Analiza/ Ja çfarë dëshmuan Albin Kurti në Bruksel dhe Vjosa Osmani në Slloveni, ky është synimi i Vuçiqit

Politika

Analiza/ Ja çfarë dëshmuan Albin Kurti në Bruksel dhe Vjosa Osmani në Slloveni, ky është synimi i Vuçiqit

Nga: P.R Më: 19 maj 2021 Në ora: 20:27
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është ballafaquar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Samitin e Brdo-Brionës në Slloveni.

“Vuçiq insistonte që ndryshimi i kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’ju lihen vetëm shteteve anëtarëve që janë pjesë e OKB-së. Kur ne folëm për këto krime, aty ndodhi kundërshtimi i Vuçiqit. Ne folëm qartë për krimet e kryera edhe në Bosnje edhe në Kosovë dhe kjo o pengoi Vuçiqin. Unë isha e qartë që Serbia do të ecë përpara vetëm kur e pranon shtetin e Kosovës dhe vetëm kur i vë prapa grilave kriminelët. Vuçiq kishte qasje tjetër dhe kjo është për të ardhur keq”, ka thënë Presidentja Vjosa Osmani lidhur me përplasjen me Vuçiqin.

E për sjelljen e Osmnait dhe prezantimin e Kosovës në Samitin e Brdo-Brionës në Slloveni, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi. Sipas Bytyçit, Vuçiq synon ta shpërfill Republikën e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Në të gjitha rastet, nëse i shohim me vëmendje zhvillimet, deklaratat dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve, në spikamë është dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Vuçiq dëshiron të flasë për marrëdhënie midis Prishtinës dhe Beogradit, madje dëshiron ta shpërfillë si nocion Republikën e Kosovës. Por kjo është thjesht një taktikë serbe e njohur për t'ia mundësuar vetes përfitimin sa më të madh. Më lejoni të përkujtoj faktin se Pjetër Arbnori që në periudhën e vuajtjes së dënimit të tij politik në diktaturë shkruante se duhet pasur kujdes me serbët dhe Serbinë. Ata bëjnë gjithçka që kur humbasin luftën të përfitojnë në tavolinën e bisedimeve. Dhe në atë tavolinë gjithmonë diskutojnë për pjesën tënde dhe jo të tyren. Duan ta ndajnë pjesën tënde dhe jo pjesën që ata e kanë”, thotë Bytyçi.

Ai shton se Serbia ka gjetur partnerë tek shqiptarët, në mënyrë që të realizojë interesat e saj.

“Absolutisht tash mbas 50 vitesh po ndodh e njëjta gjë që thoshte ish-kreu i parlamentit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori. Serbia dhe Beogradi kanë gjetur partnerë në Shqipëri e para disa kohësh edhe në Kosovë, që të diskutojnë se si ata do të grabisin territore shqiptare, sesi ata të përfitojnë asistencë dhe prezencë politike e sovraniteti në Kosovë, sesi të imponohen në realizimin e projekteve të tyre anti-shqiptare. Bisedimet e këtyre 10 viteve midis Serbisë dhe Hashim Thaçit na provojnë atë se sa të drejtë kishte Arbnori”, thekson profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti në Bruksel, dhe presidentja Vjosa Osmani në Slloveni, e bënë të qartë se Kosova nuk mund të nënshtrohet.

“Tani jemi në një situatë tjetër, por akoma të vështirë. Dhjetë vjet bisedime janë bërë shumë lëshime ndaj Serbisë, duke I dhënë asaj atë që nuk mundi ta fitonte në luftë. Qeveria dhe institucionet e reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të kaluar duhet ta përballojnë këtë vështirësi. Duhet të gjejnë rrugët dhe argumentet legjitimë për të rikuperuar atë çfarë mund të rikuperohet. Dhe për këtë po bëhen përpjekje. Albin Kurti në Bruksel dhe Vjosa Osmani në Slloveni bënë të qartë se Kosova nuk mund të nënshtrohet, pasi atë e masakruan serbët. Paralajmëruan se Kosova dhe Serbia do të bisedojnë vetëm si shtete të barabarta”, shprehet Bytyçi.

“Presidenti i Serbisë do të përpiqet që këtë mundësi dhe kërkesë të drejtë ta injorojë, të mos e respektojë. Ai po përpiqet që të bëjë diversion me kufijtë, duke vënë alternativën që: Ose duhet të pranohet mos ndryshimi i kufijve nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, ose duhet të pranohet ndryshimi i këtyre kufijve, nëse pranohet pavarësia e Kosovës. Nuk kanë kuptim tjetër deklaratat e tij. Zoti Kurti kundërsulmoi në Bruksel kur tha se në Ballkan qeverisin kriminelë. E kishte fjalën për Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq. Mesazhi i zotit Kurti lidhet me atë se Evropa dhe SHBA nuk do të duhet që të respektojnë opsionet nacionaliste serbe të një krimineli president të Serbisë. Pra, synoi ta zhvleftësojë teorinë e Vuçiq për kufijtë”, shpjegon më të tej profesor, doktor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi shton se Vjosa Osmani nuk pranoi provokimet serbe në Samitin e Brdo-Brionës në Slloveni.

“Edhe përplasja e Vjosa Osmanit me presidentin e Serbisë në takimin e presidentëve në Slloveni ishte parimore në kuptimin e këmbënguljes së saj për të vendosur barazi midis Serbisë dhe Kosovës. Ajo nuk pranoj që emri i Kosovës të zëvendësohej me atë të Prishtinës, çka i pëlqen Vuçiq-it ta thotë. Nuk pranoi provokacionet serbe kundër vendit të saj. Përdori autoritetin e vet që Kosova të trajtohet e barabartë me vendet e tjera të rajoni”, deklaron Bytyçi.

Profesor Bytyçi për gazetën “Bota sot” tregon se si mund t’i imponohet Serbisë që ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Qeveria dhe presidenti i Serbisë do të reagojnë edhe në të ardhmen. Ndaj ka shumë rëndësi që të finalizohet projekti i dosjes së krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Ka shumë rëndësi që të kërkohet përgjegjësi për ato krime, si parakusht i vendosjes së drejtësisë dhe barazisë së vendeve të cilat bisedojnë me njëra-tjetrën. Vetëm në këtë mënyrë mund të imponohet Serbia ta pranojë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Asaj po i ngushtohet laku në grykë. Mali i Zi ka mundësi që të marrë shpejt një datë pranimi në BE. Në këtë rast Serbia do të ndodhej e fyer dhe e turpëruar dhe do të donte me çdo kusht të shpejtonte integrimin. Por ky integrim nuk mund të realizohet pa zgjidhjen e konfliktit me Kosovën dhe pa e pranuar shtetësinë e saj”, thotë Bytyçi.

“Mendoj se zonja Osmani dhe zoti Kurti duhet të realizojnë vizita të tyre jo vetëm në Bruksel, por edhe në Berlin, Londër, Paris, Romë, Madrid, Athinë, Bukuresht, Bratislavë dhe Nikozia. Duhet bindur Evropa që të heqë dorë nga bllokazhi që po ia bën padrejtësisht Kosovës dhe mosnjohja e shtetit të saj”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat