Mesazh i papranueshëm, nga burgu i Hagës delegohet Rama për copëtimin e Kosovës

Politika

Mesazh i papranueshëm, nga burgu i Hagës delegohet Rama për copëtimin e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 prill 2021 Në ora: 19:12
Hashim Thaçi, Edi Rama

Ish-kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga, atje ku po mbahet në paraburgim, i ka dërguar një letër urimi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren e Partisë Socialiste dhe këtij të fundit në zgjedhjet parlamentare.

Këtë letër të ish-presidentit Thaçi, e ka bërë publike kryeministri Rama përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, në të cilën Thaçi i drejtohet Ramës me “Vëlla Edi”.

“Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im”, ka shkruar ndër të tjerash Thaçi në këtë letër.

Tutje, në letrën e tij ish-kryetari i PDK-së ka thënë se, “Sot Shqipëria fitoi. Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vëlla, dhe mos harro që të kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët”.

Njohësit e çështjeve politike e kanë konsideruar të papranueshme letrën që ish-presidenti i Kosovës i ka dërguar kreut të qeverisë shqiptare.

Madje, analistët gjithë këtë e quajnë si një delegim nga burgu për Edi Ramën për ndarjen e copëtimin e Republikës së Kosovës.

Ata janë të mendimit se me këtë qëndrim të ish-presidentit dhe të kryetarit në detyrë Enver Hoxhaj, PDK-ja po shkon akoma më tej drejt rrokullisjes politike, pasi qëndrimet e saj janë në anën e kundërt të historisë dhe kundër vullnetit të popullit të Kosovës.

“Nga burgu Thaçi ia lë amanet Ramës copëtimin e Kosovës”

Image
Skënder Kapiti

Lidhur me këtë, opinionisti Skënder Kapiti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me këtë veprim të ish-presidentit Thaçi po vërtetohet se ky i fundit është në një linjë me Vuçiqin e Zaevin, të cilët ishin shprehur haptazi pro Ramës për zgjedhjet e 25 prillit.

Kapiti këtë linjë e quan antikombëtare dhe se konsideron se Thaçi nga burgu i Hagës i delegon Ramës planin për ndarjen e copëtimin e Kosovës.

“Ish-presidenti Thaçi kërkon nga Rama që të kujdeset për Kosovën, duke vërtetuar se Thaçi është në të njërën linjë anti-Kosovë me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Zaev të Maqedonisë të cilët bënë hapur deklaratën e tyre para zgjedhjeve në Shqipëri që të votohet Edi Rama dhe Partia Socialiste. Pra, Thaçi është në një linjë antikombëtare me planin famëkeq Rama-Vuçiç-Zaev të minishengenit neojugosllav dhe anti-Kosovë. Pra, nga burgu ish-presidenti i Kosovës ia delegon Edi Ramës dhe ia lë amanet atij planin për ndarjen e copëtimin e Kosovës”, ka thënë opinionisti Kapiti.

Tutje, opinionisti shprehet se është fat i madh për Kosovën, që falë votuesve u bë i mundur dëbimi dhe ndëshkimi i politikës së koalicionit të së keqes PLAN.

“Ky ndryshim bëri të mundur që në krye të institucioneve shtetërore në Kosovë të jenë ata të cilët unë i kam quajtur si “katër dragonjtë” e Kosovës, Dardanisë; Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Glauk Konjufcën dhe Donika Gërvallën. Tashmë në këtë situatë ku gjendet Kosova jo vetëm përballë Serbisë e Rusisë, por fatkeqësisht edhe për faktin se në Shqipëri nuk u bë ndryshimi i duhur politik për të cilin kishte aq shumë nevojë Kosova. Dhe do të ishte mirë që për interesin e madh kombëtar e shtetëror të Kosovës, do të ishte mirë që Kurti të mbështetej edhe nga Abdixhiku dhe LDK-ja e tanishme pas Mustafa. Ashtu sikurse falë LDK-së që u bë i mundur konstituimi dhe ngritja e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021, është mirë që LDK si opozitë konstruktive dhe kombëtare të vazhdojë kontributin e saj edhe për problemet e mëdha dhe të rëndësishme jetike që ka Kosova”, tha me tej ai.

Opinionisti Kapiti ka theksuar se me zhvillimet e fundit që e përcollën PDK-në, është një tregues kjo parti është duke e vazhduar edhe me tej qëndrimin e saj kundër vullnetit të popullit.

“Me këtë qëndrim të ish-presidentit dhe të kryetarit në detyrë Hoxhaj, PDK po shkon akoma më tej drejt rrokullisjes politike, pasi qëndrimet e saj janë në anën e kundërt të historisë dhe kundër vullnetit të popullit të Kosovës”, ka deklaruar opinionisti Skënder Kapiti, për gazetën “Bota sot”.

Mesazh i papranueshëm nga Edi Rama

Image
Nijazi Halili

Kurse, anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili, shprehet se mesazhi i Thaçit drejtuar Ramës është i papranueshëm dhe se me këtë vetëm se do të krijojë edhe me tej reagime e tensione mes dy vendeve.

“Secili lë t’i kryejë punën e tij në shtëpinë e vetë. Thaçi përmes kësaj letre Ramës i ka uruar fitoren në zgjedhjet e 24 prillit. “Sot Shqipëria fitoi. Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla dhe mos harro që të kujdesesh edhe për Kosovën. Kur t’i kujdesesh për Kosovën, t’i kujdesesh edhe për shqiptarët”, ka shkruar Thaçi. Një masazh që jep të tregon se jemi mësuar që punët tona të shtëpisë si gjithnjë t’i kryejnë të tjerët, në ketë rasti Edi. Aspak e pranueshme dhe ky mesazh i ish-presidentit Thaçi, drejtuar kryeministrit Rama, me këtë stil të shkrimit vetëm çka ka ngjallë reagim dhe ka ngritur tensione mes dy shteteve shqiptare”, tha Halili për “Bota sot”.

Halili ka bërë me dije për gazetën “Bota sot” se Kosova dhe Shqipëria në as një rast nuk guxojnë të krijojnë hendeqe.

“Ne, jemi vëllezër te një trungu e gjaku është shume normale se ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit çdo ditë e më shumë, ne kemi raporte të shkëlqyera si dy shtete të një historie të përbashkët, andaj duhet të kemi shumë kujdes gjatë mesazheve, apo deklaratave të cilat keqësojnë raportet tona. Andaj, në as një rast nuk guxojmë të krijojmë hendeqe e ura ndërsa në mese nesh si dy shtete të një trung, të ndarë padrejtësisht dhe pa vullnetin tonë, nga fuqitë e mëdha, andaj kujdes gjuhës së nxituar e cila krijojnë ura ndarëse në mes liderëve tanë vëllezër”, shprehet ai.

Krejt në fund, profesori Halili ka nënvizuar se përkundër kësaj, Kosova ka krerët e saj të cilët kujdesën për shtëpinë e tyre, andaj, sipas tij, askush nuk ka nevojë të merakoset për punët tona.

“Ne i kemi institucionet dhe liderët tanë, të cilët janë betuar se detyrat e shtëpisë na përkasin neve dhe do t’i kryejmë me përgjegjësi më të lartë, andaj askush mos të merakoset për punët tona, secili lë të kryen punën e tij, në shtëpinë e vetë”, ka përfunduar anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat