E premtoi me ngulm në fushatë, por u tërhoq në pushtet/ Ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

Politika

E premtoi me ngulm në fushatë, por u tërhoq në pushtet/ Ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 25 maj 2021 Në ora: 20:01
Albin Kurti

Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore kishte deklaruar se një nga punët kryesore në javët e para në postin e kryeministrit, do të jetë vendosja e reciprocitetit me Serbinë.

Por si duket kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij janë tërhequr nga ky premtim. Së paku kështu ka deklaruar gjatë ditës së sotme Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila gjatë ditës së sotme deklaroi se pavarësisht përplasjes me Serbinë, që nuk njeh dokumentacionet e lëshuara nga shteti i Kosovës, masat e reciprocitetit nuk do të vendosen.

“Nuk kam dashur t’i sjell masat e reciprocitetit me asnjë shtet fqinj. Kam dashur t’i zgjidh problemet përmes mekanizmave rajonalë, duke filluar nga CEFTA, RCC-ja dhe mekanizmat e tjerë europianë që mund të na ndihmojnë për zhvillim. Kam kuptuar se kam përkrahje të madhe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi”, deklaroi Hajdari, deklaratë kjo e cila nxiti shumë reagime në Kosovë.

E sipas analistit dhe publicistit Rexhep Shahu, Albin Kurti në pushtet dallon nga ai Albini që ishte në opozitë.

Image
Rexhep Shahu

“Albin Kurti i opozitës dhe Albin Kurti i pushtetit janë dy. Albin Kurti i opozitës din të bëjë protesta e të gjuaj në gurë qeverinë me ia thye xhamat, din të shkërputhë edhe për gjëra kot sa me ra në sy dhe me e bindë veten se është gjallë dhe sikur ka gjë në dorë, kur në fakt ka patur në dorë disa herë me i bë keq imazhit të Kosovës e disa herë me i bë mirë imazhit të Kosovës”, thotë Shahu për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se Kurti po mësohet me postin e kryeministrit.

“Sa i përket Albinit në pushtet ai tash po e mëson se nuk e ka vetën plotësisht në dorë por duhet me ecë në shinat e hekurudhës shtet, ose me thye qafen e me shku në shtëpi. Ai sa ishte në opozitë i shurdhonte edhe mëllenjat ne qiellin e Kosovës se do të bëj këtë e do të bëj atë, por kur është në pushtet e ul zërin e nuk mundet të tërheqë karrocën”, thekson Shahu.

Sipas tij, për Kosovën dhe vendimet që lidhen me dialogun vendosin edhe fuqitë e mëdha.

“Sa i përket vendimeve që duhet të marrë Kosova në raport me të tjerët, Albini nuk është sovran, se nuk mundet me qenë sovran se duhet me qenë i fuqishëm me qenë sovran, nuk mundet me vendos çfarë i teket Albinit pasi shtetet ndër veprojnë mes tyre me një sërë aktesh e marrëveshjesh ndërkombëtare. Kosova dhe Albini nuk udhëheqin ata u bashkohen rrjedhave si shumica e shteteve të botes. Aq më tepër Kosova për të cilën pyeten të tjerët më shumë se sa Albini pasi kanë kontribute në Kosovë më shumë se sa Albini. Është fjala për KFOR-in dhe Amerikën e fuqitë e mëdha”, thotë Shahu.

Për fund, Shahu shprehet se premtimi i Kurtit për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, ishte veç një premtim elektoral gjatë fushatës zgjedhore.

“Kështu duhet të mësohemi se retorikat e Albinit për reciprocitet e të tjera janë vetëm në opozitë e në fushatë elektorale, por nuk mund të bëhen në realitet. Ai iu bashkua dikur korit anti Tramp dhe kujtoi se amerikanët që do vinin në pushtet do ta donin Albinin më shumë, por rezultoi se amerikanët për Kosovën kanë një mendim, një vijë, një qëndrim. Kështu që i falet Albinit çdo premtim e mashtrim pasi ai po mësohet me shtetin e shtetbërjen. Të shpresojmë se për të, shteti nuk do të thotë vetëm me punësue shokët e militantët e partisë së tij...”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat