Reformat brenda LDK-së, anëtari i kryesisë flet për sfidat nëpër të cilat po kalon kjo parti

Politika

Reformat brenda LDK-së, anëtari i kryesisë flet për sfidat nëpër të cilat po kalon kjo parti

Nga: A.Morina Më: 28 maj 2021 Në ora: 23:41
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen në muajin tetor, do të jenë pasqyrë e reflektimit të partive të cilat pësuan humbje të thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në këto zgjedhje, do të arrihet të kuptohet së sa seriozisht subjektet opozitare e kanë marrë ndëshkueshmërinë e elektoratit të tyre.

Një nga partitë, që pësoi një rënie drastike ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila kishte humbje të madhe elektorale.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi hodhi dyshimet se partia në të cilin ai bën pjesë do të arrijë që nga zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së re të partisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale – të arrijë të ri konsolidohet fuqishëm.

Mirëpo, ai gjatë një interviste për gazetën “Bota sot” u shpreh se janë disa shenja pozitive dhe motivuese.

Image
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi

“Për të qenë jashtëzakonisht i sinqertë, koha është shumë e shkurtër – nga zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së re të partisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale – për LDK-në të arrijë të ri konsolidohet fuqishëm, por indikatorët e deritanishëm janë shumë pozitiv dhe inkurajues”, deklaroi Bislimi.

Tutje, anëtari foli edhe për reformën e cila po ndodhë brenda LDK-së, ku ai tregoi edhe sfidat që po kalon kjo parti, gjatë këtij procesi kompleks dhe të nevojshëm.

“Andaj, unë mbetem optimist se LDK do të gjejë fuqinë brenda radhëve të veta për të dalë suksesshëm në sfidën zgjedhore të vjeshtës 2021. Reforma në parti nuk është proces aspak i lehtë e as populist; përkundrazi, është proces kompleks, skajshmërish i ndjeshëm, por edhe thellësisht i nevojshëm. Suksesi i ardhshëm i LDK-së duhet kërkuar në frymën e unitetit në dallime. Në një parti demokratike dhe të hapur siç është LDK nuk ka e as që mund të ketë uniformitet të mendimit, por duhet të ketë bashkërenditje të veprimit”, theksoi ai.

Në fund, Bislimi shprehi besimin e plotë në lidershipin e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe kryesisë së LDK-së, për versionin që ata do ta ngrisin në vjeshtë për secilën komunë.

“Prandaj, uniteti në dallime, për mua është atribut themeltar i suksesit tonë të ardhshëm. Nuk dyshoj se nën lidershipin e Dr. Abdixhikut dhe Kryesisë së LDK-së, qytetarët në përgjithësi dhe elektorati tradicional i LDK-së në veçanti, do ta kenë jo vetëm më të lehtë, por edhe më të dëshiruar, dhënien e besimit për LDK-në dhe për vizionin që ne do të ngrisim në vjeshtë për secilën komunë”, përfundoi Faton Bislimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat