Dorëheqja e Xhafer Gashit, goditje për AAK-në

Politika

Dorëheqja e Xhafer Gashit, goditje për AAK-në

Nga: A.Z Më: 24 mars 2021 Në ora: 16:51
Xhafer Gashi dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë brenda strukturës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pakënaqësia nga rezultati i AAK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, duket se e ka shtyrë Gashin të largohet nga AAK-ja.

E lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pas rezultateve të 14 shkurtit, ende pa shkuar në zgjedhje lokale kanë filluar të japin dorëheqje edhe nga komunat. Ai thotë se mos realizimi i premtimeve nga kryesia e AAK-së, për punësimin e qytetarëve si dhe përmbushjen e nevojave të KEK-ut, madje duke mos i ofruar as mbështetjen e nevojshme komunës, ka bërë që Gashi të heq dorë nga funksionet e kësaj partie.

“Pas tkurrjes drastike dhe debaklit katastrofal të pësuar në qendër të segmenteve të kriminalizuara politike, në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, partitë e inkriminuara pa vonuar shumë kohë dhe ende pa shkuar në zgjedhjet lokale kanë filluar të shkërmoqen tërësisht edhe nëpër komuna, nga dëshpërimi i pafund i anëtarësisë, degëve dhe nëndegëve e deri te kryetarët e këtyre partive nëpër qytete, për shkak të zhgënjimit nga mos-realizimi i premtimeve, sikur që ndodhi së fundi në Obiliq, e ndoshta së shpejti, kjo përsëritet e vazhdohet edhe në qytete e rajone tjera. Madje pikërisht për shkak të mos-realizimit të premtimeve nga niveli qendrorë dhe kryesia e partisë së AAK-së për zbatimin e ligjit, punësimin e premtuar të qytetarëve si dhe mos plotësimin e nevojave të domosdoshme të vet Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK, si ndërmarrja më e rëndësishme në vend, që edhe përkundër angazhimit të pareshtur të kryetarit të Obiliqit z. Xhafer Gashi, atij vet as komunës në fjalë, asnjëherë nuk iu ofrua zgjidhje përkatëse dhe mbështetja e nevojshme. Ndaj gjendja e krijuar, fillimisht qoi në dorëheqjen e nëntë asamblistëve të Kuvendit Komunal, kryesisë së degës dhe të forumit rinor, si dhe të 20 nëndegëve nga 21 sosh, sa kishte krejt AA, në këtë trevë, përfshirë edhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet në part, të vet kryetarit të komunës z.Xhafer Gashi”, ka deklaruar Qarri.

Tutje theksoi se edhe zhvillimet e reja brenda AAK-s-së, kanë ndikuar në dorëheqjen e Gashit, por ai prapë me kërkesën e qytetarëve do të vijojë punën në këtë komunë, por i pavarur dhe pa ndikim nga partitë e tjera.

“Dhe si pasojë e zhvillimeve më të reja denigruese, brenda përbrenda strukturave partiake të AAK-së, në Obiliq, edhe vet kryetari z. Xhafer Gashi, veteran i UÇK-së dhe kryetar shumëvjeçar i kësaj komune, u detyrua të jap dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha përgjegjësitë kadrovike brenda strukturës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror të partisë. Por, megjithëse ngjarjet e fundit brenda degës së AAK-së sipas deklarimit të z. Gashi, e bënë të patejkekalueshme dorëheqjen e tij nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë në këtë parti, me kërkesën e fuqishme të qytetarëve ai do ta vijoi punën si i pari i kësaj komune, por tanimë vetëm si kryetar i pavarur politik dhe i pa ndikuar nga partia, në qeverisjen lokale të qytetit të Obiliqit” shtoi ai.

Më tej deklaroi se Gashi ishte i suksesshëm në komunën e Obiliqit, i zgjedhur disa herë në krye të saj, kështu dorëheqja e tij ka quar edhe në shuarjen e degës së AAK-së në tërë rrethinën.

“Dhe kjo është një nga përgjigjet e domosdoshme, edhe nëse jo nga më të mirat, të një udhëheqësi të vjetër aktiv e të suksesshëm të një komune industriale me rëndësi si ajo e Obiliqit, në trevën e të cilës janë të përqendruara edhe termocentralet e fuqishme të energjisë elektrike, të cilat furnizojnë me rrymë ekonominë, industrinë dhe gjithë ndërmarrjet të mëdha e të vogla deri tek entet dhe institucionet e ndryshme shtetërore e private si dhe të gjitha familjet e Kosovës. Madje, kryetari i Obiliqit ishte jo vetëm udhëheqës i suksesshëm i degës së AAK-së, por edhe ish ushtarë veteran i UÇK-së, si dhe kryetari i mirënjohur i komunës së Obiliqit i zgjedhur disa herë në krye të saj, dorëheqja e të cilit, bashkë me 20 nëndegët dhe forumin rinor të kësaj partie, jo vetëm se e dëmtuan rëndë, por praktikisht quan edhe në shuarjen e plotë të degës së AAK-së, në Obliq dhe rrethinë”, theksoi Qarri.

Sipas tij, AAK-ja me premtimet se do të vazhdojë angazhimin për këtë komunë, është i vonshëm, sepse dorëheqja e Gashit dhe e forumit rinor është humbje e pariparueshme për AAK-në, si për Obiliqin ashtu edhe për vendet në rajon.

“Ndaj sado që AAK, e zënë në "befasi" nga zhvillimet në fjalë, mundohet t’i jap shpresë vetvetes, duke i uruar kinse edhe suksese Xhafer Gashit dhe vazhduar premtimet në ajër, se ajo si parti edhe pa të do të vazhdojë angazhimin për Komunën e Obiliqit, ky premtim edhe nëse nuk është i rrejshëm është ofertë tepër e vonë, ngase dorëheqja e z. Xhafer Gashit dhe 20 nëndegëve bashkë me forumin rinor të AAK-së, është një goditje tejet e rëndë për gjithë partinë në këto anë si dhe një humbje e pariparueshme për disa vite, nëse jo edhe prapakthim, me dekada për AAK-në në Obliq dhe rajon”, ka përfunduar Qarri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat