojë e shpëtoi nga ajo lubi, mësuesi Hamid, unë nuk do të isha ky që jam, por do të përfundoja në rrugaçëri. Prandaj sukseset e mija në ngritjen arsimore ia dedikoi meritueshëm mësuesi të nderuar Hamid, duke e falënderuar thellësisht për nismën e mbarë që ma dha.

Mësuesit tim të nderuar i dëshiroi pleqëri të qetë e mbarësi në familje. Nëse vij verës në Gjilan do të ju takoi për një kafe! Hëpërhë pranoni të fala e nderime familjare nga ish nxënësi i juaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat