Kush po shkon falas në ‘shtratin’ e LVV-së!?

Politika

Kush po shkon falas në ‘shtratin’ e LVV-së!?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 30 dhjetor 2020 Në ora: 07:50
Arkiv

Ende pa u bërë publike data se kur priten të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, ka filluar “jo zyrtarisht” fushata politike. Shumica e partive politike të Kosovës, kanë bërë të ditur se kush do të jetë kandidati i tyre për kryeministër, por ka nga ato që duan të mbajnë “sekret” deri sa të vije koha të bëhet publike.

Një çështje tjetër e cila po diskutohet këtyre ditëve është edhe koalicioni para zgjedhor.

Deri tani është bërë e ditur se Lëvizja Vetëvendosje, do të shkoj në zgjedhje me Alternativen e Mimoza Kusarit, dhe me "listën" e Vjosa Osmanit.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar se do të shkoj në zgjedhje e vetme.

Lidhur me këtë temë, ekspertët kanë dhënë mendimin e tyre për “Bota sot” për koalicionet e mundshme ndërmjet partive politike.

Bajraj: Zgjedhjet nacionale dhe gjasat për koalicione parazgjedhore!

Image
Fatmir Bajraj

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se si është e ndarë skena politike. 

“Ideologjikisht, skena politike e vendit është ndarë në :

- LDK, parti e qendrës së djathtë konservatore dhe anëtare me të drejta të plota në PPE,

- LVV-në, e ekstremit të majtë dhe cila ka absorbuar edhe Islamin politik dhe gjithë dështakët e "Krahut të Luftës" dhe dy grupime nga dy gra kapriçioze; Mimoza & Vjosa, si dhe;

- Krahun e dal nga "lufta" përkatësisht grupimet tribale të identifikuar në PDK, AAK & NISMA, të cilat ideologji të vetme kanë pushtetin dhe favoret që sjell pushteti, tani e mbi dy dekada...!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ndërkaq, ai ka potencuar se pas vendimit të Gjykatës Kushtuese ushtruesja e detyrës së presidentit ka filluar konsultat me subjektet politike parlamentare për shqyrtimin e mundësive dhe datën e zgjedhjeve.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetueses i cili dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të tetat e radhës që nga 12 qershori i vitit 1999 dhe të fundit të mbajtura me 6 tetor 2019, aktgjykim ky i cili edhe pse ka vërejtje nga klasa politike si kundërthënës dhe jo i argumentueshëm, megjithatë, mbetët e padiskutueshme se vendimi gardianit të Kushtetutës, respektohet nga palët dhe institucionet e vendit. Në pritje të zyrtarizmit të këtij aktgjykimi, përkatësisht të publikimit në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe fillimit të numërimit mbrapsht të afateve kushtetuese brenda të cilave duhet të mbahen zgjedhjet (brenda 45 ditëve), U.d e presidentit, Vjosa Osmani ka filluar konsultat me subjektet politike parlamentare për shqyrtimin e mundësive dhe datën e zgjedhjeve, e cila do të jetë në harmoni të plotë me afatet kushtetuese dhe e dakorduar nga partitë politike parlamentare”, ka theksuar Bajraj.

Më tej, ai ka shpjeguar se nga çfarë arsyeje determinohen koalicionet parazgjedhore.

“Koalicionet parazgjedhore determinohen nga këto arsye:

- Sistemi zgjedhor shumëpartiak dhe në vetëm një zonë zgjedhore në të cilën zgjidhën drejtpërdrejt 100 nga 120 deputet sa ka Parlamenti,

- Tendenca për të dalë subjekt i parë zgjedhor dhe e drejta ekskluzive e të parit për pozitën e Kryeparlamentarit dhe konsumimin politik të së drejtës për formonin e shumicës parlamentare dhe krijimit të Qeverisë, si dhe;

- Frika e moskalimit të pragut 5% dhe mbetjes jashtë Parlamentit, fakt ky që shtynë partitë vogla të kalkulojnë në teoritë e mbështetjes elektorale dhe mundësitë reale në një konfiguracion politik të dhënë dhe të provuar katërçipërisht!”, ka deklaruar ai.

LVV-së po i shkojnë gratis

Sipas tij, LVV si subjekt i parë zgjedhor nga zgjedhjet e kaluara si subjekt i parë zgjedhor më komode në rezultatet të cilat i pret.

“LVV, si subjekt i parë zgjedhor me një diferencë të vetëm një deputeti karshi LDK-së nga zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, ndjehet e relaksuar dhe disi më komode në rezultatet të cilat i pret, falë sondazheve misterioze dhe të mediave të "kazanit" të cilat tani e gati një vit favorizojnë LVV-në e cila në kontinuitet luan rolin e viktimës pas shkarkimit të Qeverisë Kurti nga Parlamenti i Kosovës me mbi 2/3-tat e Sovranit në tempullin e demokracisë parlamentare (Kuvendin e Kosovës). Fryma populiste  e LVV-së, e mbështetur fort dhe fuqishëm nga mediat e klikimeve dhe agresiviteti në sinkron i tyre, përballë Qeverisë Hoti e cila është përballur me Pandeminë me Covid-19, brishtësinë e numrave të koalicionit, shantazhin permanent nga partneri kryesor i koalicionit (AAK), dhe procesin e dialogut në anën tjetër, përkundër një qeverisje të arsyeshme, të përgjegjshme dhe profesionale nga Kryeministri Hoti, fryma për "ndryshim" dominoj mbi racionalen për çfarë edhe aktgjykimi i Kushtetueses mund të konsiderohet i motivuar politikisht dhe i determinuar nga presioni joparimor publik &  politik si dhe fryma  populiste”, ka potencuar Bajraj.

Më tej, Bajra tregon se cilat parti mund të hynë në listën zgjedhore të Vetëvendosjes.

“LVV-së së Kurti, i shkojnë gratis në "shtrat", Alternativa e Mimoza Kusarit dhe "Lista e re" e Vjosa Osmanit, fuzionim ky që teorikisht e nxjerr këtë subjekt me dy deputet më shumë se sa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. LDK-në,  e cila drejton Qeverinë në detyrë, deri në marrjen e mandatit të Qeverisë së re, e pret një proces kompleks konsolidimi, por më një qartësi të theksuar vizioni, pasi që Vjosa Osmani e cila në cilësinë edhe të Kryeparlamentares, bashkë me deputetin tjetër kuisling të LVV-së në LDK, z. Haxhi Avdyli, jo vetëm që thyen vendimet politike të LDK-së, subjekt të cilin përfaqësonin në Parlament, por nuk kishin votuar as Qeverinë e drejtuar nga LDK-ja dhe Kryeministrin Hoti, shkak ky që rrëzoi Qeverinë Kosovës me një aktgjykim politik të Gjykatës Kushtetues për jo-validitetin e votës së Deputetit minoritar,  Ethem Arifi”, ka deklaruar ai.

Kurse, për LDK-në, Bajraj përmend paralajmërimet e zyrtarëve të kësaj parti.

“LDK, ka paralajmëruar një koalicion të mundshëm vetëm me qytetarët e Kosovës, nga fakti i përvojës së keqe të koalicionimit me ish partneret në zgjedhjet e parafundit me Alternativen demokratike të Mimoza Kusarit dhe tani edhe me AAK-në në koalicion qeverisës, e cila jo vetëm e dëmtoj Qeverinë Hoti dhe vendin, por përdori qeverisjen si trampolinë ngritjeje dhe ngjitje në rejtingun politik”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate, ku tregon se cila nga këto parti do të shuhej nëse shkon në zgjedhje e vetme. 

“PDK dhe AAK, si parti tribale, kanë paralajmëruar se do shkojnë të vetme në zgjedhje për të provuar fuqinë reale politike tek qytetarët e Kosovës, përkundër faktit se PDK, është e hendikepuar nga procesi i Gjykatës Speciale me ç`rast ka mbetur pa lidership tradicional ; Thaçi & Veseli dhe me u.d të Kryetarit Veseli, z. Enver Hoxhaj. Nisma Socialdemokrate e z Limaj, para dilemës hamletiane : "Të jesh ose të mos jesh"! Shkuarja e vetme në zgjedhje, do të ishte kalkulim tepër i "guximshëm" dhe rrezikshëm i cili me gjasë do nxirrte këtë subjekt parlamentar jashtë Parlamentit dhe drejtë shuarjes definitive, fat ky i të gjitha subjekteve të gjertanishme të ndara prej partive amë. Fuzionimi me PDK-në, do evitonte shuarjen e saj, dhe do ndihmonte PDK-në, sadopak të këndellej dhe konsolidohej nga goditja që mori nga Gjykate Speciale me seli në Hagë”, ka vlerësuar Bajraj për “Bota sot”.

Në LDK ka luftë të brendshme

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se  shumica e partive politike në Kosovë, kanë paralajmëruar heqjen e vijave të kuqe ndaj njëra tjetrës.

“Në kohën kur, para procesit të ri të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, shumica e partive politike në Kosovë, kanë paralajmëruar heqjen e vijave të kuqe ndaj njëra tjetrës, për tu hapë mundësi koalicioneve ndërmjet tyre, pasi që ky do të jetë test më i rëndë sprovues, për të gjitha partitë, për të dëshmuar fuqinë politike dhe ruajtjen e besimit te elektorati i tyre, vetëm në LDK vazhdon lufta e brendshme klanore për dominim në parti”, është shprehur ai.

Sipas Qarrit, LDK do të jetë në testi sfidues duke i marrë parasysh në ngjarjet që u përfshi kjo parti politike, si dhe me koalicionin me AAK-në, Nisman dhe Listën serbe.

“Madje megjithëse tanimë janë bërë publike koalicionet e para, pa marrë parasysh se kush me kënd do të hy në koalicion, testi vendimtar dhe më sfiduesi gjatë gjithë historikut të ekzistencës së saj si parti, pritet të jetë pikërisht për LDK-në, të cilës veçanërisht kësaj radhe, parashihet ti shkërmoqet tërësisht fuqia politike dhe mbështetja elektorale tek populli i dëshpëruar i Kosovës. Kjo për vet faktin e paprecedent, të përjashtimit të kuadrove më të lartë nga kryesia e saj, si Dr. Vjosa Osmani dhe tradhtimit të të premtimeve të dhëna elektoratit në zgjedhjet e vitit 2019, duke nënçmuar publikisht edhe besimin e popullit, nga vet Isa Mustafa. Mustafa përveçse u bashkua me AAK-në, Nisman dhe Listën serbe, si dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, për të ngritur me dallaveret e tij dhe të Hashim Thaçit një qeveri antikushtetuese, ai personalisht edhe nëpër emisione televizive deklaronte hapur se vota e popullit, nuk mund të vendosë për vendimet në politikë, duke lënë të habitur dhe vënë në dyshim qytetarët, se pse u dashka të votohet për LDK-në”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Edhe Qarri përmend paralajmërimet e LDK-së se do të shkoj e vetme në zgjedhjet.

LVV-së dhe Vjosës mund t’i bashkohen edhe këto parti

“Kurse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për rrëzimin e Qeverisë Hoti, kur tashmë, edhe pse jo zyrtarisht, ka filluar fushata elektorale e segmenteve politike, si dhe janë bërë të ditur shumica e kandidatëve nga radhët e tyre për kryeministër, e në media dhe opinion u bë publik koalicioni ndërmjet LVV dhe Iniciativës së re të zonjës Vjosa Osmani, vetëm Isa Mustafa, përkundër gjendjes kaotike që mbretëron në parti, deklaron se LDK, do të garojë e vetme në zgjedhje, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë me te. Madje, përderisa partitë tjera po kërkojnë bashkëpunim dhe lidhje koalicionesh ndërmjet veti, për të hy të bashkuara në zgjedhje, Isa Mustafa me garën për dominim të brendshëm, ka krijuar qarje aq të mëdha e të rënda brenda LDK-së, sa që e ka ndarë këtë segment politik, në katër grupime të pa-ri pajtueshme klanore rajonale, duke filluar me atë të Gjilanit me në krye Lutfi Hazirin, i rajonit të Rahovecit dhe Prizrenit me Avdullah Hotin, grupimi i Pejës dhe rajonit të Dukagjinit me Gazmend Muhaxherin, si dhe rryma e primitivistëve me në krye Agim Veliun që shtrihet në Llap e Gollak, pa përmendur këtu edhe vet kryeqytetin e vendit-Prishtinën, tërësisht të çakorduar dhe me pretendues krejt anonim, emrat e të cilëve as që ia vlen të ceken, mu në prag të zgjedhjeve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Qarrit, nëse arrihet pajtim për emrin presidentit të ardhshëm të shtetit ndërmjet LVV dhe iniciativës së Vjosa Osmanit, mund të ketë bashkim edhe me AAK-në dhe ndoshta edhe PDK-në.

“Ndërsa koalicionit parazgjedhor të LVV-së dhe Iniciativës së Vjosa Osmanit, nëse paraprakisht, udhëheqësit e tyre arrijnë pajtim për emrin presidentit të ardhshëm të shtetit, mund ti bashkohet edhe AAK, e ndoshta edhe PDK me të cilën siç dihet publikisht, koolaboron ngushtë dhe ka pretendime për koalicion, nëse jo para, atëherë, gjithsesi pas-zgjedhor edhe vet Isa Mustafa”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Qarri shton se LDK është duke u ballafaquar me krizën më të madhe dhe se këto zgjedhje do të jenë përfundimtare për këtë parti.

Isa po e injoron LDK-në

“Në anën tjetër, sa i takon LDK-së, e cila është duke u ballafaquar me krizën më të madhe të identitetit, të shkatërruar prej prijësve klandestin, në këto zgjedhje, ajo pritet ta pësojë fiaskon më të rëndë në historinë e vet të ekzistencës politike dhe të bie edhe nën numrin e 20 deputetëve, pikërisht për shkak të qarjeve të pariparueshme klanore që kanë krijuar udhëheqësit e vjetër të saj, Isa Mustafa, Haki Rugova, Agim Veliu etj. Për aq më tepër, përveç zyrtarizmit të kalimit të një numri të konsideruar të asamblistëve të komunës së Ferizajt në Iniciativën e dr. Vjosa Osmanit, në garën për zgjedhjeve që pritet të mbahen në fillim të viti 2021, kanë shprehur gatishmërinë për t`iu bashkuar Iniciativës së saj të re edhe rreth 80 kuadro tjera profesionale dhe të mirë përgatitur nga LDK, të injoruar për kohë të gjatë nga strukturat klanore brenda partisë, duke dobësuar kështu edhe më tepër LDK-në, në çastet më koritke, dhe mu para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat, pritet të jenë vendimtare për të ardhmen dhe fatin e përgjithshëm të kësaj partie, dikur më të madhes në Kosovë”.

“Por përkundër të gjithave, Isa Mustafa, i cili personalisht edhe e ka sjellë ish partinë e Dr. Ibrahim Rugovës, prijësen e të gjitha zhvillimeve progresive në vend, ndryshimeve demokratike dhe shtet formuese në Kosovë, në gjendje të tillë kaq të mjerueshme, deklaron publikisht se LDK do të hyjë e vetme në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke injoruar tërësisht gjendjen aktuale në parti dhe vet fatin e saj politik”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat