Konfiskimi i drogës në Lipjan dhe kërkesa e Vjosa Osmanit, sa janë shanset për anëtarësim në Interpol

Politika

Konfiskimi i drogës në Lipjan dhe kërkesa e Vjosa Osmanit, sa janë shanset për anëtarësim në Interpol

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 21 maj 2021 Në ora: 10:52
Ilustrim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se aksioni për konfiskimin e drogës në Lipjan është një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar të agjencive të zbatimit të ligjit.

Osmani në një postim në rrjetin social Twitter, ka thënë se ky aksion i shkëlqyeshëm është edhe një arsye tjetër për të mbështetur anëtarësimin e merituar të Kosovës në Interpol.

“Ky është një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar të agjencive të zbatimit të ligjit dhe një tjetër arsye për të mbështetur anëtarësimin e merituar të Kosovës në Interpol. Faleminderit Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëri”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, sekuestrimi i 400 kg drogë erdhi pas një aksioni të përbashkët të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë dhe DEA-s amerikane.

Kështu, lidhur me atë se pas gjithë kësaj a mund të ketë gjasa që Kosova të anëtarësohet në Interpol, kanë komentuar edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Kosova tani me udhëheqës të zotë për ta luftuar korrupsionin”

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se partitë që e sunduan Kosovën për 21 vite, e kanë rrënuar atë, prandaj pa ndihmën e SHBA-ve dhe shteteve të BE-së, do të jetë i vështirë pranimi i Kosovës në Interpol.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, anëtarësimi në Interpol do ta përforconte edhe më tej, madje do të kontribuonte edhe në luftimin e krimit të organizuar. Ai përmend faktin se Kosova vitin e kaluar ka nënshkruar një dokument për mos anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, meqë rast garantuese është SHBA-ja.

“Sado që fatmirësisht, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kosova në krye të saj, ka jo vetëm emra të rinj por edhe udhëheqës të zotë e me qëndrim të vendosur për luftimin e pa kompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar, partitë e inkriminuara të cilat sunduan për mese 21 vite vendin, kanë rrënuar aq rëndë imazhin e shtetit të brishtë të Kosovës, sa që pandihmën e pakursyer të SHBA-ve dhe shteteve të fuqishme si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania e Franca nga BE, e ka të vështirë të pranohet në cilëndo organizata ndërkombëtare, siç është rasti edhe me vet Interpolin. Madje megjithëse anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të ishte akt pozitiv, i cili do të përforconte edhe më tej, si subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ashtu edhe sektorin e sigurisë për gjithë rajonin dhe jo vetëm që nuk përbën kërcënim për askënd, por anëtarësimi i Kosovës në Interpol mund të kontribuojë në luftimin e krimit të organizuar, ekstremizmit dhe fenomeneve tjera kriminale, përveç rrezikut permanent që vije nga Serbia dhe Rusia, Kosova në shtator të vitit të kaluar, ka nënshkruar në Uashington edhe një dokument për mos anëtarësim, në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa garantuese e zbatimit të kësaj marrëveshje është vet SHBA-ja”, ka deklaruar Qarri.

Më tej, ai ka shtuar se në bazë të kësaj, Serbia do të duhej që ta ndalte fushatën për çnjohjen e Kosovës, por edhe nëse nuk votohet nga shtetet mosnjohëse, të mos e pengojnë anëtarësimin në Interpol.

Ndërsa, rasti kapjen e drogës, sipas tij e tregon përkushtimin e policisë së Kosovës si dhe profesionalizmin, prandaj ky duhet të jetë edhe një arsye më shumë për ta mbështetur Kosovën në Interpol.

“Kështu që sipas marrëveshjes në fjalë, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia, në anën tjetër, brenda një viti, do duhej ta ndalte fushatën e egër për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ndaj dhe nuk dihet saktë, se sa do të ketë Kosova kapacitete dhe kohë të mjaftueshme për lobimet e nevojshme tek shtetet mos njohëse, për të marrë pëlqimin e tyre, që edhe nëse nuk votojnë pro pranimit, të paktën, të mos e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Megjithëse pas akteve si rasti i konfiskimit të sasisë̈ së madhe të drogës në Lipjan, që vlerësohet lartë edhe nga ekspertët e huaj dhe vendor të sigurisë, si një akt bindës i punës së përkushtuar dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës, si dhe shembull i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar të agjencive të zbatimit të ligjit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë dhe Shqipërinë, ky fakt domethënës duhet të jetë edhe një̈ tjetër arsye shtesë, për të mbështetur anëtarësimin e merituar të Kosovës në Interpol, siç shprehet edhe presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani”, ka shtuar ai.

Qarri po ashtu ka theksuar se sa kohë dhe kapacitet ka Kosova që të arrijnë vendet anëtare deri tek pranimi i Kosovës në Interpol, përderisa Kosova nuk ka të drejtë të pretendoj anëtarësime, madje edhe në anën tjetër pengesat e Serbisë dhe Rusisë për anëtarësimin e  Kosovës organizatat ndërkombëtare.

“Por, duke e pasur parasysh faktin se deri në shtator Kosova në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Uashington, nuk ka të drejtë pretendimi për anëtarësime, ndërsa Serbia dhe Rusia punojnë në vazhdimësi për dobësimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe pengimin e saj për tu bërë anëtare në organizata ndërkombëtare, lind pyetja se sa kohë, mundësi dhe kapacitete vetanake ka Kosova për të lobuar mjaftueshëm te vendet anëtarë të kësaj organizate të sigurisë, që të garantojë pranimin përfundimtar të saj në Interpol, kur dihet fakti se Qeveria e re, aktualisht është vënë nën presion të fuqishëm nga BE, për tu përgatitur për bisedime dhe rifilluar dialogun me Serbinë”, përfundoi Gani Qarri.

“Kosova në gjendje të rëndë”

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se rasti i kapjes së drogës është shembull për bashkëpunimin në luftimin e krimit, por sipas tij, kjo nuk do të thotë edhe anëtarësim në Interpol.

Ai thotë se gjendja e Kosovës në arenën ndërkombëtare është e rëndë, madje nuk kemi as njohje të reja, gjë që do të thotë se duhet punë e madhe për ta ndryshuar pozitën e Kosovës.

“Është shkrim zyrtar i z.Osmani për çështjen e drogës së kapur në Lipjan. Diçka tjetër nga Presidentja nuk pritet. Rasti i drogës së kapur në Lipjan është një shembull i mirë i bashkëpunimit në fushën e luftimit të krimit ndërkombëtar. Mirëpo kjo nuk nënkupton edhe apriori anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Kjo për faktin se Kosova ende nuk ka paraqitur kërkesë për anëtarësim dhe pa të as që diskutohet anëtarësimi. E në anën tjetër, ende nuk dihet shtetet anëtare se si do të votojnë. Gjendja e Kosovës është e rëndë në arenën ndërkombëtare dhe te shtetet e ndryshme në botë. Kemi edhe pasivizim të njohjeve. Ndërsa, njohje të reja nuk ka. Këta tregojnë se gjendja e Kosovës nuk është e mirë. Kërkohet punë e madhe që të ndryshohet pozita e Kosovës”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat