Garë e nxehtë në LDK, veprimtari vjen me një mesazh të fuqishëm për kandidatët

Politika

Garë e nxehtë në LDK, veprimtari vjen me një mesazh të fuqishëm për kandidatët

Nga: N. H Më: 9 mars 2021 Në ora: 19:10
Lidhja Demokratike e Kosovës

Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri, janë tre kandidatët që publikisht kanë konfirmuar se më 14 mars, do t’i masin forcat në garën për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Pra, kjo parti do të mbajë kuvendin e saj zgjedhor më 14 mars, kur edhe pritet zgjedhja e kryetarit të ri, dhe kryesisë së re.

Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka vendosur ta thërrasë kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, për të ofruar dorëheqjen e tij.

Vendimi ka pasuar rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Në këto zgjedhje, LDK-ja ka dalë partia e tretë, me gjysmë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

E, lidhur m këtë ngjarje të rëndësishme dhe garën e nxehte që ka filluar në këtë parti, për “Bota sot”, ka folur veprimtari dhe ish-kryetari i LDK-së për Zvicër, Haki Latifi.

Latifi ka deklaruar se kushdo që fiton në një garë demokratike, të tjerët duhet ta përkrahin dhe mbështesin, nëse këta të fundit dëshirojnë dhe kanë synim rikthimin e LDK-së si fuqia kryesore në vend.

Image
Haki Latifi

“Mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është parti e çastit , ajo është dëshmuar se është për shtigje të gjata. Pa marre parasysh se kush fiton në një garë demokratike, të tjerët duhet ta përkrahin dhe mbështesin, nëse dëshirojnë dhe kanë synim rikthimin e LDK-së në pozitën e marrjes së përgjegjësisë së ndërtimit dhe integrimin e vendit”, ka deklaruar Latifi, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka uruar që të zgjidhet më i miri prej kandidatëve të lajmëruar.

“Mendoj se, kështu do të tejkalohej një sëmundje kronike e mentalitetit tonë, e cila e përcjelle LDK-në prej se është formuar e deri sot. Urojmë që të zgjidhet më i miri mbi bazën e parimeve demokratike në frymën Rugoviane”, ka shtuar ai.

Në fund, veprimtari Latifi ka theksuar se për të shkuar mirë ky kuvend, duhet të kyçen të gjitha organet e LDK-së.

“Në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtje të punëve të Kuvendit te LDK-së, mendoj se duhet të kyçet dhe të jep kontributin e vet profesional zgjedhor edhe Komisioni Statutar i LDK-së. Kujtoj se nëse kanë vullnet që të shkojnë punët mbarë, duhet të kyçen të gjitha organet e LDK-së në mënyrë që i gjithë procesi të jetë i besueshëm dhe transparent”, ka përfunduar Haki Latifi, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se sipas statutit të LDK-së, në kuvendin zgjedhor kandidatët fillimisht shpalosin programet e tyre. Por, për të marrë edhe zyrtarisht kandidimin për postin e kryetarit të partisë, kandidatët duhet të sigurojnë 51 për qind të votave të delegatëve të Kuvendit. Vetëm ata që sigurojnë këtë kuotë, më pas do të mund të ballafaqohen në garën e drejtpërdrejtë për kryetarin e ri të LDK-së për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat