Përkrahja e fuqishme e LDK-së për padinë kundër Serbisë, deklarohen nga VV-ja

Politika

Përkrahja e fuqishme e LDK-së për padinë kundër Serbisë, deklarohen nga VV-ja

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 20 maj 2021 Në ora: 08:13
Kuvendi i Kosovës

Dy dekada pas përfundimit të luftës është paralajmëruar ngritja e padisë kundër Serbisë për krime e kryera në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se kjo do të jetë pjesë e programit qeveritar.

E kësaj nisme të Qeverisë, i ka dalë në krah Lidhja Demokratike e Kosovës.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, në një konferencë për media, ka deklaruar se partia e tij e mbështet fuqishëm ngritjen e padisë kundër Serbisë.

“Padinë për gjenocid ndaj Serbisë LDK e mbështet fuqishëm. Në vlerësimin tonë krimet që janë kryer nga pushteti i Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare përbëjnë elementin e shfarosjes që nënkupton që përbëjnë elemente të gjenocidit. Mirëpo, ne vlerësojmë në këtë proces të gjitha institucionet e vendit dhe jo vetëm, por edhe shoqëria civile dhe ekspertët më të mirë vendorë dhe ndërkombëtarë duhet që të punojnë së bashku në mënyrë që momenti që të fillon ky proces i ngritjes së padisë të sigurohemi që kemi fakte dhe dëshmi të mjaftueshme për të prezantuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në vendin tonë është kryer gjenocid nga pushteti i Serbisë”, ka thënë Manaj, në një konferencë për media.

Ky qëndrim i LDK-së është mirëpritur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe nga ekspertët. Sipas tyre, LDK po tregon se po qëndron e pa lëkundur në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit që e ka krijuar vet.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, në një prononcim për “Bota sot”, ka dhënë disa detaje rreth padisë kundër Serbisë.

“Çështja e padisë duhet të kemi kujdes në përpilim të saj, është e rëndësishme, historike dhe në bashkëpunim edhe me Presidenten Osmani besoj që do adresohet me profesionalizëm dhe përkushtim”, ka thënë deputetja e VV-së për “Bota sot”.

Image
Mirlinda Tishukaj-Sadiku

 

Ndërkaq, ajo e ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kontributi i gjithsecilit është i mirëseardhur edhe nga partitë opozitare në këtë rast LDK, tek e fundit, vrasjet, dhunimet, shkatërrimi i pasurisë duhet të adresohen”, është shprehur Tishukaj-Sadiku.

Maraj: LDK do ta votoj pro dënimit të Serbisë

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Milazim Maraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka krahasuar opozitarizmin e LDK-së me atë të VV-së.

“Opozitarizmi duhet të jetë shtytje për zhvillim; jo pengesë në realizimin e projekteve të Qeverisë së Kosovës. LDK deri sot po jep shenja që është parti serioze dhe brenda sajë ka traditë shtet formimi dhe zhvillimi të mbarë kombëtar. VV gjatë kohës sa ishte në opozitë ka qenë pengesë pothuaj se e çdo projekti të LDK-së dhe më vonë e koalicioneve të saj. Por hakmarrja do të ishte ogur i zi për Kosovën”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka theksuar se opozita duhet të përkraha projektet e mira dhe të ndalon projektet e dëmshme.

“Opozita duhet të jetë kujdestare e rreptë e punës së pushtetit por jo pengesë për zhvillimin e shtetit. Reagimet duhet të jenë demokratike dhe të argumentuara. Të përkrahen projektet e mira dhe të ndalen projektet e dëmshme. Premtimet e VV deri sa ishte në opozitë kanë qenë lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe ngritja e padisë kundër Serbisë për krime lufte dhe gjenocid”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Image
Milazim Maraj

 

Sipas Marajt, LDK më përkrahjen e padisë për gjenocidin ka rivërtetuar se kjo parti qëndron e pa lëkundur në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit që e ka krijuar vet.

“Deklarimi i LDK që do ta përkrah këtë ligj është rivërtetim që LDK qëndron e pa lëkundur në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit që e ka krijuar vet. Kjo nuk e dobëson pozitën politike të LDK, përkundrazi e forcon bindjen për koherencën patriotike të kësaj partie, me tradita demokratike dhe shtet formuese. Por a do ta bëjë këtë padi VV, apo do ta le për më vonë? A do të jetë kjo padi e hartuar mirë që të dali fituese nga Serbia? A do të merren të gjitha masat që kjo padi të dali e suksesshme ? Këto janë disa dilema që sigurisht do të sqarohen më vonë. Ndërsa deklarimi i LDK është për t’u përshëndet. Kështu do të duhej të veprojnë edhe partitë tjera”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Qarri: Akti sublim i LDK-së

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri për “Bota sot”, ka deklaruar se të gjitha partitë politike do duhet të bëheshin bashkë për ngritjen sa më parë të padisë për krime lufte dhe Gjenocid kundër Serbisë.

“Përderisa krimet e kryer në mënyrë të organizuar shtetërore nga Serbia okupatore ndaj popullatës civile në Kosovë kanë të bëjnë me shfarosje të qëllimshme të pjesës më të madhe të popullsisë autoktone, ekskluzivisht shqiptare dhe përmbajnë elementet më të rënda si dhe aktet më ekstreme të gjenocidit, ndaj qytetarëve të pambrojtur, të gjitha partitë politike, të cilat janë shprehur për mbrojtjen humane dhe ruajtjen e banorëve autokton në Kosovë, do duhej, pa asnjë hezitim të vetëm, të bëheshin bashkë për ngritjen sa më parë të padisë për krime lufte dhe Gjenocid, kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

 

Gjithashtu, Qarri ka folur për gatishmërinë e LDK-së për t`iu bashkuar nismës për padinë kundër Serbisë.

“Por mjerisht, duhet konstatuar me keqardhje se edhe 21 vite pas lufte, përkundër faktit të mosbashkëpunimit të partive të ashtuquajtura të dala nga lufta, të cilat e kanë sakatuar gjithë vendin duke ua falur tokat tona fqinjëve përreth, si herë FYROMIT mbi 2500 hektar, e here Malit të Zi 8300 tjera, dhe në fund bën çmos që edhe Veriun e vendit tonë t`ia ofronin si dhuratë Serbisë, brenda paketimit të së cilës thuhej se përfshihej edhe Trepça me Ujmanin, së fundi gëzon fakti që të paktën një parti me tradita shtet formues si LDK, pas rrëzimit të kryesisë së vjetër, iu bashkua nismës së Qeverisë aktuale për ngritjen e padisë për gjenocid e krime lufte kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është shprehur analisti.

Këtë iniciativë të Qeverisë, Qarri e quan si akti më madhor.

“Kjo edhe për faktin se ngritja e padisë për gjenocid dhe krime lufte, kundër Serbisë okupatore, pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, është akti më madhor për familjarët e të rënëve, heronjtë e dëshmorët dhe të gjithë të vrarit e të kidnapuarit, nga Serbia, e cila edhe mbi 21 vite pas lufte ende mbanë peng mijëra trupa të tyre, mbetjet mortore të të cilëve vazhdojnë të gjenden, të shpërndara në vend-varreza të fshehta masive anë e mbanë Serbisë, kthimin e të cilëve familjarët e presin me varre të hapura, tash e mbi dy dekada në Kosovë”, ka theksuar Qarri.

Më tej, ai shprehet se partitë të cilat thirren në vlerat e luftës nuk shprehin vullnetin as ti bashkohen nismës së Qeverisë së re për akuzimin e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ndaj kur bëhet fjalë për një akt të tillë si padia për gjenocid e krime lufte të shkaktuara nga Serbia në Kosovë, të parat do duhej të ishin vet segmentet që thirren në udhëheqjen e luftës, si PDK dhe AAK, por mjerisht ato përveç se nuk lejuan asnjëherë ngritjen e padisë kundër Serbisë, për më tepër se dy dekada ndaluan edhe gjykata vendore të trajtonin edhe aktakuzat private kundër këtij shteti okupator, ndërsa tani nuk shprehin vullnetin as ti bashkohen nismës së Qeverisë së re për akuzimin e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjë që është jo vetëm për çdo lloj dhe formë të kritikës, por unë përveçse habitem pa masë, nuk mund ti gjejë as shpjegim kësaj avarie kombëtare dhe politike të këtyre partive.”, ka deklaruar Qarri.

Sipas tij, ky qëndrim i LDK-së duhet të merret shembull nga partitë si PDK-ja e AAK-ja.

“Kështu që, e vetmja gjë që gëzon së fundmi, në zhvillimet më të reja pozitive në vend, është bashkërenditja pa asnjë rezervë e LDK-së me Qeverinë aktuale për përgatitjen dhe mbështetjen e padisë për krime lufte dhe gjenocid, kundër Serbisë, siç u dëshmua edhe në konferencën e mbajtur për media, një qëndrim ky, jo vetëm shumë i mirëpritur, por i cili edhe duhet të duartrokitet si nga familjarët e të rënëve për liri ashtu edhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës, gjë që do duhej të bëhej shembull edhe për PDK-në e AAK-në, nëse vërtetë kanë menduar ndonjëherë për vënien e drejtësisë në vend me shtetin okupator të Serbisë dhe shërimin e plagëve të pambyllura të popullit të Kosovës , mbi 21 vite pas lufte”, është shprehur ai.

Në fund, Qarri ka vlerësuar se po dëshmohet se me kryetarin dhe kryesinë e re, LDK po ndryshon qasjen jo vetëm ndaj pozitës, por po ofron edhe ndihmën e bashkëpunimin e saj.

“Akti sublim i LDK-së, dëshmon se me kryetarin dhe kryesinë e re, LDK po ndryshon qasjen jo vetëm ndaj pozitës, por po ofron edhe ndihmën e bashkëpunimin e saj, për mbështetjen pa asnjë rezervë dhe përgatitjen sa më të mirë të akteve më të rëndësishme shtetërore, civile e juridike, për popullin dhe shtetin e Kosovës, si e vetmja parti opozitare që ka nisë të sillet, qysh në fillim si opozitë e njëmendtë, e cila jo vetëm që kritikon me arsye, por edhe mbështet e ndihmon me të gjitha mundësit partiake dhe potencialet e veta inteligjente e politike, sa herë vlerëson se kërkesat e Qeverisë janë të duhura, si dhe meritojnë përkrahjen dhe mbështetjen, e një ish partie të mirënjohur tradicionale dhe me përvojë shtet formuese, siç ishte dikur LDK, në Kosovë”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat