A do ta ketë vështirë Hoti përballjen me Kurtin dhe Vjosa Osmanin?

Politika

A do ta ketë vështirë Hoti përballjen me Kurtin dhe Vjosa Osmanin?

Nga: A.Z Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 22:03
Avdullah Hoti

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që nënkryetari i këtij subjekti dhe kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që priten të mbahen në fillim të vitit 2021. Këtë e ka konfirmuar kryetari i kësaj partie Isa Mustafa.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur në një konferencë për media bashkë me Avdullah Hotin, duke lavdëruar punën e këtij të fundit. Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, kurse njohësi i çështjeve politike Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se gjatë kësaj kohe, LDK-ja, pikërisht kryetari Isa Mustafa, nuk kanë pasur solucion më të mirë se kryeministrin Avdullah Hoti që të mbetet kandidat për këtë post.

Sipas Mulliqit, LDK-së i duhen reforma përmbajtësore, një njeri tjetër në krye të partisë.

“Në situatën aktuale politike nëpër të cilën po kalon vendi , me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme nacionale, brenda një afati të shkurtër, LDK-ja pikërisht kryetari, Isa Mustafa nuk kanë pasur solucion më të mirë, se kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti, të mbetet kandidat për këtë post në zgjedhjet e fund janarit. LDK-së i duhen reforma përmbajtësore , i duhet një njeri mendoj unë tjetër në krye të partisë dikur më të madhe në Kosovë. Por, duket se ka ekzistuar droja që të bëjnë ndryshime, shkaku që zgjedhjet mbahen brenda 45 ditësh”, tha ai.

Tutje ka shtuar se nëse do të nominohej ndonjë kandidat tjetër, puna e Qeverisë Hoti do të delegjitimohej gjë që do të rezultonte jo mirë edhe tek elektorati i LDK-së.

“Se a ka qenë Hoti zgjedhja më e mirë, mbetet të shihet. Sikur të nominohej ndonjë kandidatë tjetër, automatikisht dashur ose pa dashur do të delegjitimohej puna e Qeverisë Hoti së bashku me të parin e ekzekutivit dhe kjo do të rezultonte jo mirë edhe tek elektorati i LDK-së. Këtë sigurisht se nuk do ta bënte asnjë parti tjetër po të ishte në vend të LDK-së. Dihet se në çfarë rrethanash politike u formua Qeveria Hoti, jashtë praktikave të deritashme, ku partia e dytë e formojë qeverinë më Listës Serbe, në parlament, duke lënë kështu shumicën shqiptare në opozitë”, tha ai.

Më tej ka shtuar se kjo qeveri konsiderohet si qeveri jo legjitime, gjë që edhe kuvendarët morën paga më shumë gratis se sa që kanë bërë mundin me punë të mirë në kuvend.

“Nga shumë kush qeveria Hoti edhe nga LVV, si parti fituese e zgjedhjeve të tetorit të vitit të kaluar, konsiderohet si qeveri jo legjitime. Parlamenti ishte më i dobëti i pas luftës. Gjatë mandatit të tyre kuvendarët morën paga më shumë gratis së sa që ia bënë mundin më punë të mirë në kuvend, duke votuar ligje. Mezi kaloi Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike, e mbetën shumë punë dhe ligje të pa realizuara, se kuvendarët zgjodhën gjuhën e linçimit politik në kuvend, pastaj shumë nga ta munguan edhe në seancat parlamentare. Gjatë kësaj kohe për shkak të rrethanave të krijuara ishte zor të menaxhohet edhe COVID-19, si nuk u menaxhua si duhet as situata ekonomike në rënie”, tha ai.

Mulliqi shtoi se LDK-ja në krye me Hotin do ta ketë të vështirë përballjen me LVV-në dhe me Listën e Vjosa Osmanit, dhe se ndryshimet në Kosovë nuk mund të ndodhin me gardën e vjetër. Mulliqi thotë se radha dhe disponimi i shumicës është LVV-ja dhe Listës së Osmanit, e cila do të hapte perspektiva të reja në Kosovë.

“Njerëzve ju vështirësua situata ekonomike dhe sociale edhe më shumë. LDK-ja në krye më Hotin do ta ketë vështirë përballjen me LVV-në dhe me Listën e Vjosa Osmanit. Sondazhet dhe fitorja bindëse e LVV-së në Podujevë ndaj LDK-së që ishte në pushtet krejt pas luftën, e bëjnë atë favorite edhe të këtyre zgjedhjeve, por tash me rezultat edhe më bindës. Ndryshimet në Kosovë nuk mund të ndodhin me gardën e vjetër, e cila nuk punojë mirë në shtetndërtim dhe mirëqenie. Radha dhe disponimi i shumicës është pro LVV-së dhe Listës së Vjosa Osmanit, duke formuar kështu qeverinë e re, e cila do të hapte perspektiva të reja në Kosovë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat