Akuza ndaj Kushtetueses, profesori thotë se po vepron sipas dëshirave të Thaçit, Hoxhajt, Haradinajt...!

Politika

Akuza ndaj Kushtetueses, profesori thotë se po vepron sipas dëshirave të Thaçit, Hoxhajt, Haradinajt...!

Nga: A.Morina Më: 7 janar 2021 Në ora: 22:00
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj të fundit ka ngjallur shumë debate dhe reagime të mëdha në vend.

Në fund të vitit të kaluar Kushtetuesja e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifit, me që raste edhe rrëzoi Qeverinë Hoti. Këtij vendimi iu gëzua tej mase Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo doli një vendim tjetër nga po e njëjta gjykatë të cilin po e refuzon dhe nuk po e pranon kjo e fundit.

Vendimi ka të bëj me ndalimin e të gjithë personave që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë të kandidojnë për postin e deputetit. Ky vendim, natyrisht e prek edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

E moskandidimi i Kurtit në zgjedhjet e jashtëzakonshme ka nxitur debate të nxehta nga deputetët dhe anëtarët e Vetëvendosjes. Të cilët e kanë quajtur vendim tendencioz dhe të padrejtë ndaj liderit të tyre partiak.

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi, gjatë një prononcimi në gazetën “Bota sot” ka folur në lidhje me vendimet dhe punën e Gjykatës Kushtetuese. Mehazi tha se Kushtetuesja është e ngujuar dhe e ngulfatur nga partitë politikë të  kriminalizuara.

“E keqja më e madhe e stagnimit të proceseve politike në Kosovë s'janë vetëm partitë e kriminalizuara politike, të cilët njëzetvjet radhazi kanë ngujuar e ngulfatur proceset politike së bashku me Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Mehazi.

Profesori tha se kjo gjykatë është më shumë armiqësore ndaj Kurtit, sesa ndaj padrejtësive tjera që ndodhin në vend. Ai tha se njërën anë e merr parasysh ankesën e Vetëvendosjes për rrëzimin e Qeverisë Hoti, në anën tjetër ia ndalon liderit të saj të kandidoj për deputet.

“Se kjo Gjykatë Kushtetuese më së shumti është armiqësore ndaj Albin  Kurtit sesa ndaj padrejtësive Kushtetuese të Republikës së Kosovës vërehet hapur. Në njërën anë kushtetuesja merr parasysh ankesën e LVV-së për mos legjimitetin e qeverisë Hoti e shpall zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, në anën tjetër liderit të kësaj partie, Albin Kurtit, ia ndalon e nuk ia mundëson të konkurojë si deputet e si bartës i listës së LVV-së”, theksoi Mehazi.

Tutje, ai u shpreh se Gjykata Kushtetuese më shumë mbron kundërshtarët politik të Kurtit, Thaçin, Mustafën, Veselin e Haradinajn, sesa që mbron Kushtetutën e Kosovës.

“Ndërkëmbëzat politike Albin Kurtit po i vijnë nga çdo anë, si nga të gjitha partitë politike konkuruese, poashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese që më shumë anon nga e kundërshtarët politikë të Kurtit sesa të mbrojë kushtetutën e Kosovës. Më  e afër kjo Gjykatë është me kushtet e dëshirat e Isa Mustafës, Haradinajt, Hoxhajt, Veselit, Thaçit sesa për të mbrojtur nenet e ligjet kushtetuese të Kosovës”, u shpreh Mehazi.

Në fund, tha se pavarësisht tentimeve për ta ndalur fitoren e Vetëvendosjes, kjo gjykatë nuk do të ia dal. Pasi, sipas profesorit me apo pa Albinin, LVV do të dal fituese e zgjedhjeve

“Të gjitha përpjekjet për të penguar e ndalur hovin e fitores së LVV-së janë të kota, edhe nëse nuk i lejohet Albin Kurtit të konkurojë si deputet, përsëri partia e tij do të fitojë, me Albinin, pa Albinin LVV-ja do fitojë bindshëm për shkak se shumica e qytetarëve janë për ndryshime rrënjësore, për një frymë të re politike, për një të ardhme optimiste për qytetarët e Kosovës. Dhurata më e madhe politike për qytetarët e Kosovës do jetë Albin Kurti e Vjosa Osmani, kësi dhurata politike mungojnë në Shqipëri e në Maqedoninë Veriore”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat