“Tri kërkesat e Kurtit në Bruksel”, paralajmërohen polemika nga Vuçiq me kryeministrin e Kosovës

Politika

“Tri kërkesat e Kurtit në Bruksel”, paralajmërohen polemika nga Vuçiq me kryeministrin e Kosovës

Nga: A.Z Më: 19 maj 2021 Në ora: 17:05
Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti

Ndërmjetësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të takimit jo-formal që po mbahet në Bruksel.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lajçak nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare në “Twitter”.

“Përbrenda margjinave të eventit jo-formal të Ballkanit Perëndimor, më erdhi mire që takova kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin bisedova për hapat e ardhshëm të dialogut [Kosovë-Serbi]”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë, analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ky takim nuk e ka vlerën e seriozitetit, ndërsa takime të rëndësishme do të jenë të përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Mehazit, temë kryesore në Bruksel do të jetë çështja e dialogut, meqë rast, Kurti do të jetë këmbëngulës ndaj liberalizimit të vizave, çështjen ekonomike si dhe dialogun.

“Takimet jo-formale nuk e kanë vlerën e seriozitetit dhe se janë takime të aty për atyshme të Lajçakut me Kurtin, takime me karakter përshëndetëse e mirësjelljeje diplomatike, shumë më e rëndësishme do të jetë rrjedha e diskutimeve gjatë ditëve në vijim të përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, sidomos vlera e kahjes dhe drejtimit të dialogut në mes Kurtit e Vuçiqit për njohje reciproke. Në Bruksel temë kryesore do të jenë integrimet dhe bashkëpunimet politike e ekonomike rajonale të shteteve të Ballkanit Perëndimor, kemi besim se Albin Kurti do jetë shumë këmbëngulës ndaj tri kërkesave të Kosovës: një, për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës, dy, për çështjen e infuzioneve ekonomike të Kosovës, tre, të dialogut me Serbinë si palë e barabartë për njohje reciproke”, deklaroi Mehazi.

Sipas tij, për Kurtin problem më i madh do të jetë tema e dialogut, sepse në mes Kurtit dhe Vuçiqit më shumë do të ketë karakter polemizues se dialogues.

Mehazi shton se pas polemikave të Osmanit dhe Vuçiq, do të vazhdohen edhe në Bruksel në mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Pra, këto tri kërkesa në Bruksel do jenë primare për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Dhe se për Kurtin, problemi më i madh do jetë dialogu me Serbinë që në Bruksel më shumë do marrë karakter polemizues e akuzues sesa dialogues në mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit. Polemikat e Vjosa Osmanit dhe Vuçiqit në Kroaci si vërehet do vazhdojnë në mes Albin Kurtit e Vuçiqit në Bruksel. Këtë vazhdimësi të polemikës e paralajmëroi edhe kryeministri i Kosovës Kurti para mediave se: "Kemi kriminelë të luftës në institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor" duke aluduar te presidenti i Serbisë, Vuçiq”, përfundoi Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat