Asnjë të ri nuk e pashë duke vallëzuar!

Opinione

Asnjë të ri nuk e pashë duke vallëzuar!

Nga: Kimete Berisha Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 20:57
Kimete Berisha

1. A e patë sot në Kuvend se si të gjithë pa përjashtim dukeshin njerëz të mirë! 
A e patë se si vepra e mirë e bën edhe njeriun e keq të duket mirë. 
Sepse, edhe njeriu shumë i mirë, ndodh bën vepra të këqija. 
Dhe, edhe njeriu shumë i keq, ndodh bën ndonjë vepër të mirë.

Sot ka pasur të atillë që janë mërzitur pse shumë deputetë e politikanë të këqij sot u dukën si njerëz të mirë!
Vepra e mirë nuk e mbulon veprën e keqe, por as vepra e keqe nuk e mbulon të mirën. 
Prandaj, s'ka vend m'u mërzitë kur i sheh kriminelët e hajnat të bëjnë vepra të mira, si sot.

2. Me sabah e pashë Vetonin me sheshir dhe më erdh shumë mërzi në këtë ditë historike, pas borës, njeriun e parë me pa bash atë. 
Kur shkova në zyre, u liga, kur filloi votimi i Ushtrisë, me emocione ekstreme e çrregullova komplet ekuilibrin (edhe ashtu jo të lakmueshëm emocional), lotë si shiu kur bie në xhamat e kerrit pa fshisa, por vija e llajnerit që qëndroi e palëkundur mbi kapakët e syve të mi, ma dëshmoi se lotët e gëzimit nuk janë të njelmtë.

Çdo lot i joti numërohet, mos u lig, lotët i numëron Zoti, dhe i ruan në një shishe, thotë Psalmi 56:8, dhe mua më vjen shumë mirë që loti i gëzimit dhe loti i pikëllimit në mikroskop nuk duken të njejtë.

3. Unë u gëzova shumë po ashtu që sot të gjitha xhamitë e Kosovës kanë ligjëruar për Ushtrinë e Kosovës dhe për sigurinë, kisha pas qejf që të dielën Kisha Katolike m'u lut për Ushtrinë. 
Sepse, unë jam aq e marrë sa mendoj se njëmend lotët tanë i ngjeh dikush, atje lart, dhe vuajtja jonë regjistrohet dikund.

4. Këtu poshtë, para Kuvendit, vallëzonin dhe gëzoheshin për Ushtrinë vetëm ata më të moshuarit. 
Të rinjtë nuk lypsin siguri, ata lypsin lojë dhe argëtim. 
Në bazë të intervistave me profesorë e arsimtarë të shkollave fillore e të mesme, ata tregojnë se nxënësit e sotit as që e dinë që ka pasur luftë në Kosovë, nuk e kanë idenë kush është KFOR-i apo kush është Kryetar i Kosovës. Nuk merren me politikë. 
Liria e atdheut ka larguar gjeneratën e re nga dashuria për atdheun sepse atë dashuri e merr të gatshme.

Duke e ditur se shqiptarët nuk kanë mbamendje historike dhe më shumë se dy herë shkojnë rrugës së gabuar, atëherë mirë është me dasht Lirinë, para se me të kërcënu dikush me ta marrë atë që e ke gjetur të gatshme. 
Se, liria e gatshme të llaston dhe të bën dembel në dashuri.
Asnjë i ri nuk u pa të vallëzonte sot në shesh. 
Keq.

5. Edhe në Ushtri mund të bëhen oficerë fëmijët e atyre 'me t'njofshëm'. 
Bile nga portalet menjëherë pas votimit të Ushtrisë u pa se disa politikanë veç i kishin rehatu djemtë e tyre në Ushtri. 
Po mos e flliqni, aman zaman.

Dashurinë për atdheun duhet ta bëjmë modë, ta inkuadrojmë në fashion, kozmetikë, estradë, film, në poezi dhe në matenatikë.

Për ta bërë Ushtrinë Amerikane atraktive për të rinj, Elvis Prisley në kulmin e famës së tij shkoi ushtar. Duhet të mësohemi të jemi atraktivë, se Amerika na bën me Ushtri, por kurrë nuk pati sukses të na bëjë atraktivë dhe zotërinj.

6. Ushtria mëson diciplinën, prandaj s'kisha lënë mashkull pa e çu m'u bë 'njeri' n'ushtri. 
Meshkujt i kemi 'katastrofë', për shembull s'ekziston gati asnjë djalë që e rregullon jorganin e vetë; që i gjen qorapat e veta; që ia bën vetes bukën; që e çon kapakun e filxhanit të WC-së, ose që ia lyp fjalën prindit si ushtari që nuk ka të drejt të flas pa ia dhënë fjalën eprori.

Suksesi vjen nga diciplina. E diciplina është e zorshme, se s'mund të jesh i lirë të bësh çfarë të duash dhe të jesh i diciplinuar në të njejtën kohë.

Shërbimi i obliguar ushtarak tash do të ishte i lehtë, brenda ditës kishe shku n'sylah e t'i kish pru petullat e nxehta e mindilat e hekurosur e fejuara: 'Jam shku ushtar në Lipjan, në Ferizaj, në Pejë....larg, sa afër vendlindja, kjo do të ishte mërzi hajgare për ushtarin...por kish pas sukses, se ish mësuar diciplina dhe atdhedashuria që asnjëra nuk mësohen më as në shtëpi e as në shkolla.

7. E jakna Presidentit, boll bukur po i rri, kija inatin e jepja hakun. Ia veshën uniformën e Komandantit, por ia morën fjalën në dialog, se t'ana t'mirat nuk është e lavdueshme me t'u flug.

Edi Rama ia uroi Ushtrinë Kosovës vetëm me fotografinë e Presidentit të Kosovës, thuajse Ushtria e Kosovës është veç Komandanti i saj, i cili sot dukej Komandant veç prej shoke e lart.

P.S. Ushtria e Kosovës, të jetë Rojtare e Jetës dhe e Lirisë; Rojtare e Atdhedashurisë dhe e Paqes; Rojtare e Tokës dhe e Qiellit... dhe rroftë e qoftë sa të ketë jetë në këtë botë. 
Urime Ushtria!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat