Parashikimi për vendimin e madh: Ja kur ndodhë liberalizimi, këto vende po e bllokojnë Kosovën

Politika

Parashikimi për vendimin e madh: Ja kur ndodhë liberalizimi, këto vende po e bllokojnë Kosovën

Nga: P.R Më: 24 maj 2021 Në ora: 20:49
ilustrim

Debat i ashpër është zhvilluar në Bundestagun gjerman, ku deputetët gjermanë kanë kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Deputetët e CDU/CSU-së Christian Schmidt, dhe Peter Beyer, kërkuan liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne duhet të flasim më shumë me vendet skeptike, sidomos me Holandën dhe Francën: “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që i kemi vënë ne, pra, Bashkimi Evropian. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe menjëherë”, tha Beyer.

Edhe Renata Alt nga Partia Liberale, FDP, bëri thirrje që Kosovës t’i liberalizohen vizat sa më shpejtë.

“Është komplet e pakuptueshme se përse Kosova ende nuk ka liberalizim vizash", tha ajo dhe kërkoi nga Gjermania që të përdorë më shumë peshën e saj për ta mbështetur Kosovën në këtë pikë”, deklaroi Renata Alt.

Por kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën? Lidhur me këtë për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

"Çështja e liberalizimit të vizave është tashmë shqetësimi më i madh i qytetarëve të Kosovës. Kjo për shkak se njerëzit kanë nevojë të lëvizin lirshëm dhe të ndjehen mirë në shtëpinë e përbashkët me emrin Evropë. Por edhe për arsye të asaj se qytetarët e Kosovës ndjehen si të diskriminuar nga Brukseli. Dhe një popull që për një shekull ka vuajtur në qenien e vet diskriminimin moral e fizik, është e tmerrshme që këtë ndjesi ta krijonin në raport me atë që quhet tempull i demokracisë së planetit!”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Franca dhe Holanda janë vendet pengesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Është e vërtetë se Franca dhe Holanda janë bërë pengesë për vendimmarrjen e BE-së për liberalizimin e vizave. Dhe arsyetimi i kësaj bllokade na vjen si mesazh për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në Kosovë. Por në fakt, së paku për Francën, duhet thënë se refuzimi i saj ka të bëjë me shkaqe gjeopolitike. Sigurisht që luajnë rol edhe kundërshtitë e populistëve në të dy vendet. Megjithatë pengesë janë edhe disa prej pesë shteteve, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës! Është me shumë rëndësi që qeveria e Kosovës të tërheqë në vendimmarrje Francën, si dhe Holandën. Por edhe Greqinë, Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron. Është e mundur kjo nëse qeveria ngre grupe lobimi dhe i furnizon ato me argumentet përkatëse. Duhet përçuar e vërteta te secili prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, duhet që diplomacia e Kosovës të lëviz dhe të shpejtojë dinamikën e saj në raport me vendet evropiane.

“Ndoshta Franca joshet me ndonjë lëshim në aspektin ekonomik në Kosovë. P.sh duke përfituar ndonjë kontratë për investime ose koncesione, për nevojat e sektorëve shtetërorë a diçka e tillë. Ia vlen t’i jepet diçka e tillë, vetëm që të arrihet liberalizimi i vizave. E përmenda këtë, sepse Franca dhe sidomos Franca, funksionon në politikat e saj evropiane në raport me vendet jo anëtare sipas kësaj skeme. Kam parasysh raportet e saj të para 16 viteve me Turqinë, apo ato të para një viti me Serbinë.

Vendet e tjera ndoshta do të kërkojnë kompensime të tilla. Greqia i kërkoi Shqipërisë marrëveshjen për detin në këmbim të votës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe të pranimit në NATO. Ne e dimë se si vende të tilla, të cilat nuk kanë një histori bashkëpunimi e miqësie me shqiptarët, I përdorin mekanizma të tillë përfitimi”, thekson Bytyçi.

Ai shton se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodhë në fund të këtij viti, duke marr parasysh edhe punën e qeverisë Kurti.

“Unë besoj se liberalizimi i vizave do të ndodhë deri nga fundi i këtij viti, nëse qeveria Kurti do të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet dhënë mesazhi se Kosova është dhe do të jetë shtet demokratik dhe shtet i së drejtës. Me këtë kam parasysh ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe reformën në drejtësi. Kjo duhet bërë për të mos lënë shteg që vende të caktuara të shfajësohen për votën e tyre kundër. Mendoj se situatat gjeopolitike e favorizojnë një vendim pozitiv për këtë qëllim. Megjithatë duhet patur kujdes që qeveria dhe institucionet e Kosovës të sillen korrekt me institucionet dhe vendet evropiane. Nuk mundet që këto marrëdhënie të ndërtohen me emocion. Duhet një sjellje pragmatike. Edhe pse druaj se Franca do ta kushtëzojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës me zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, përsëri besoj se vendimi do të merret duke marrë parasysh përformancës së qeverisjes në Kosovë”, nënvizon Bytyçi për “Bota sot”.

Për fund, sipas Bytyçit duhet shfrytëzuar fakti që Gjermania, Austria e vende të tjera evropiane janë aktive dhe bëjnë presion për liberalizimin e vizave me Kosovën.

“Por duhet çuar më tej ky avantazh. Sot pashë se sit re ministra të Jashtëm të BE-së, ai I Austrisë, Sllovenisë dhe Çekisë po lobojnë për marrjen e vendimit për çeljen e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Një gjë e tillë mund të nxitet edhe sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën. Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin për liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian. Ajo ka në dorë punën më të madhe në këtë drejtim. Vetë ndryshimi I qeverisjes në Kosovë ka krijuar imazh pozitiv të Kosovës te vendet e BE-së e më gjerë. Procesi zgjedhor, vota plebishitare, menaxhimi I votimeve, mënyra e qeverisjes, programi i qeverisë, të gjitha këto ndikojnë që Kosova të vlerësohet si vend lider në implementimin e demokracisë në rajon. Këto janë argumente që duhen përdorur edhe nga qeveria dhe institucionet e Kosovës në këtë drejtim. Por qeveria Kurti duhet ta implementojë dhe kompletojë punën e saj në këtë drejtim me rezultate konkrete në reforma”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat