Stagnojnë rastet me COVID-19, por Peja mbetet ende në karantinë - Bota Sot
Stagnojnë rastet me COVID-19, por Peja mbetet ende në karantinë

Peja

Stagnojnë rastet me COVID-19, por Peja mbetet ende në karantinë

Më: 5 maj 2020 Në ora: 15:55
Petrit Loci

Komuna e Pejës është e vetmja komunë që ende vazhdon të jetë në karantinë, ani pse ditëve të fundit nuk janë shënuar raste të reja me COVID-19.

Nga kjo komunë janë 73 raste me koronavirus, ku dy persona kanë vdekur dhe pesë janë shëruar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci tha se në këtë komunë ka stagnim të përhapjes së rasteve të reja me COVID-19.

Ai tregoi se gjendja e pacientëve që janë nga kjo komunë me COVID-19 është stabile dhe janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre.

Loci: Peja më e qetë krahasuar me javët e shkuara

"Peja këto ditë është relativisht më e qetë krahasuar me javët e shkuara. Kemi një stagnim të përhapjes së rasteve të reja me COVID-19 fatmirësisht dhe numri total i të prekurve deri më tani është 73, prej të cilëve janë dy të vdekur dhe pesë të shëruar. Ndërsa, pjesa tjetër është duke u trajtuar në vetizolim nëpër shtëpitë e tyre, gjendja e tyre është relativisht e qetë pa simptoma dhe janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre në gjendje stabile", tha ai.

Ani pse ka stagnim të rasteve të reja, Peja vazhdon të jetë zonë karantinë. Loci thotë se vendimin për ta larguar nga karantina e merr IKSHKP në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Loci: Vendimi për largimin nga karantina iu takon institucioneve

"Kjo është një punë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili nga raportimet dhe të dhënat të cilat i merr nga Komuna e Pejës dhe nga situata në përgjithësi, pra jo vetëm nga numri i të prekurve po në disa fusha, janë një kompleks i masave që analizohen dhe i rekomandohet Ministrisë së Shëndetësisë dhe më pas MSH është ajo që e merr vendimin. Pra, është kompetencë e nivelit qendror, MSH dhe IKShPK, të cilin ne siç e kemi respektuar kur është vendosur do ta respektojmë edhe në momentin që do të largohet", deklaroi ai.

Sa i përket masave mbrojtëse për personelin shëndetësor, Loci tha se qëndrojnë mirë të furnizuar.

Loci: Jemi duke u furnizuar rregullisht nga ana e MSh-së

"Faktikisht ne kemi një grup punues që nga fillimi i pandemisë në mes Komunës, Spitalit dhe IKSHPK-së dhe jemi munduar që nga fillimi të gjendemi sa i përket pajisjeve, materialeve të cilat na duhen për të funksionuar në kuadër të masave mbrojtëse kundër COVID-19. Gjendjen e kemi momentalisht stabile dhe jemi duke u furnizuar rregullisht nga ana e MSH dhe plotësimet e nevojshme i bëjmë edhe nga mjetet vetanake të buxhetit komunal", tha Loci.

Kurse, sa i përket lehtësimit të masave, Loci tha se qytetarët e kësaj komune po vazhdojnë t'i respektojnë krerët e lëvizjes dhe se nuk ka tollovi në qytet.

Në Pejë janë 73 raste me COVID-19, ndërsa në nivel vendi numri ka shkuar në 885, ku të shëruar janë 403 persona dhe 26 persona kanë vdekur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat