Ndryshe nga PDK dhe AAK, LDK mbështet shkarkimin e ambasadorëve politik – ka një kërkesë të veçantë për ministren Gërvalla

Politika

Ndryshe nga PDK dhe AAK, LDK mbështet shkarkimin e ambasadorëve politik – ka një kërkesë të veçantë për ministren Gërvalla

Nga: A.Morina Më: 27 maj 2021 Në ora: 17:01
Donika Gërvalla

Ministria e Punëve të Jashtme në krye me ministren Donika Gërvalla ka filluar ‘pastrimin’ e ambasadave të Kosovës në shumë shtete të botës, në të cilat janë bërë emërimet politike.

Ministrja Gërvalla ka shkarkuar 12 ambasadorë në disa vende të botës, ku natyrisht një gjë e tillë nuk kaloi po zhurmë dhe debate të ndryshme politike.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ishin dy nga kritikuesit më të mëdhenjë të këtij vendimi.

Mirëpo, për dallim nga këto dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e mbështeti një iniciativë të tillë të MPJ-së.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Faton Bislimi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se MPJ ka nevojën më të madhe për riorganizim, rivlerësim dhe riformatim thelbësor.

Sipas tij, shërbimi i jashtëm është kthyer në mundësi turizmi me buxhet të shtetit, për disa persona.

Image
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Faton Bislimi

“Siç e kam thënë edhe më parë, diplomacia e Kosovës, për fatin tonë të keq, është dikasteri qeveritar që ka nevojën më të madhe për riorganizim, rivlerësim, dhe riformatim thelbësor. MPJ është përdorur gati se historikisht si një ent punësimi partiak. Shërbimi ynë i jashtëm është kthyer në mundësi turizmi me buxhet të shtetit për shumë kë”, deklaroi ai.

Bismi përmendi edhe rastet kur disa diplomatë nuk kanë asnjë përgatitje profesionale në fushën e diplomacisë, por që nuk njohin as gjuhën e vendit nikoqir e në rastin më të keq as anglishten!

“Ne kemi të ashtu-quajtur diplomatë nëpër misione diplomatike që jo vetëm se nuk kanë asnjë përgatitje profesionale në fushën e diplomacisë, por që nuk njohin as gjuhën e vendit nikoqir e në rastin më të keq as anglishten! Kjo, assesi nuk do të thotë se nuk kemi diplomatë të jashtëzakonshëm e të suksesshëm, ngase kemi, edhe pse jo shumë. Kemi të tillë që, siç thotë populli, “ta lënë syrin çelë,” me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre”, theksoi ai.

Tutje, anëtari i LDK-së e mbështeti kërkesën e Gërvallës për të liruar nga detyra ambasadorët e emëruar politikisht. Ku sipas tij, edhe vetë ambasadorët e emëruar politikisht e kanë pasur të qartë se siç janë emëruar edhe mund të lirohet nga detyra

“Kërkesa e Ministres Gërvalla, e aprovuar nga Presidentja, për të liruar nga detyra ambasadorët e emëruar politikisht është e drejtë e bartësve të politikës sonë të jashtme në aspektin legal. Secili ambasador i emëruar politikisht, besoj, e ka pasur të qartë se siç është emëruar edhe mund të lirohet nga detyra. Por, veprimi në fjalë duhet matë me zëvendësimin e këtyre që janë liruar nga detyra”, nënvizoi ai.

Në fund, Bislimi i bëri thirrje ministres Gërvalla dhe Presidentes Osmani që emërimet e ardhshme t’i bëjnë në bazë të meritave, profesionalizmit, përkushtimit, dhe aftësisë reale të individëve të caktuar dhe jo në bazë të përkatësisë politike.

“Unë i bëj thirrje Ministres Gërvalla dhe Presidentes Osmani që emërimet e radhës në postet e ambasadorëve t’i bëjnë në bazë të meritave, profesionalizmit, përkushtimit, dhe aftësisë reale të individëve të caktuar për të kryer punë të suksesshme në vendet nikoqire për Kosovën dhe për shtetin tonë. Përtej afërsisë apo përkatësisë politike e partiake të këtyre individëve duhet shikuar performanca dhe kredencialet akademike e profesionale. Kur këto kritere të zënë vendin e duhur në emërimet e ambasadorëve të Kosovës, gjithçka tjetër mbetet pastaj veçse zhurmë ditore” përfundoi Faton Bislimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat